Dikur thellë në kohëra, Arka e Noes u krijua që të shpëtonin qënia njerëzore (ishin vetëm 8 persona) dhe nga një çift kafshësh dhe shpendësh. Kaq ishin ata që shpëtuan. Kjo me dëshirën dhe vullnetin e Perëndisë pas një mallkimi të madh, pas një përmbytjeje, pas një ujnaje që mbuloi fusha, kodra dhe male.
Në një analogji së prapthi do të funksionojë SPAK në Shqipëri, do të shpërtojnë sërish 8 persona, por jo të zgjedhurit e Perëndisë, por të Demokraturës dhe nga 1 çift kafshësh dhe shpendësh, ndërsa të tjerët në ujnajë.
SPAK kjo krijesë amerikane, për vallaha drejtësi, e shndërruar në Arkën e Demokraturës, përpara përmbytjes së “gjithësisë” albane, post-komuniste, tashmë tranzitoro-pluraliste, në prag të një tjetër trazire socio-politike, duhet të pyesë Zotin e këtij vendi, njërin të vetmin dhe të padiskutueshmin, se cilët do të jenë 8 homo sapiensët albanë që do të shpëtojnë, kurse për çiftet e kafshëve dhe shpendëve mund të vendosin së bashku pozita, opozita dhe aleatja e madhe e shtetit të ri, në brigjet e Adriatikut, që Lindjen e shikon në Athinë, Perëndimin në Romë dhe ditë-natën në haremin e Anadollit.
Sot në krye të SPAK-ut, të Arkës së Demokraturës, të ndëshkimit dhe përmbytjes nga “drejtësia”, “zoti” do të vendosë kush do të jetë zëdhënësi i tij, cilët do të shpëtojnë për të siguruar vazhdimësinë dhe cilët do të gëlltiten në dallgët e ndëshkimit të drejtësisë që përzgjedh dhe selekton.
Sepse SPAK është fillimisht një Arkë shpëtimi dhe jo ndëshkimi. Pasi të sigurohet cilët do të shpëtojnë, më pas do të mblidhen shqiponjat dhe korbët për të vendosur për të tjerët.
***
Dhe që të kthehemi në realitetin e shëmtuar dhe neveritës dhe për ta thënë me pak fjalë, në krye të SPAK sot do të jetë ai që do kryeministri Rama. Mesa kuptoj personi i piketuar vjen nga qoshkat, rrugicat e jug-lindjes, që çuditërisht e ka patur gjithmonë një Koci Xoxe për të gjitha periudhat.
Aleatja Amerikë nuk e vë dot në udut dhe nën thundër sot për sot, as Ramën dhe as Erdoganin, sepse unë besoj se Amerika me këta të dy bën punët e pista në Europë. Dhe teksa i ka përdorur, teksa këta i kanë shërbyer, me të gjitha përfitimet që sjell ky shërbim, kur vjen puna të diskutohet jeta dhe ekzistenca e tyre, nuk janë më shërbëtorë, por të barabartë, palë të barabarta në marrëveshje, me të gjitha të drejtat për të vënë veto për vendin e tyre, që e kanë vënë në shërbim të atyre (palës tjetër).
Ja kaq thjesht besoj se është!
Dhe tani seç m’u kujtua për dreq, ndjesëpasti Kaç Myftari që kishte paditur në SPAK zonjën Balluku, dhe ky që sot do të jetë kreu i SPAK dosjen as e ka mbyllur, as e ka hapur, e ka në një sirtar që as fle, as zgjuar s’është, dremit për aq kohë sa të sigurohet që Arka e Demokraturës do të mbyllë portën dhe brenda saj do të jenë të përzgjedhurit.
Ky është një rast, sepse kush e di sa të tjera raste enden në këtë SPAK me kapak.
Ata që i besojnë drejtësisë që buron nga njerëzit janë jo thjesht naivë, por mjeranë. Ata që shpresojnë se shpata e Demokleut mund të bjerë mbi ta, është më mirë të vijë përmbytja dhe t’i përfshijë.
Nuk vjen drejtësia aspak me SPAK! As nga Amerika nuk vjen drejtësia!
Përpara se të kërkoni drejtësi, kërkoni shtet. Dhe shtetin e vendosni ju, këta janë shtet sepse këta doni ju.
Kush ankohet, grindet, qan dhe qyravitet, mirë është të mos na e prishë qetësinë me të tilla, por të dalë atje ku është sheshi dhe mejdani. Në të kundërt, të rrijë urtë, që të jetë të paktën në çiftin e kafshëve që do të shpëtojnë duke hyrë në Arkën e Demokraturës.
Drejtësia ka lidhje me mazhorancën, minoranca nuk ka kurrë të drejtë, edhe kur ka.
Dhe tani po u them diçka që ua thotë Rama indirekt, jo se nuk guxon tua thotë haptazi, por sepse juve nuk e kuptoni atë. Platoni shkruante: “Idiotin mund ta dallosh nga dy veçori: flet për gjëra që nuk i interesojnë askujt dhe jep mendim për diçka që nuk e pyeti askush.”
Popullit nuk i intereson më as SPAKu, as bataku. Dhe popullin nuk e pyet kush as për SPAK-un, as për kapakun.
Populli, njeriu dua të them, ky atom i papërfillshëm dhe i parëndësishëm në shoqëri, vetëm 1 ditë në disa vite periodikisht është tejet i rëndësishëm, kur voton. Më pas është sërish grimca që sillet vërdallë dhe që si dembel anadollak merret sot me SPAK, teksa kur duhet të ndjente sa i rëndësishëm ishte, mbeti në batak.
Lëreni rehat Kryeministrin të vendosë kë të dojë sot, dhe po të jeni të zgjuar, tregoijini, ose kujtojini vetëm një gjë, se koha nuk ndalet dhe se “atomi” do të shkojë një ditë sërish tek kutia e votimit.
Mua më çudit vetëm një fakt, njeriu i beson asaj gjëje që kupton. Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë Ramën, si e besojnë? Përgjegjen e kam më sipër, të fsheur, në një fjali me fjalën “pisllëk”.