Politico Zbulon: SHBA Dërgoi Fshehurazi Raketa ATACMS me Rreze të Gjatë Veprimi në Ukrainë

/

Dhënia e versionit me rreze të gjatë të sistemit të armëve i jep fund një mosmarrëveshjeje të gjatë midis Uashingtonit dhe Kievit.

Administrata Biden dërgoi fshehurazi raketa balistike me rreze të gjatë veprimi (ATACMS) në Ukrainë, një armë që i jep Kievit aftësinë për të goditur thellë pas linjave ruse.

Politico, e cila bën zbulimin bazuar në zyrtarë amerikanë, raporton se Kievi e ka përdorur armën dy herë për të goditur objektivat ruse. E para ishte kundër një baze ushtarake ruse në Krime dhe më pas kundër forcave ruse në lindje të Berdjansk, pranë Detit Azov.

Në raport thuhet se SHBA-ja ka miratuar në heshtje transferimin e një numri raketash ATACMS që kanë një rreze veprimi më të madhe se 300 kilometra.

Qeveria amerikane do të përfshijë ATACMS shtesë në një paketë të re ndihme ushtarake prej 1 miliard dollarësh të miratuar nga Presidenti Joe Biden të mërkurën.

Dhënia e versionit me rreze të gjatë ATACMS përfundon, siç komenton Politico, një mosmarrëveshje të gjatë midis Uashingtonit dhe Kievit. Ukraina e ka kërkuar me këmbëngulje armën, por SHBA-ja ka hezituar të japë versionin me rreze më të gjatë.

Tetorin e kaluar, SHBA-ja kishte vendosur në heshtje versionin me rreze të mesme, por Ukraina vazhdoi të ushtronte presion për versionin që do ta lejonte atë të godiste më tej, pas linjave ruse.

Pavarësisht presionit nga brenda, SHBA-së dhe ndërkombëtarisht, Shtëpia e Bardhë ka hezituar t’i japë Ukrainës versionin me rreze të gjatë për shkak të rezervave (të ulëta) dhe frikës se lufta do të përshkallëzohej. Ajo që ndryshoi mendjen e SHBA-së ishte agresioni rus dhe rritja e prodhimit të armëve nga industria e luftës amerikane.

Me ATACMS, SHBA beson se Ukraina do të ketë një dinamizëm të ri në luftë dhe se do të jetë në gjendje të godasë objektivat ruse me preçizion të lartë nga të gjithë vijat e frontit, duke përfshirë Krimenë e pushtuar.

Ndërkohë, SHBA-ja njoftoi të mërkurën një paketë të re armësh prej 1 miliard dollarësh, që do të dërgohet me nxitim në Ukrainë, tani që Biden ka nënshkruar ligjin e vonuar prej kohësh të ndihmës së huaj. Projektligji kaloi në Senat këtë javë.

Ndër armët e tjera, grupi do të përfshijë raketa anti-ajrore Stinger për mbrojtjen ajrore, predha artilerie 155mm, automjete të blinduara luftarake Bradley, sisteme antitank Javelin dhe mina kundër personelit Claymore, sipas një njoftimi të Pentagonit.

Previous Story

A po Vjen Konflikti Fetar në Europë? - Kurani mbi Kushtetutat Kombëtare për Myslimanët

Next Story

Maqedonia e Veriut: Fitore e Qartë për Kandidatin e Opozitës VMRO-DPMNE në Raundin e Parë të Zgjedhjeve

Latest from Info