Dragoj, krijesa të çuditshme, beteja epike dhe një histori e thellë dashurie, e shënuar nga keqdashja e madhe. Kjo mund të jetë përmbledhja e një filmi. Por përkundrazi, është një skicë e kapitujve të fundit të një “best seller-i” ndërkombëtar të të gjitha kohërave.
Gjatë dy mijë viteve të fundit, miliona njerëz kanë pasur mundësinë të lexojnë librin e Apokalipsit. Shumë kanë pyetur veten nëse Apokalipsi do t’u tregojë atyre paraprakisht ngjarjet e së ardhmes. Disa kisha e përdorin atë për të mbështetur rëndësinë që u japin ngjarjeve aktuale që ndodhin në botë. Shumë mësues të krishterë me ndikim, madje edhe besimi i Krishterë, e konsiderojnë Apokalipsin si një libër “të ndaluar”, një libër, mesazhi i të cilit është aq enigmatik sa nuk ka rëndësi, madje shkon aq larg sa e konsiderojnë atë si një libër të rrezikshëm për Kishën. Pra, nuk është për t’u habitur që shumica e lexuesve po pyesin “çfarë do të thotë e gjithë kjo?”.
Është e natyrshme që në kohët ku jetojmë, të ndodhin dhe të thuhen edhe të tilla, që brenda Kishës së Shenjtë të Krishterë të ketë edhe heretikë, edhe blasfemistë, njerëz në shërbim të Satanit.
“Apokalipsi i Jezu Krishtit, që Perëndia i dha atij, për t’u treguar shërbëtorëve të tij, gjërat që duhen bërë së shpejti dhe ai i zbuloi ato, duke ia dërguar me engjëllin e tij shërbëtorit të tij Joanit.” (Apokalipsi 1:1)
Vargu i parë i Apokalipsit na tregon se qëllimi kryesor i librit është “Zbulesa e Jezu Krishtit”. Krishti është personi qendror dhe çdo informacion tjetër që mund të marrim për të kaluarën ose të ardhmen, do të ketë kuptim të vërtetë, vetëm kur përpiqemi të kuptojmë më thellë se kush është Krishti.
Bota është plot me keqkuptime dhe gënjeshtra të hapura për Krishtin. Fakti që qindra besime dhe fe të ndryshme pretendojnë se Krishti është figura qendrore në besimin e tyre, dëshmon se bota ka nevojë për një zbulesë më të thellë të Tij. Miliona njerëz pyesin: “Ku ishte Krishti kur kisha nevojë për Të?”, “Pse lejoi që të më ndodhnin ngjarje që më shkatërruan jetën?”, “Pse nuk më ndihmon me problemet e mia, edhe pse unë ndjek atë që urdhërat e kishës?”. Libri i Zbulesës u përgjigjet të gjitha këtyre pyetjeve duke hedhur dritë mbi konfliktin kozmik midis së mirës dhe së keqes, që prek çdo qenie njerëzore, që jeton sot, ose ka jetuar nëpër shekuj.
Megjithëse libri i Apokalipsit u shkrua nga Joani[1], ai zbulon frymëzimin e tij hyjnor ndoshta më shumë se çdo libër tjetër i Biblës. Ka pak komente apo dialogë të vetë Joanit, madje edhe mesazhet e tij drejtuar “shtatë kishave që janë në Azinë e Vogël” (Apokalipsi 1:4) janë fjalë direkt nga Krishti. Joani përshkruan në thelb vizionet që pa, së bashku me komentet e dhëna nga Krishti ose “engjëlli i Tij”, ashtu siç u udhëzua: “Shkruani gjërat që patë, gjërat që janë dhe gjërat që do të jenë pas tyre” (Apokalipsi 1:19).
Që në fillim të librit, Krishti zbulohet nëpërmjet marrëdhënies së Tij me njerëzimin. “Zbulesa e Jezu Krishtit, që Perëndia ia dha për t’u treguar shërbëtorëve të tij…” (Apokalipsi 1:1). Perëndia Atë, Burimi i të gjithëve, i jep Krishtit një mesazh, i cili nga ana e tij ua përcjell atë shërbëtorëve të Tij. Krishti është nyja lidhëse midis qiellit dhe tokës. Jakobi “pa një ëndërr dhe ja, një shkallë që qëndronte në tokë, maja e së cilës arrinte deri në qiell, dhe ja, engjëjt e Perëndisë po ngjiteshin dhe zbrisnin mbi të” (Zanafilla 28:12). Pothuajse dy mijë vjet më vonë, Krishti u shpjegoi dishepujve të Tij se, Ai është shkalla që lidh qiellin me tokën: “Ju do të shihni qiellin të hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut” (Joani 1:52).
Në librin e Apokalipsit, Krishti zbulohet përmes fjalës profetike. Krishti u tregon “shërbëtorëve të tij ato gjëra që duhet të bëhen së shpejti”. Apokalipsi, më shumë se çdo libër tjetër i Biblës, zbulon ngjarje që do të ndodhin në të ardhmen. “E ardhmja” në lidhje me kohën e shkrimit të librit të Apokalipsit përfshin padyshim edhe ngjarje që tani për ne janë “të kaluara”, por edhe këto janë një pjesë e rëndësishme e librit. Ai fokusohet kryesisht në një periudhë të caktuar kohore, në të ardhmen e referuar si “koha e fundit” (eskate).
Kohët e fundit janë në thelb një periudhë përgatitjeje për një periudhë tjetër të shkurtër, por shumë intensive, të quajtur “koha e mundimit” (Danieli 12:1) ose siç përmendet në Ungjillin e Mateut 24:21 “shtrëngimi i madh”. Krishti në këtë varg tha: “Sepse atëherë do të ketë shtrëngim të madh, siç nuk ka ndodhur që nga fillimi i botës e deri më tani dhe nuk do të ndodhë më”. Përmbushja e disa profecive të Biblës (të përmendura në këtë libër) tregon se kjo periudhë e tmerrshme kohore do të vijë mbi njerëzit që nuk dyshojnë dhe mundimi i atyre që nuk do të përgatiten do të jetë i paimagjinueshëm. Një qëllim i rëndësishëm i Apokalipsit është që të ndihmojë popullin e Perëndisë të kuptojë dhe të përballojë sprovat e “kohëve të fundit” dhe veçanërisht “kohës së shtrëngimit të madh”.
Profeti Daniel, i cili kishte vizione të ngjashme me ato të Joanit, u udhëzua që “të mbyllte me siguri këto fjalë dhe të vuloste librin deri në kohën e fundit” (Danieli 12:4). Në të kundërt, Apokalipsi është një libër që duhet lexuar dhe kuptuar – “Lum ai që lexon dhe lum ata që dëgjojnë fjalët e profecisë dhe i ruajnë gjërat e shkruara në të” (Apokalipsi 1:3).
Një nga qëllimet e Apokalipsit është të zbulojë rëndësinë e profecive të Danielit, të cilat do të vulosen deri në kohën e fundit. Përveç kësaj, Apokalipsi shton elementë të rinj në profecitë e Dhiatës së Vjetër. Engjëlli që i tregoi vizionet Joanit në mënyrë specifike tha: “Mos i vulos fjalët e profecisë së këtij libri, sepse koha është afër” (Apokalipsi 22:10). Pretendimet e disa studiuesve se libri i Apokalipsit është i ndërlikuar dhe i vështirë për t’u kuptuar, bie ndesh me qëllimin e tij që është “t’u tregojë shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin së shpejti” (Apokalipsi 1:6).
Megjithatë, Apokalipsi nuk është një libër i thjeshtë. Ai është i vetmi libër i Biblës për të cilin nuk ka konsensus të përgjithshëm lidhur me temën, strukturën, seksionet kryesore dhe interpretimin e simbolizmit kyç. Është një libër që kërkon studim të thellë me udhëheqjen e Frymës së Shenjtë si parakusht. Sigurisht që vlen shumë më tepër sesa një vështrim i shpejtë dhe i përciptë, vetëm për të zbuluar se cila është shenja e bishës, apo për të gjetur ndonjë referencë për diçka që kemi lexuar së fundmi në gazeta. Studimi i librit të Apokalipsit kërkon lexim të kujdesshëm dhe të vëmendshëm, kërkim të pasazheve dhe krahasimin e pjesëve në mënyrë që të zbulohet ari i fshehur brenda tij, gjë që padyshim ia vlen! “Lum (i lumtur, i bekuar) ai që lexon… fjalët e profecisë, dhe ruan atë që është shkruar në të”.[2]
***
[1] Shumica e komentuesve besojnë se autori i librit të Apokalipsit është Joani, apostulli i dashur i Krishtit, i cili shkroi Ungjillin sipas Gjonit dhe tre letra të tjera.
[2] Vini re se bekimi nuk është për ata që kanë thjesht një Bibël në raftin e bibliotekës së tyre, apo për ata që kanë lexuar Apokalipsin në një moment, në të kaluarën. Vargu thekson se “lum ai që lexon…këtë profeci”, duke treguar një lexim të rregullt e të vazhdueshëm. Kjo fjalë përdoret në Dhiatën e Vjetër për të përshkruar ata që lexuan ose dëgjuan dhe më pas iu përgjigjën mesazhit (Ezdra 4:23, 2 Kronikave 34:14-21, Nehemia 8:1-3, 5:8,12). Ky mendim gjendet edhe tek Apokalipsi, “…ai që lexon dhe ata që dëgjojnë… dhe i ruajnë gjërat e shkruara” (Apokalipsi 1:3).