Kur një person ose një grup njerëzish kanë shpirt luftarak, kjo ndihmon shumë, sepse kur dikush përparon shpirtërisht, nuk përfiton vetëm personi për veten, por ndihmon edhe tjetrin që e sheh, që është pranë tij.
Dhe ai që është i përkushtuar në Frymë, prek edhe të tjerët. Kur njëri dorëzohet në Frymë, edhe tjetri që e ka pranë përfiton, pa e kuptuar.
Në jetën shpirtërore nuk duhet të merret modeli i botës, por i shenjtorëve, etërve të kishës, murgjëve, asketëve etj..
Është mirë që ai që lutet dhe kërkon të marrë Frymën dhe mes saj virtyt, duhet të gjejë enorinë, grupin e besimtarëve me të cilët duhet të jetojë në lutje dhe mes Fjalës së Perëndisë. Gjithashtu, kur është vetëm, duhet të lexojë dhe studiojë, si dhe do të duhet të meditojë mbi Fjalën e Perëndisë dhe mbi Shkrimet e Shenjta, por edhe mbi fjalët e të zgjedhurve të Zotit, që mes jetës së tyre treguan devotshmërinë dhe përkushtimin ndaj Tij.
Kush ka filluar vrapimin në Krisht dhe besim, nuk duhet të kthejë kokën prapa, për të parë ku është i fundit, sepse mund të jetë edhe ai vetë i fundit, por nesër mund të jetë mes besimit dhe lutjes, përulësisë dhe devotshmërisë, i pari.