U Stresove Kur “Ra” Facebook & Instagram?

/

Disa kaluan në panik kur Meta “ra”. A jemi “të varur” nga rrjetet sociale?

Qindra mijëra përdorues në mbarë botën përjetuan probleme me hyrjen në Facebook dhe Instagram para pak ditësh, me platformat që u mohuan përdoruesve mundësinë për t’u identifikuar.

Problemet u rregulluan pas disa orësh dhe platformat po riktheheshin gradualisht, menjëherë më pas, përdoruesit nxituan të kërkojnë sqarime nga kompania mëmë Meta.

Faqja e Meta përmendi një sërë problemesh teknike, duke përfshirë “ndërprerje të rëndësishme” në qendrën e administrimit, si dhe hyrjen në Facebook, shërbimi që u lejon përdoruesve që të hyjnë në shërbimet e palëve të treta, duke përdorur kredencialet e tyre në Facebook. Kjo, nga ana tjetër, çoi në disa përplasje raportimi në ‘site’ të ndryshme.

Në Shqipëri, por edhe në mbarë botën, është vërejtur panik intensiv, i cili është shprehur kryesisht përmes Twitter (X), i cili ishte e vetmja shpresë e përdoruesve për t’u rrjetëzuar ‘online’.

Shumë përdorues komentuan se ndiheshin të kërcënuar nga “rënia” e Meta, duke menduar se dikush ua kishte hakuar faqen dhe se po humbisnin llogaritë e tyre në Facebook dhe Instagram.

Panik, stres, ankth se diçka e keqe u kishte ndodhur dhe e gjithë kjo, duke menduar se kemi humbur llogaritë tona në rrjetet sociale.

“Cili është shkaku i këtij reagimi?” Për këtë pyetje iu referova një psikologeje të njohur në Europë.

Ekspertja, për këtë pyetje shpjegon pse mund të përjetojmë ndjenja ankthi dhe kërcënimi, rreth çështjeve që lidhen me rrjetet sociale, të cilat në realitet nuk na kërcënojnë.

“Rënia” e Meta pak ditë më parë dhe për rrjedhojë e rrjeteve të saj sociale si Facebook, Instagram dhe Messenger, përveçse pati pasoja financiare dhe praktike, duket se kishte edhe pasoja psikologjike. Miliona përdorues nuk patën mundësi të aksesojnë llogaritë e tyre në rrejte sociale për vetëm disa orë dhe kjo ishte e mjaftueshme, sipas raportimeve, që shumë të përjetonin panik, ankth dhe shqetësim.

Është një mundësi e shkëlqyer që subjekti i marrëdhënies së individit me mediat sociale të dalë në plan të parë. Kjo marrëdhënie duhet të jetë vetë problematika, të shihet me sy kritik, me synimin, qartësisht, jo “eks-komunikimi” apo kritike, pasi kjo do të ishte anakronike, por mbi të gjitha të vërehet përdorimi i ndërgjegjshëm dhe racional i këtyre rrjeteve.

“Aktualisht, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Shoqata Amerikane e Psikologëve kohët e fundit (prej vitit 2018) njohën varësinë nga videolojërat si një çrregullim (çrregullimi i lojërave në internet), ndërsa varësia nga interneti dhe media sociale kanë një vend joformal në varësitë e sjelljes së njeriut, pasi kërkimet tani duket se po i afrohen elementit varësi të njeriut ndaj tyre, si një fakt vetëekzistent dhe jo thjesht si simptomë (p.sh. e depresionit)”, thekson ekpertja.

“Për të kuptuar saktësisht sesa “të varur” jemi nga rrjetet sociale, mjafton të imagjinojmë jetën tonë të përditshme pa to për një periudhë të mjaftueshme kohore (p.sh. një muaj) dhe t’i përgjigjemi disa pyetjeve:

-Çfarë do të ndryshonte në jetën tonë të përditshme?
-A do të ndjeheshim sikur diçka mungon?
-A do të ndryshonte mënyra sesi e perceptojmë veten?
-Sa më shumë kohë të lirë do të kishim?

Nëse përgjigjet e pyetjeve të mësipërme na shqetësojnë, mund të jetë kjo një mundësi e mirë për të riparë marrëdhënien tonë me mediat sociale, në të cilat duket se gjithnjë e më shumë harxhohet kohë, nga koha jonë produktive dhe nga koha jonë e lirë. Pra, personi konsumon një sasi të madhe stimujsh dhe informacioni, të cilat ai nuk ka kohë t’i përpunojë. Kjo e bën lajmin kalimtar, informacionin të konsumueshëm në mënyrë jokritike dhe individin një produkt-marrës, por jo produkt-mbartës.

E kuptojmë, pra, që përfitimet e rrjeteve sociale janë falas pikërisht për faktin se “produkti” janë vetë përdoruesit dhe koha që këta të fundit shpenzojnë për to, apo investojnë për to. Por për të fituar kohën, për të mos e konsumuar atë bosh, fillimisht duhet të jemi të vëmendshëm, logjikë dhe të vetëdijshëm, gjë që nuk na rezulton, pra automatikisht shikojmë se jemi mjat të pambrojtur….”.

Jetojmë një pjesë të madhe të jetës sonë, duke u marrë me jetën e të tjerëve, apo duke u tallur me të tjerë.

“Kështu që gradualisht mund të zbulojmë se gjëja e parë që bëjmë kur zgjohemi dhe/ose gjëja e fundit para se të flemë është të shikojmë rrjetet tona sociale, pëlqimet, mesazhet ose njoftimet.

Ne mund të zbulojmë se jetojmë pjesën më të madhe të jetës sonë duke parë, admiruar, dëshiruar, duke vështruar jetën e të tjerëve përmes një dritareje disa inç.”

Mpirje emocionale

Personi mund të kuptojë edhe vetë nëse vetëvëzhgohet, nëse bëhet i ndërgjegjshëm për të bërë një analizë të veprimit të tij, që lidhet me përdorimin e rrjeteve sociale. Por një pjesë e madhe e bëjnë, përdorin pra si pasivë rrjetet për të shmangur mendimet ose situatat stresuese dhe kështu konsumimi i përmbajtjes në rrjetet sociale i çon njerëzit në të ashtuquajturën “mpirje emocionale”.

Së fundi, për ta bërë më të lehtë vetëvëzhgimin dhe përdorimin më të ndërgjegjshëm të rrjeteve sociale, ndoshta duhet të kemi parasysh:

-Sa herë, nga të gjitha herët që hyj në mediat sociale gjatë ditës, e bëj me vetëdije dhe jo mekanikisht?
-Sa herë në ditë kontrolloj telefonin tim për njoftime?
-Këtë herë kur hyra në faqen kryesore të Facebook, Instagram, TikTok, çfarë më ofruan rrjetet?
-Pas këtij lundrimi në rrjete, si ndihem?
-Kur e ndjej nevojën për të shkuar në rrjetet sociale, kur jam i mërzitur, kur jam i zemëruar, kur jam në stres?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të na afrojnë me njohjen e vetvetes dhe rrjedhimisht me aktet tona. Mediat sociale janë një zakon që tashmë është bërë pjesë integrale e përditshmërisë. Kjo ndodh pikërisht sepse ato plotësojnë disa nga nevojat tona themelore. Nëse i dëgjojmë këto nevoja, do të mund të zgjedhim më me vetëdije, mënyra për t’i kënaqur nevojat tona.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Gjeni të Përbashkëtat!

Next Story

Cila Është Ylli i Hollywood-it që Braktisi Gjithçka për Besimin

Latest from Info