Imazhi i Realitetit & Virtualiteti i Imazhit që Degjeneron Shoqërinë – Big Brother – Djalli Fshihet në Detaje

/

Sa më komplekse të bëhet diçka, aq më shumë ka të ngjarë që diçka tjetër të fshihet pas saj. Siç themi zakonisht “djalli fshihet në detaje”.

“…por unë jam më i hollë se loti i gruas, më i fjetur se gjumi, më frikacak se injoranca…” (Shekspir).

Zakonisht, spektakli i emisioneve si “Big Brother” kuptohet si një arratisje nga realiteti, si një arratisje drejt argëtimit. Supozohet se emisionet pranohen nga publiku i gjerë, sepse e largojnë atë nga problemet. Për shembull, gazetari L. Kominis (SkyNews), duke dënuar emisionet e tipit “Big Brother”, komentoi në të njëjtën kohë se të rinjtë “gjejnë stehë” në realitetin virtual të këtyre “lojërave”, sepse shoqëria dhe politika i privojnë nga idealet dhe i zhgënjejnë. Por gazetari harroi të shtojë se politika vetë është Media dhe Media është vetë politika, të paktën në 3 dekadat e fundit dhe se gjithçka bëhet me një qëllim të caktuar, tejet diabolik.

Në këtë këndvështrim, ka dy paradokse: Së pari, emisionet pretendohen dhe reklamohen si një përfaqësim besnik i realitetit, pjesë e jetës normale. Pra, është paradoksale të arratisesh në realitet (mes TV) dhe largohesh nga jeta reale.

Së dyti, edhe nëse këto emisione nuk janë ato që pretendojnë se janë, nëse nuk janë pjesë e jetës reale pra, prapëseprapë është paradoksale që njerëzit të zhyten në mjerimin e këtij argëtimi, për t’i shpëtuar mjerimit të realitetit. Përveç kësaj, pavarësisht ankesave të shumta të vlefshme, por zakonisht intuitive, nuk mendoj se është shpjeguar plotësisht pse këto emisione përbëjnë mjerim. Analiza e tyre mund të hedhë dritë mbi këtë çështje, duke vënë në dukje se çështjet e estetikës së përgjithshme, ideologjia dhe regjimi i pronësisë së Media-s janë disi jashtë objektit të këtij shkrimi. Por në objekt do të jenë edhe simbolet diabolike që përdoren si sigla të këtij/këtyre emisioneve.

***

1.

Njerëzit që marrin pjesë në këto lojëra shesin dinjitetin e tyre, sepse sigurisht që është e padinjitet të pranosh të të shikojnë dhe vëzhgojnë në çdo moment. Pra, nëse dikush mendonte se dinjiteti është diçka e paçmuar, që humbja e tij nuk mund të vlerësohet me asgjë, këto emisione deklarojnë qartë të kundërtën, që në thelb është diabolike. Në të tilla emisione dinjiteti nuk është vetëm produkt në shitje, por shitet shumë lirë. Një emision lojë ku jo të gjithë lojtarët fitojnë, vetëm një fiton, por të gjithë pranojnë të bëhen pjesë e spektaklit, të flakin dinjitetin për të fituar virtualitetin e lakmuar.

2.

Megjithatë, pse është e pahijshme që dikush të pranojë që të tjerët ta shikojnë, në momentin kur ai flet pis, kur jashtëqit apo kur bën dashuri? Përgjigja është komplekse, por mund të argumentojmë se shekujt e qytetërimit kanë rrënjosur te njerëzit nevojën për të mos zbuluar në publik atë që ende i lidh drejtpërdrejt me kafshët, ose çfarë nuk është me interes shoqëror, apo jashtë kornizës së besimit dhe virtyteve. Përkundrazi civilizimi dhe dinjiteti i predispozon njerëzit të projektojnë atë që i karakterizon si qenie njerëzore, pra aftësinë e tyre për të zmadhuar apo krijuar, në dobi të shoqërisë dhe kulturës. Përmes kësaj sjelljeje, në një farë mënyre ushqehet kultura.

Këto transmetime paraqiten vallaha si qëndrim “modern”, por veç të tilla nuk janë dhe ofrohet si “argëtim” ndjekja e tyre mes ekraneve televizive, që në thelb është instrument për shkatërrimin dhe devijimin e shoqërisë nga normat dhe normaliteti, nga parimet dhe besimi i gjithkujt.

Këta njerëz bien dakord të mos dalin nga një banesë kolektive për një periudhë të konsiderueshme kohore, ku përveç dinjitetit të tyre, pranojnë të lënë “hipotekë” edhe lirinë e tyre për muaj të tërë, në këmbim çmimesh të dyshimta. Njeriu në kafazin diabolik.

3.

Nëse gjyshërit tanë, si bartës të një morali shoqëror shekullor, besonin se dinjitetin e tyre mund ta shesin vetëm njerëzit krejtësisht të rënë, të dorëzuar në dreq, televizioni na bën me dije dhe do që të na bindë se “lojtarët” nuk janë as prostituta portuale të varfëra, as vagabondë të paarmatosur, por janë njerëz normalë, të rinj “VIP” të veshur mirë dhe të paraqitshëm, pa bisht dhe brirë. Nga pamja e jashtme, ata duken si mijëra njerëz që jetojnë rreth nesh, por e vërteta e mungesës së dinjitetit qëndron pas pamjes së formës. (Meqë ra fjala, vërej se televizioni është “specialist” në fshehjen e realitetit pas formës, pikërisht sepse “është” imazh dhe jo fjalë, ndaj dhe shpesh ju shkruar: mos shikoni TV, dëgjojeni atë, për të kuptuar realisht se çfarë ju ofron juve dhe fëmijëve tuaj, shoqërisë në përgjithësi.)

Madje, këta të shitur që nga pamja e jashtme duken si gjithë të tjerët, televizioni i quan “heronj”, sikur po sakrifikohen për të mirën e së tërës. Ai gjithashtu i shpërblen me kthime vezulluese: duke i lulëzuar me publicitet dhe para, duke i shndërruar në “yje” edhe pse nuk kanë asnjë vlerë. (Publiciteti përdoret si sinonim i lavdisë, gjë që nuk është aspak e vërtetë, pasi është një gjë, të jesh i njohur, për një aftësi që mbart/ke dhe tjetër të jesh i njohur për të shitur virtualitet.)

Nëpërmjet glorifikimit të shitjes dhe mbylljes vullnetare, transmetimet hyjnizojnë paranë dhe e projektojnë atë si vlerën e vetme, që qëndron mbi njerëzit, si zot dhe çmim i gjithçkaje, si fuqi të cilës njerëzit i nënshtrohen me dëshirë. Megjithatë, kur një vlerë vendoset mbi njerëzit, atëherë objektivisht njerëzit degradojnë. Këto dy aspekte të ndërlidhura, hyjnizimi i parasë dhe banalizimi i njeriut, duartrokiten dhe promovohen qartë nga emisionet, pasi poshtërimi dhe nënshtrimi paguhen me para. Nëse ky nuk është satanizëm, çfarë është?

4.

Disa “lojtarë” jo vetëm që nuk paraqiten si monstra të inferioritetit moral dhe “plehra” të shoqërisë, siç realisht janë, por përkundrazi, na paraqiten si njerëz të ndjeshëm dhe inteligjentë (karakteristika këto që nuk kanë absolutisht asnjë dimension social). “Lojtarët” janë “të butë” vetëm në raport me veten dhe “të shkathët” vetëm në lidhje me konkurrencën e tyre dhe jetesën e monitoruar, si një sipërmarrje që është “e ndjeshme” dhe “inteligjente”, e cila është me të vërtetë shumë fleksibël përsa i përket qëllimeve të saj dhe shumë inteligjente përsa i përket konkurrencës në treg.

Projektimi i këtyre njerëzve “të ndjeshëm dhe inteligjentë” si modele të njerëzve desocializon dhe skualifikon karakteristika morale, shpirtërore individuale dhe kështu demoralizon moralin (pasi, një moral pa dimension social nuk është moral). Në të njëjtën kohë, BB projekton karakteristikat e klasës sunduese, si një model i sjelljes individuale.

5.

Këta njerëz pranojnë dhe jetojnë në një shtëpi pa asnjë informacion. Prandaj, jo vetëm që nuk mund të zhvillojnë veprimtari sociale, por nuk mund të diskutojnë as për çështje aktuale sociale (për terrorizmin, luftën, masakrat nëpër botë, sigurinë etj.). Kjo situatë ka dy efekte anësore: Nga njëra anë, primivi nga të qënurit i angazhuar me çështje sociale dhe politike paraqitet si një situatë normale, si një çështje që nuk cënon jetesën gjoja “normale” të këtyre njerëzve. Nga ana tjetër, BB i fut në kurth “lojtarët” (dhe ndoshta edhe shikuesit e tyre) në një kazan steril të realitetit dhe luksit shoqëror, ku tjetërsimi plotëson detyrimisht vlerat e tij përfundimtare, pasi njerëzit, këto kafshë shoqërore gjenden të izoluar nga mjedisi më i gjerë shoqëror.

Por vlen të theksohet gjithashtu që asnjë “lojtar” nuk rezulton të jetë besimtar, në asnjë moment nuk shikon dikë të lexojë Fjalën e Perëndisë apo të lutet. Dhe normalisht që do të ishte kështu, pasi një besimtar kurrësesi nuk mund të futej në “kafazin” e Satanit me vullnet dhe dëshirë.

6.

Të gjithë “lojtarët” jetojnë së bashku në të njëjtën shtëpi, në të njëjtat kushte, të motivuar nga të njëjtat motive. E megjithatë, ata jetojnë në kushte konkurrence të plotë dhe të përgjithësuar, pasi vetëm njëri mund të jetë fitues. Në ekran shohim disa njerëz që janë në konkurrencë me mjedisin e tyre, duke jetuar në një mjedis që është në konkurrencë me personalitetin e tyre, të cilin “lojtari” e nënshtron dhe e banalizon. (Ju kujtoj se Marksi e përkufizoi lirinë pikërisht në mënyrë të kundërt: si atë situatë ku individi zhvillohet sipas nevojave të shoqërisë, në një shoqëri që zhvillohet sipas nevojave të individit). E megjithatë zgjedhja për të marrë pjesë është “falas” dhe në të vërtetë lojtarët luten të marrin pjesë, duke qenë absolutisht të lirë në varfërimin e tyre. Dashuria e tyre për paratë i vendos fjalët e Shekspirit në fillimtë artikullit në gojën e tyre.

Prandaj, BB e mbush konceptin e “lirisë” me një përmbajtje specifike, antisociale dhe klasore (liria është e gërshetuar me të kundërtat e saj, nënshtrimin dhe poshtërimin), ndërsa në të njëjtën kohë paraqesin një imazh të bashkëjetesës njerëzore, që përbën një mikrokozmos të tregut, pa Perëndi: të gjithë konkurrojnë me të gjithë të tjerët, pa kritere cilësore, me qëllimin e vetëm të fitimit, në një mjedis që konkurron me individualitetin e tyre dhe ku “fituesi” përcaktohet nga faktorë të pamatshëm, “të rastësishëm”.

7.

Në kuadrin e konkurrencës, por që fshihet vazhdimisht, “lojtarët”, si gjitarë superiorë që janë, detyrohen spontanisht të hyjnë në marrëdhënie simpatie ose mospëlqimi, miqësie ose armiqësie, marrëdhënie dashurie. Ndërsa këto marrëdhënie motivohen nga bashkëjetesa e detyrueshme, ato cënohen njëkohësisht nga kushtet e bashkëjetesës: ato janë domosdoshmërisht sipërfaqësore pasi janë “të çarmatosura” nga çdo dimension social, janë pretencioze, pasi ndodhin nën mbikëqyrje të vazhdueshme, janë konvencionale, pasi janë të dëmtuara nga konkurrenca, janë domosdoshmërisht të përkohshme, pasi do të ndryshojnë sapo të ndryshojnë kushtet e jetesës.

Prandaj: së pari, “lojtarët” detyrohen nga kushtet e “lojës” të nxjerrin në pah veten e tyre më të keqe, përsa i përket marrëdhënieve që krijojnë; së dyti, marrëdhëniet e shfaqura në shoqëri janë pa karakteristika njerëzore. Në realitet ato janë të ngjashme me marrëdhëniet që njerëzit diabolikë krijojnë me njëri-tjetrin si individë, janë si marrëdhëniet që krijohen mesh njësish ekonomike.

8.

Personat që marrin pjesë në “lojë” nuk janë një kampion i rastësishëm i popullatës dhe as një kampion i rastësishëm i atyre që aplikojnë për të marrë pjesë. Ata përzgjidhen sipas disa kritereve, që kanë të bëjnë si me pamjen e tyre (duhet të japin një “imazh të këndshëm televiziv”), ashtu edhe me personalitetin e tyre. Kjo tregohet qartë përmes shprehjeve stereotipe gjuhësore që përdorin në intervistat e tyre: ata janë të gatshëm “të japin gjithçka”, “të bëjnë gjithçka”, etj.

“Lojërat” zgjedhin sigurisht më të vendosurit, ata që i kanë asimiluar plotësisht rregullat e “lojës”. Në të njëjtën kohë, tjetërsimi i tyre paraqitet si një metodë e mirë dhe efikase e promovimit shoqëror. Është sigurisht një mbrojtje indirekte, por agresive e shoqërive të pafe, në nivel ideologjie dhe në kontekstin e argëtimit.

9.

“Lojtarët” zgjidhen në mënyrë që forma e tyre t’i përgjigjet një lloji të caktuar shoqëror. Dhe në të vërtetë, ata duhet të duken sikur janë mishërimi i atij tipit, “arketipit” të gjallë, tipi i studentit, i sportdashësit, i profesionistit të ndërgjegjshëm etj. Sigurisht që duhet të jenë relativisht edhe të bukur në dukje, në mënyrë që imazhi i tyre të mos zbulojë menjëherë varfërinë e karakteristikave të tyre morale.

Me trukun e “tipit social përfaqësues”, prodhuesit e “lojërave” përpiqen të paraqesin idenë se “lojtarët” janë një kampion / njësi matëse shoqërore, e këndshme dhe përfaqësuese dhe për këtë arsye, shitja e tyre vullnetare është një gjë e këndëshme dhe e pranueshme nga shoqëria, të cilën duhet ta pranojmë. Ata që nuk e pranojnë BB duhet të ndihen konservatorë, “të çuditshëm” dhe gjithsesi, të huaj ndaj moralit shoqëror mbizotërues. (Ti dhe unë dmth, ne të tjerët, që nuk i përkasim dreqit.)

Ky truk zmadhohet në disa mënyra. P.sh. audiencës televizive i jepet gjoja mundësia të zgjedhë “lojtarët” me telefonata. Gjepura. Sigurisht, zgjedhja e audiencës mund t’i shkojë vetëm një prej tresheve të propozuara dhe të përzgjedhura rreptësisht, por asgjë më tepër.

Marifeti i “tipit social përfaqësues” gjithashtu, përpiqet të fusë shikuesit në dilemën nëse grupi i “lojtarëve” të zgjedhur nga BB1 apo BB2 është më i mirë. Kjo do të thotë që, i shtyn shikuesit të anashkalojnë karakteristikat e përbashkëta morale të grupeve dhe të zgjedhin bazuar në pamjen e jashtme. Gjithçka është aparencë, shpirti i njeriut është flakur tej, njeriun po e zbrazin nga vlerat shpirtërore, ku zë vend Perëndia dhe e mira.

10.

Forma e “lojërave”, d.m.th mënyra sesi ata kapen në kamera dhe forma e imazhit kontribuojnë në mënyrë vendimtare në formimin e tyre të përgjithshëm. Për shkak se në këto transmetime nuk shfaqen imazhe të përzgjedhura nga jeta e lojtarëve, por tregohen të gjitha momentet vazhdimisht dhe pa ndërprerje, asgjë nuk hiqet, asgjë nuk hesht. Prandaj, forma e lojës karakterizohet nga një obsesion rraskapitës ndaj detajeve, nga një natyralizëm absolut, i vogël, që tregon gjithçka nga afër, me saktësinë e një mikroskopi. Por ky mikroskop është larg nga zmadhimi i së vërtetës. Në fakt, opsesioni me detajet bie ndesh drejtpërdrejt me të përgjithshmen, e fsheh dhe e mohon atë. E vërteta fshihet pas një deti informacioni të detajuar.

Kjo formë, përveçse fsheh realitetin pas zhurmës informative, intensifikon edhe iluzionin se shfaqja është pasqyrë besnike e jetës shoqërore, pjesë e realitetit “normal”.

Në të njëjtën kohë, shfaqet një spektakël që nuk kërkon nga shikuesi as një nanogram mendimi dhe imagjinate. Gjithçka është para shikuesit e kuptueshme dhe e detajuar maksimalisht, në mënyrë që ta konsumojë pa asnjë përpjekje dhe mundim logjik. Është një spektakël që ngjall kënaqësinë pasive dhe po krijon një brez të ri të konsumatorëve të spektaklit, të përshtatur me asgjënë absolute, të detajeve absolute.

Kush tërhiqet nga skandalozja dhe e pahijshmja (në masën që nuk dallon dot të rëndësishmen nga e parëndësishmja), kush përjeton “pseudorealitetin” e servirur, si të ishte vetë jeta?

Përgjigjen e keni gjithësecili!

Bisha e Botës VIP, opium për popullin e zbrazur, futur në kafaz!

Previous Story

2 Panukllat me Imunitet & "2222" Anëtarët e Organizatës Politike Kriminale

Next Story

Rekord Tërmetesh në 10 Ditët e Fundit - Lista e Plotë e Tërmeteve (mbi 5 Ballë)

Latest from Info