Sabotimi i sistemit të ujit.
Një bazë ajrore gjermane pranë aeroportit të Këlnit u mbyll sot, pasi autoritetet hetojnë një vepër të mundshme penale në lidhje me sistemin e furnizimit me ujë, i cili dyshohet se është sabotuar, njoftuan agjencia gjermane e lajmeve dhe Reuters, duke cituar një burim nga forcat e sigurisë.
Incidenti u raportua fillimisht nga revista e lajmeve Der Spiegel, sipas DPA.
Sipas Spiegel, rrjeti i ujësjellësit të kësaj baze me 4,300 ushtarakë dhe 1,200 civilë mund të jetë kontaminuar pasi dikush ka thyer perimetrin e saj. Revista shton se rasti është duke u hetuar nga policia, policia ushtarake dhe shërbimi inteligjent ushtarak MAD.
Siç raporton Agjencia Gjermane, në një gardh të bazës, e cila kufizohet me aeroportin, u zbulua një vrimë dhe u ngritën dyshime për sabotim të sistemit të ujësjellësit të bazës, edhe pse kjo ende nuk është konfirmuar. Janë marrë mostra uji dhe janë duke u testuar.
Aktualisht askush nuk lejohet të hyjë apo të dalë nga baza dhe policia ka rrethuar zonën përreth, tha DPA.
Baza ushtarake në fjalë është shtëpia e flotës së avionëve ushtarakë të përdorur për udhëtimin e kancelarit dhe ministrave të tij.
Reuters vëren se Ministria e Mbrojtjes në Berlin dhe inteligjenca ushtarake nuk ishin menjëherë të disponueshme për koment. Policia e Këlnit tha se nuk mund të komentonte.