Tabelat janë vendosur në zonat që lagen nga deti Marmara, deri në Fanari, jashtë Patriarkanës në Gjirin e Bririt – Shqetësim edhe për Shën Sofinë.
Autoritetet në Turqi jetojnë prej muajsh nën kërcënimin e një tërmeti të madh në Stamboll, qytet i cili po përgatitet për efektet shkatërruese të një tërmeti të tillë, si dhe një cunami.
Në këtë kontekst, prej disa muajsh në disa pjesë të Stambollit janë vendosur tabela të përhershme paralajmëruese për cunami, duke u bërë thirrje njerëzve të lëvizin në pjesët më të larta të qytetit larg brigjeve të Bosforit.
Shenjat e para u vendosën në Büyükçekmece, një lagje në anën europiane të qytetit, që është zonë rezidenciale e një bregdeti të gjatë, ku ka lagje me popullsi të dendur dhe nga deti i ndan vetëm plazhi dhe një shëtitore e gjatë, në këtë zonë nga më të mëdhatë të qytetit metropolitan të Stambollit.
Por në të njëjtën kohë, tabela të tilla janë vendosur edhe në pjesët më qendrore të Stambollit, si në Fanari. Siç mësohet, tabela përkatëse janë vendosur edhe jashtë Patriarkanës Ekumenike në lagjen historike.
Lekkas: Një tërmet i madh në Turqi është i sigurtë.
Në këtë kuadër, profesori i Gjeologjisë së Aplikuar të Tektonikës Dinamike dhe Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore dhe president i OASP, Efthymios Lekkas, paralajmëroi edhe një herë për një tërmet të madh në Stamboll, i cili theksoi se sizmologë nga e gjithë bota kanë bërë vlerësime të ngjashme.
“Pllaka e Anadollit të Veriut që fillon nga Kaspiku dhe përfundon në Egje, me një gjatësi 1.300 kilometra, ka vetëm një pjesë që nuk është thyer dhe nuk ka shkaktuar ndonjë tërmet të madh dhe ndodhet në zonën nënujore në jug të Stambollit”, tha për televizionin ERT z.Efthymios Lekkas, lidhur me vlerësimet se në Stamboll pritet një tërmet i fortë deri në 7.5 Rihter.
Në të njëjtën kohë, ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për një thyerje të re të pllakës, por për një strukturë të madhe tektonike që është një degë e thyerjes së Anadollit të Veriut. Një degë e dytë është ajo e Nikomedias që kalon nga Bursa dhe divergjohet në dy degë, 50 kilometra më në jug. I pyetur nëse drejtimi i kësaj linje shkon drejt Greqisë, Efthymios Lekkas u përgjigj: “Po, të dyja këto dy linja tektonike shtrihen nga Lindja në Perëndim. Pra, të dy thyerjet kanë një projeksion në Egje, por jo në zonën kontinentale të Greqisë.
Vlerësimet nuk vijnë vetëm nga sizmologët turq, por korrespondojnë me vlerësimet e grupeve nga e gjithë bota. Ndaj, aktualisht është e ditur se presim një tërmet të madh në Stamboll”, shtoi z. Lekkas.
“Vetë presidenti Erdogan po bën fushatë me pikë referimi tërmetin dhe thotë se kandidati i tij është më i aftë të përballojë një fatkeqësi të mundshme nga tërmetit në Stamboll. Pra, ju e kuptoni që në Stamboll, për shkak se është një qytet me 20 milionë banorë, ka një ekspozim shumë të madh të popullsisë.”
Rrezik i madh për Kostandinopojën
Ai dha alarmin për Stambollin, duke thënë: “Mendoj se ekspozimi për shkak të akumulimit dhe dendësisë së popullsisë është shumë i madh. Një e treta e shtëpive në Stamboll janë ndërtime të vjetra jashtë çdo kriteri konstruksioni antisizmik. Një e treta janë ndërtimet moderne brenda rregullave antisizmike të ndërtimit”.
Por kjo nuk është tregues, pasi vetëm vitin e kaluar pamë se në Antioki dhe në zonën përreth u rrëzuan nga tërmeti edhe ndërtime të reja. “Ndërtimet në qytetin e ri të Stambollit drejt aeroportit rezultuan gjithashtu pas një analize, sitë pasigurta”, theksoi z. Lekkas.
Shën Sofia mund të cënohet gjithashtu
Shën Sofia është edhe në përditshmëri e cënueshme edhe me vetë ngarkesën statike që ka, pra edhe pa tërmet.
Ai la të hapur mundësinë që tërmeti mund të prekte edhe zonën greke, duke theksuar se “po, në vitin 1999 patëm efektin e drejtpërdrejtë të tërmetit në Turqi, që solli një tërmet në zonën greke të Athinës, 20 ditë pas Turqisë, por tani, përputhja nuk është e plotë dhe e dyanshme, pasi duhet të shohim se kur do të ndodhë tërmeti, çfarë karakteristikash dinamike dhe gjeometrike do të ketë, në mënyrë që të shohim nëse do të ndikojë edhe zonën greke. Mund të mos e ndikojë, por këtë do ta shohim në bazë të karakteristikave të tërmetit”, tha profesori.
“Nuk ka asnjë krahasim mes ndërtimeve në zonën greke dhe asaj turke. Në Greqi, ndërtesat publike janë në gjendje shumë të mirë sizmike dhe auditimi parësor i detyrueshëm institucional po përparon nga institucionet shtetërore përgjegjëse”, ka theksuar ai.