Financial Times: “Rusia Kreu Operacione Sabotuese në Disa Vende Europiane”

/

“Veprimet e dhunshme do të shtohen në të ardhmen e afërt.”

Agjencitë europiane të inteligjencës po u thonë qeverive të tyre se Rusia ka kryer akte të dhunshme sabotazhi në të gjithë Europën dhe po planifikon më shumë, sipas Financial Times, duke ia atribuar një sërë incidentesh, inteligjencës ruse.

“Rusia tashmë ka filluar dhe po tenton në mënyrë më aktive bombardimet dhe sulmet dhe shkatërrimin e infrastrukturës në tokën europiane, pa shumë shqetësime për viktima të mundshme civile”, siç besojnë zyrtarët e inteligjencës.

Operativët e Kremlinit kanë një histori të gjatë të operacioneve të tilla dhe kanë nisur sulme sporadike në Europë vitet e fundit, por për momentin janë shtuar provat se operacionet do të jetë më agresivë dhe efektivë.

“Ne vlerësojmë se rreziku i akteve të sabotimit është rritur ndjeshëm”, tha Thomas Haldenwang, kreu i shërbimit të brendshëm të inteligjencës gjermane.

Rusia tani duket e rehatuar teksa kryen operacione në tokën europiane “me një probabilitet të lartë dëmtimi”, tha ai në një konferencë sigurie të organizuar nga agjencia e tij, Agjencia Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, muajin e kaluar.

Haldenwang foli disa ditë, pasi dy shtetas gjermano-rusë u arrestuan në Bayreuth, Bavari, për planifikimin sulmesh në vende ushtarake dhe depo në Gjermani, në emër të Rusisë.

Në fund të prillit, dy burra u akuzuan në Mbretërinë e Bashkuar se i vunë zjarrin një magazine që përmbante pajisje ushtarake për Ukrainën.

Prokurorët britanikë i akuzojnë ata se punojnë për qeverinë ruse.

Në Suedi, shërbimet e sigurisë po hetojnë një sërë daljesh nga binarët të trenit, që ata dyshojnë se mund të jenë akte sabotimi nga Rusia.

Rusia u përpoq të shkatërronte sistemet e sinjalizimit të hekurudhave çeke, tha ministri i transportit i vendit për FT muajin e kaluar.

Në Estoni, makina e ministrit të brendshëm u sulmua në shkurt, së bashku me sulmet ndaj gazetarëve të kryera nga agjentët e inteligjencës ruse, tha Shërbimi i Sigurisë së Brendshme të vendit.

Ministria franceze e Mbrojtjes paralajmëroi gjithashtu këtë vit për sulme të mundshme sabotuese ruse në instalimet ushtarake.

“Përfundimi është i qartë se ka pasur një intensifikim të vërtetë të aktivitetit rus” tha Keir Giles, një këshilltar i lartë në institutin Chatham House.

Një zyrtar i lartë i qeverisë europiane tha se shërbimet e sigurisë së NATO-s po ndanin informacione për “veprime të qarta dhe bindëse keqdashëse ruse” që ishin të koordinuara dhe në një shkallë të gjerë në Europë.

Ishte koha për “të rritur ndërgjegjësimin dhe fokusimin” mbi kërcënimin e dhunës ruse në tokën europiane, shtoi ai.

NATO lëshoi ​​një deklaratë të enjten duke shprehur shqetësim të thellë për “aktivitetet malinje në rritje të Rusisë në territorin aleat”, duke përmendur atë që tha se ishte një “fushatë përshkallëzuese … në eurozonë dhe Atlantik”.

Të premten, Gjermania premtoi se do të kishte pasoja për Moskën lidhur me një sulm kibernetik në vitin 2023 ndaj partisë Social Demokrate të kancelarit Olaf Scholz.

Një zyrtar i inteligjencës tha se përpjekjet e Moskës për sabotim nuk duhen nënvlerësuar, duke thënë se aktiviteti i shtuar pasqyron qëllimin e Rusisë për të ushtruar presion maksimal “mbi të gjitha shtetet”.

Pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë, më shumë se 600 oficerë të inteligjencës ruse që vepronin në Europë nën mbulimin diplomatik u dëbuan, duke lënë boshllëqe në rrjetin e spiunazhit të Kremlinit në të gjithë kontinentin.

Ndërsa operacionet e Rusisë janë intensifikuar, shërbimet e sigurisë kanë qenë në gatishmëri për kërcënime dhe janë përpjekur të identifikojnë objektivat që mund të kenë humbur.

Janë ngritur pyetje mbi shpërthimin e pashpjeguar deri më tani në një fabrikë municionesh BAE Systems në Uells që furnizon predha të përdorura nga Ukraina.

Në tetor 2014, u shkatërrua një depo armësh çeke ku ruheshin armët për Kievin.

Më vonë doli se agjentët e inteligjencës ushtarake ruse kishin vendosur eksplozivë në atë vend.

Një zjarr i madh shpërtheu të premten në një fabrikë në Berlin që i përket kompanisë Diehl, e cila gjithashtu furnizon Ukrainën.

“Si gjithmonë me Rusinë, është e mençur që të mos kërkojmë një shpjegim të vetëm përse atë që bën. Gjithmonë ka një kombinim të gjërave”, tha Giles.

“Këto sulme që kemi parë deri më tani janë, natyrisht, për të krijuar përçarje, por ato mund të përdoren edhe për dezinformim. Dhe pastaj lind pyetja se çfarë po kërkon dhe mëson Rusia nga këto sulme të saj, nëse vërtet dëshiron të mobilizojë Europën… A mos janë këto ushtrime stërvitore?”

Previous Story

Zbulimi i Madh në Jerusalem që Konfirmon Rrëfimet Kryesore të Dhiatës së Vjetër!

Next Story

Trump: "Administrata e Bidenit Është Një Gestapo & Instrumentalizon Drejtësinë!"

Latest from Info

Apokalipsi i Joanit

Dragoj, krijesa të çuditshme, beteja epike dhe një histori e thellë dashurie, e shënuar nga keqdashja