Tragjedi në Indi, Sërish!

/

Ka shkuar në 288 numri i të vdekurve nga përplasja e trenave.

Kërkimet vazhdojnë për të bllokuarit në rrënoja. “Numri i të vdekurve dhe të plagosurve është vështirë të vlerësohet në këtë moment”, thonë zyrtarët.

Një përplasje mes dy trenave të premten në Indinë lindore ka marrë jetën e të paktën 288 personave dhe janë plagosur rreth 850 të tjerë, me ekipet e shpëtimit sot, duke u përpjekur të çlirojnë shumë pasagjerë të bllokuar në rrënojat e hekurta.

Gazetarët e AFP-së në vendngjarje panë vagona të përmbysur, punonjës shpëtimi që punonin pandalur për të çliruar të mbijetuarit dhe shumë trupa të mbuluar me çarçafë të bardhë pranë shinave të trenit, pranë Balasore, rreth 200km nga Bhubaneswar, kryeqyteti i shtetit Odisha.

Drejtori i përgjithshëm i brigadës së zjarrit të shtetit Odisha, Sundhansu Saranji, i tha AFP se numri i të vdekurve kishte shkuar në 288. “Operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar dhe do të zgjasin edhe për disa orë”, shtoi ai.

Një zyrtar i lartë i qeverisë rajonale, Pradeep Jena, tha se rreth 850 njerëz janë shtruar në spital.

Një linjë e pafundme ambulancash merrnin të plagosurit dhe i çonin në spitalin e rrethit Badrak gjatë natës, ku të mbijetuarit e gjakosur dhe të tronditur morën kujdesin e parë mjekësor.

Sipas Amitabh Sharma, drejtor i Hekurudhave Indiane, dy trena pasagjerësh ishin “përfshirë në mënyrë aktive në aksident”. Një tren tregtar ishte parkuar në vendin e tragjedisë, shtoi ai, pa dhënë detaje.

“Numri i të vdekurve dhe të plagosurve është i vështirë për t’u vlerësuar për momentin” shpjegoi ai, sepse shumë pasagjerë ka të ngjarë të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Një i mbijetuar u tha gazetarëve se ishte në gjumë kur ndodhi përplasja dhe se kur u zgjua ishte nën një duzinë pasagjerësh të tjerë. Më pas ai arriti të zvarritej nga karroca me lëndime në qafë dhe duar dhe të dilte jashtë vagonit.

“Kemi përgatitur të gjitha spitalet kryesore publike dhe private pranë zonës së aksidentit deri në kryeqytetin shtetëror për të marrë përsipër kujdesin mjekësor të të plagosurve”, tha një përfaqësues i autoriteteve rajonale.

Ai shtoi se 75 autoambulanca dhe “shumë autobuzë” janë dërguar në vendin e tragjedisë për të transportuar të lënduarit dhe të mbijetuarit.

Kryeministri indian Narendra Modi tha se ishte “i shkatërruar” nga kjo që ka ndodhur.

“Mendimet e mia janë me familjet e pikëlluara. I uroj të plagosurve një shërim të shpejtë”, shkroi Modi në Twitter, duke shtuar se ai kishte folur me ministrin e Hekurudhave Ashwini Vaishnau për “të vlerësuar situatën”.

Vaishnau njoftoi se do të shkonte menjëherë në vendin e aksidentit dhe se ushtria ishte mobilizuar për të ofruar ndihmë.

Ka pasur shumë aksidente trenash në Indi.

India ka pasur shumë aksidente të mëdha me trena në të kaluarën, por siguria hekurudhore është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, falë investimeve masive dhe përmirësimit të teknologjive.

Aksidenti më i rëndë hekurudhor në historinë e Indisë ka ndodhur më 6 qershor 1981 kur një tren pasagjerësh doli nga shinat në shtetin e Biharit dhe shtatë vagonë ​​ranë nga një urë në ujërat e lumit Bagmati, duke vrarë afro 1000 njerëz.

Gjithashtu më 20 nëntor 2016, treni ekspres Patna-Indore që transportonte 2000 njerëz doli nga shinat herët në mëngjes, në një zonë rurale në shtetin e Uttar Pradesh, ndërsa shumica e pasagjerëve ishin duke fjetur. Të paktën 146 njerëz u vranë dhe rreth 180 u plagosën.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Kopertina e Revistës Britanike "Glamour" - Jetojmë Kohët Eskate

Next Story

Freddie Mercury: Në Ankand Dorëshkrimi që Zbulon Titullin Origjinal të "Bohemian Rapsody"

Latest from Info