Si e organizojmë shtëpinë në rast lufte?
Në çdo fatkeqësi, përgjithësisht kemi tre fusha mbrojtjeje. Sidomos në rastin e luftës, peizazhi zbërthehet si më poshtë:
Zona A: Shtëpia juaj në qytet;
Zona B: Shtëpia juaj në një mjedis gjysmë urban (p.sh. një provincë) dhe
Zona C: Shtëpia juaj në fshat.
Nuk po flasim për ata që mund të mbijetojnë si ujqërit e vetmuar dhe që kur fillon tronditja e madhe, mund të strehohen në male. Ky informacion është për qytetarë dhe familjet e tyre.
Secili rast / secila zonë është krejt i ndryshëm nga tjetri dhe pothuajse të gjithë mund të dallojmë cila Zonë është më e vështira dhe më e cënueshmja. Kujtoni se pothuajse të gjithë gjyshërit që jetonin në kohën e luftës në fshatra të thella, nuk u mungonte pothuajse asgjë gjatë pushtimit (Luftës së Dytë Botërore), ndërsa vdekjet në qytete, veçanërisht në qytetet e mëdha të Europës, regjistronin me dhjetëra mijëra.
Sipas prioritetit, për çdo situatë mbijetese, kemi parasysh prioritetet e mëposhtme:
Streha
Nëse jeni pranë një fatkeqësie natyrore (ose moti ekstrem, ose lufte / bombardimesh etj.) atëherë pa strehë vdisni.
Armët dhe municionet
Pa to, mund të humbisni gjithçka tjetër, ndoshta edhe jetën tuaj dhe të familjarëve (kjo në rast të luftës së armatosur dhe bazuar në legjislacionin e shtetit, lidhur me armatosjen e banorëve).
Uji
Pa ujë mund të qëndrojmë / durojmë vetëm disa dhjetëra orë, në varësi të situatës.
Ushqimi
Pa ushqim mund të qëndrojmë / durojmë disa ditë.
Ilaçet & Higjiena
Në rast aksidenti, sëmundjeje ose lëndimi që nuk pastrohet dhe nuk mjekohet / kurohet, mund të vdisni.
Komunikimi
I fundit në listë, por i domosdoshëm për të mbijetuar.
Megjithatë, këto mund të përdoren si një udhëzues për ngritjen e qilarit-magazinë të mbijetesës.
Pra, le të kemi prioritetet e mësipërme si ndihmëse për mënyrën sesi e organizojmë shtëpinë në rast lufte dhe lista për çdo prioritet, pason.
Zona A: Shtëpia juaj ndodhet në qytet
Nëse jetoni në qytet, keni shumë punë përpara. Jeni në zonën më të vështirë. Në fillim skenari i mbijetesës në një situatë të keqe duket i pamundur. Unë do t’ju sugjeroja që të vendosni në kokë skenarin e largimit nga qyteti.
Strehimi
Konfiguroni vendbanimin tuaj, qoftë apartament, apo shtëpi, fillimisht për të mos provokuar. Duhet të bëni më të sigurta dyert dhe dritaret. Duhet të siguroni ngrohjen, në rast dimri. Ngrohja alternative me dru është më e përshtatëshmja në rast dimri, pasi mendohet që nuk do të ketë energji elektrike dhe lëndët djegëse naftë, apo gaz natyror, edhe nëse keni çisternë, duhet të zbrazen, për shkak shpërthimi. Nëse nuk keni sobë druri, mbetet që të shpenzoni orët më të ftohta të ditë-natës në strehimoret që krijon Ministria e Mbrojtjes dhe shteti, në ndihmë dhe siguri të banorëve (bëhet fjalë për vende ku ka shtet).
Kuverta dhe çarçafë pambuku, plasmasë në dimensione të mëdha dhe mushama.
Armët dhe municionet
Një armë gjahu nuk do të ishte kurrë e tepërt, në rrethana që një luftë ndodhet në pragun e shtëpisë tënde.
Nëse nuk e ke idenë e përdorimit, bashkohu me klubin më të afërt të qitjes dhe fillo merr mësime. Përveç ngritjes morale dhe vetëbesimit, do të jesh një siguri më tepër për familjarët.
Ligji në luftë është një: vrit ose vritu!
Kultivoni këtë fakt në mendjen tuaj, në mënyrë që me kalimin e kohës të përvetësoni përtej qetësisë dhe vetëkontrollit, edhe aftësinë për të peshuar çdo situatë.
Uji
Këtu nisin vështirësitë për qytetin, gjithmonë në fatkeqësi, llogaritjet do t’i bëni me skenarin “pa rrymë elektrike”, për rrjedhojë edhe pa ujë.
Do t’ju duhet fillimisht të keni ujë rezervë, të magazinuar, më pas do të gjeni mënyra për të mbledhur ujë, për ta ruajtur, por duhet të keni në magazinën e banesës tableta për pastrimin e ujit, padyshim dhe një rezervuar dhe jo vetëm disa dhjetra shishe.
Një familje me 4 persona, duhet të ketë të paktën për javën e parë të luftës, apo të gjendjes së emergjencës, 60 litra ujë.
Ushqimi
Do t’ju duhet një depo e vogël, ose një dhomë e mbyllur, që nuk e godet dielli. Ushqimet bazë janë si vijon:
Miell
Oriz
Kripë (të trashë dhe të hollë)
Sheqer
Vaj
Fasule
Groshë
Konserva (peshku, mishi, perimesh, turshi etj.)
Grurë
Misër
Qiqra
Sodë Buke
Mish të thatë / pastërma
Oshafe
Bimë medicinale / çajra
Piper të zi dhe të kuq
Uthull
Alkool / Raki
Kafe
Qumësht pluhur / Qumësht konservë
dhe gjithçka tjetër e shikoni të arsyeshme.
Ilaçet & Higjiena
Për medikamentet, fillimisht mblidhni sa më shumë që të keni nevojë, sidomos për anëtarët e familjes që kanë sëmundje kronike dhe më pas të gjitha ilaçet e nevojshme:
Antipiretikë
Qetësues kundër dhimbjeve
Amoniak
Alkool
Antibiotikë
Injeksion adrenalinë
Aspirina
Pambuk
Fasha
Jod / betadin
Ankerplast
dhe gjithçka tjetër mendoni të nevojshme. Asnjëherë, në rast emergjence nuk tepron asgjë.
Problemi më i madh është higjiena.
Ku dhe si do të laheni dhe veçanërisht ku do të shkoni në tualet (për sa kohë që nuk do të ketë ujë). Për këtë do ju vijnë në ndihmë qeset njëpërdorishme, sidomos për fëmijët, por edhe lopata për të rriturit, që mund të kryejnë nevojat e tyre në hapësirë publike, të cilat do të duhet të mund të mbulohen me dhe.
Pako me letra të lagura dhe peshqirë të vegjël, do të jenë të nevojshëm, për t’i patur në magazinën e vogël të banesës tuaj.
Por edhe një sërë detergjentës që i gjeni pranë super marketit tuaj më të afërt.
Komunikimet
Duket sikur është prioriteti kryesor, por telefonat celularë dhe interneti nuk do të jenë aleati juaj më i besueshëm.
Duhet të keni një radio dore dhe një ide e mirë është të blini disa PMR me valë dhe të paktën të mësoni bazat (do të jeni në gjendje të merrni mesazhe nga përgatitës të tjerë dhe madje të dërgoni SOS). Filloni nga një radio-stacion i besueshëm që të paktën të informoheni për zhvillimet, për të mos qenë në terr informativ, për atë se çfarë po ndodh.
Mbani gjithashtu bateri normale (AAA dhe AA) dhe bateri të karrikueshme, për radiot apo ndonjë aparat tjetër komunikimi që mund të keni.
Mjete të tjera të nevojshme:
Mulli për të bluar
Havan
Bombul gazi dhe rezerva
Elektrik Dore
Sparmaceta / qirinj
Çakmakë / shkrepse
Llampë alkooli dhe Llampë vaji
Dritë me panel fotovoltaik
Karrikues fotovoltaik
Mastiç / ngjitës kollë
Çekan / sëpatë të vogël / kazmë të vogël / lopatë të vogël
Fidhekzjarrë (patjetër)
dhe gjithçka tjetër që e mendoni të nevojshme për ta patur.
Zona B: Shtëpia juaj në një mjedis gjysmë urban (p.sh. provincë)
Prioritetet janë saktësisht të njëjta, por gjërat fillojnë të bëhen më të lehta për ju, pasi keni më shumë hapësira për të lëvizur, për të mbajtur gjë të gjallë dhe për të kultivuar diçka në kopshtin tuaj.
Jeni më pranë fshatit, malit, më pranë një lumi, apo një përroi, që jua lehtëson të përditshmen, lidhur me ujin dhe nevojat personale, por edhe me ushqimin.
Zona C: Shtëpia juaj është në fshat
Dje isha në një fshat, tek një mik, një fshat në 550 metra lartësi. Sinqerisht e admiroj vendbanimin e tij. Ka pak pula, një kopsht perimesh, ka koshere bletësh dhe prodhon çfarë të dojë. Kishte marrë edhe një dhi dhe do i bënte dy. Ai nuk është fermer, nuk është blegtor, ai është intelektual. Zbret për të punuar në qytet dhe kthehet sërish pasdite në fshat ku jeton me familjen e tij.
Kush do ta ngacmojë atë atje dhe çfarë saktësisht do t’i mungojë atij dhe familjes së tij në kohë emergjence? Shumë pak gjëra, krahasuar me dikë që punon në qytet.
E vetmja gjë që do t’i duhet të planifikojë nga prioritetet që përmendëm, është organizimi i një grupi avokues në zonën e tij. Sepse nëse jeni vetëm, atëherë një bastisje nga një grup hajdutësh, t’i merr të gjitha. Por nëse ka 5 ose 10 meshkuj të maturuar të fshatit, që janë grup i organizuar, në komunikim të hapur dhe të vazhdueshëm për të mbrojtur fshatin, vigjilentë dhe në alert për çdo eventualitet, për ta dhe familjet e tyre, nuk ka më asnjë rrezik.
Në kohë lufte dhe emergjence, vendbanimi dhe vendstrehimi më i mirë është fshati.
Por, mbi të gjitha, besimi në Perëndi dhe lutjet për familjen dhe të gjithë të tjerët, janë shpëtim për besimtarët.
Kohë të vështira vijnë, është mirë që të jemi të gjithë të përgatitur, sidomos fëmijët dhe të rinjtë. Mos ndodhtë kurrë, por nuk na sjell asnjë të keqe parapërgatitja!