“Ndryshe nga çfarë kanë përhapur disa, mobilizimi rus ka pasur sukses dhe rusët do të luftojnë kudo dhe si të urdhërohen”, këtë beson Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valeri Zaluzni, i cili deklaron se ushtria ruse do të nisë një ofensivë të re dhe do të përpiqet të pushtojë Kievin përsëri vitin e ardhshëm.
Kështu është shprehur ai në një intervistë për Economist, duke theksuar gjithashtu se mobilizimi rus ia doli dhe hedh poshtë propagandën që ka qarkulluar për dështimin e tij: “Rekrutimi rus funksionoi. Nuk është e vërtetë që problemet e tyre janë aq të mëdha sa që këta njerëz të mos luftojnë. Ata do ta bëjnë sulmin. Cari u tha atyre të shkonin në luftë dhe ata do të shkojnë në luftë dhe madje do të përpiqen të marrin përsëri Kievin.
Kam studiuar historinë e dy luftërave çeçene, e njëjta gjë ndodhi atje. Në luftën e parë nuk ia dolën, por i studiuan dobësitë e tyre, u organizuan dhe u kthyen krejt ndryshe.
Mund të mos jenë aq të pajisura mirë, por gjithsesi janë problem për ne. Sipas vlerësimeve tona, ata kanë një rezervë prej 1.2-1.5 milion njerëz në dispozicion për luftë.
Tani për tani rusët po trajnojnë rreth 200.000 ushtarë të rinj. Nuk kam asnjë dyshim se ata do të bëjnë një përpjekje tjetër për të marrë Kievin”, tha gjenerali Zaluzni.
Ai tha gjithashtu se e kuptonte fare mirë pse ushtria ruse u përpoq të kapte Kievin në fillim të luftës.
Sipas tij, “nga pikëpamja ushtarake, ishte vendimi i duhur dhe ai do të kishte bërë të njëjtën gjë”.
Tani, siç thekson Zaluzni, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse, Valeri Gerasimov, po i përqendron të gjitha përpjekjet e tij në Donbas “për të ruajtur forcat e tij të mbetura në rajon”.
Komandanti i Përgjithshëm Ukrainas tha se kishte shkarkuar dhjetë gjeneralë që nga fillimi i luftës dhe se një gjeneral kishte kryer vetëvrasje.
Ai tha gjithashtu se ushtria ukrainase tani ka tre detyra kryesore përpara saj: “të ruajë pozicionet e saj, të përqendrojë forcat e saj dhe të përmirësojë sistemin e mbrojtjes ajrore për të mbrojtur infrastrukturën energjetike.
Por me gjithë përforcimet e mëdha nga NATO, ai tani deklaron se “forcat që ka nuk i mjaftojnë sepse i kanë mbetur vetëm dy Brigada”!
“Kam nevojë për burime. Më duhen 300 tanke, 600-700 BMP-1/-2 dhe 500 hauci. Atëherë mendoj se është mjaft realiste të arrijmë linjat që kishim më 23 shkurt. Por nuk e bëj dot me dy brigada”, tha kryekomandanti i ushtrisë ukrainase.
Ai gjithashtu beson se faza tjetër e luftës mund të fillojë në janar në rastin më të keq, ose në mars në rastin më të mirë.