Mos e Dhëntë Zoti të Skuqë në Nëntor, “Komunizmi” Blu!

/

Nëse Kamala do të zbatojë programin e saj për produktet ushqimore Demokratura Amerikane merr formë, socializmi hedh shtat dhe amerikanët do të fillojnë të mendojnë të ushqyerit, “bukën e gojës”!

Kandidatja Kamala ose “Madam 2K” do të shpallë një urdhër, ndalim federal, për rritjen e çmimit të ushqimeve, në mes të inflacionit të lartë, nëse fiton zgjedhjet. E gjitha kjo ndodh pasi kanë prerë para, dollarë domethënë, me gërshërë dhe inflacioni ka shkuar në nivele “erdoganiste”, për këtë në treg vërehet rritje e çmimeve të produkteve ushqimore. Normale që të ndodhë. Kamala premton të ndërhyjë me “veto” për ndalim të rritjes së çmimeve me urdhër federal.

Domethënë Kamala do të kalojë në një sistem të një politike ekonomie tregu të kontrolluar, ndoshta ende jo të centralizuar, por të kontrolluar.

Dikush t’i bëjë me dije se tregu është vetë rregullator dhe nuk ka nevojë për “dorën” e 2K.

Ekspertët e ekonomisë në Amerikë po pësojnë metamorfozë fizike, po shndërrohen në oxhaqe qymyri, u ka marrë koka flakë dhe po u nxjerr koka tym, me këto që dëgjojnë dhe që do të bëhen edhe të zbatueshme nëse fiton Kamala.

Ka garë që të fitojë Kamala? Kjo është çështja e parë për të cilën duhet të sigurohen amerikanët? Apo Kamala dhe Kabala e kanë mbyllur rezultatin?

Me një skenar të tillë, popullsia amerikane do të fillonte të kequshqehej, pasi industria ushqimore e SHBA-ve do të falimentonte, thonë specialistët e fushës. Mirë këta, por ç’thotë Kamala, kjo ka rëndësi dhe peshë! Fjalët që thonë ata janë ajër, ato që thotë Kamala janë masiv shkëmbor ekonomik, që ngulet dhe më s’lëviz.

Që do të thotë, amerikanët jetojnë në një kohë që fjala nuk ka peshë, as mundësi krahasimore me fjalën e 2K. Dhe që nga momenti që fjala hidhet në kosh, pason rreziku që edhe vota të hidhet në kosh.

Kur këto dy armë, nga tre armë që ka amerikani, dalin jashtë funksioni, mbetet krisma, Lufta pra Civile.

***

Është pikërisht për këtë arsye që ish presidenti amerikan Trump, me postimin e tij, e prezantoi Kamala Harris si një lidere komuniste, duke e portretizuar atë përmes një imazhi të redaktuar nga Inteligjenca Artificiale teksa i flet një turme komunistësh, me flamuj që mbajnë drapër-çekanin.

Por a ka komunistë në Amerikë? Padyshim që ka dhe janë shumë! Pse? Sepse e njohin në teori dhe teoria është eros platonik.

Në fakt, fjalimi i Madam 2K duket se po zhvillohet në Çikago, çka do të thotë se Trump po “tregon” kongresin e demokratëve, të cilët tani i konsideron si komunistë.

Por, veç të tjerash, 2K i njoftoi popullit amerikan synimin e saj për të gjobitur kompanitë që “shfrytëzojnë krizat” dhe se do të japë 25,000 dollarë tek çdokush për të blerë shtëpinë e parë.

Si do të mund t’i ndajë 2K-ja kompanitë “shfrytëzuese” të krizave? Kjo është hapësira e një purgatori socialist labirinthet e të cilit i di vetëm Kamala.

Pse duhet t’u japë shteti para njerëzve që të blejnë shtëpi? Kjo është tejet shqetësuese. Pse do të thoni ju? Sepse ai që ta ble, edhe ta merr! Supozojmë dhe sa mirë bëjmë!

Gazeta amerikane Wall Street Journal kritikoi Kamala Harris për cinizëm dhe pikëpamje “thellësisht të gabuara” mbi ekonominë.

Si rezultat i kësaj qasjeje, ekonomia amerikane përballet me një ulje të ofertës së produkteve dhe rafte bosh, vlerëson Wall Street Journal.

“Ka një ndryshim të madh midis çmimeve të drejta në tregjet konkurruese dhe çmimeve të larta dhe të tepërta, që nuk lidhen me koston e të bërit biznes”, thuhet sipas një deklarate nga stafi i Kamala Harris, duke shtuar se “amerikanët mund dhe do ta shohin ndryshimin në faturat e tyre të ushqimeve”.

Duke e parë sa më sipër me syrin e kapitalistit, të duket absurde, duke e parë me filozofinë e Kamala socialistes, është forma e duhur për të qasur idhtarë dhe idiotë, dembelë dhe parazitë, që kotherja e shtetit i ngop.

Është e frikshme, por janë të shumtë njerëzit që, këto idetë e Kamalas, po i përqafojnë, mjafton të lexoni rrjetet dhe reagimet, kryesisht shtresat e varfëra, emigrantët e shkuar rishtaz, komunitete që nuk u integruan dot kurrë me kapitalizmin dhe punën, komunitetet me ngjyrë dhe jo vetëm, por edhe shumë amerikanë që i intrigon socializmi dhe ndryshimi epokal me “The Great Reset”.

***

Ata që besojnë se do të ketë garë dhe zgjedhje thonë se inflacioni i lartë, problemi më i madh i ekonomisë, mund të shkatërrojë Zëvendës-Presidenten Kamala Harris në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, përballë kandidatit republikan Donald Trump dhe fusha e ekonomisë është e vështirë të favorizohet për demokratët, siç pranojnë disa analistë.

Shumë investitorë presin që Kamala Harris të shtyjë vazhdimin e politikave ekonomike të Bidenit që përkeqësuan goditjen inflacioniste. Stafi i Kamala Harris njoftoi se kandidatja do të zbulojë masën pët të, ditën e premte, më 16 gusht 2024, në një tubim fushate në shtetin ‘swing’ të Karolinës së Veriut, si pjesë e një platforme më të gjerë të politikave ekonomike të çmimeve.

***

EJ Antoni i Fondacionit Heritage shpjegoi: “Tregimi i çmimeve të rritura nuk është i vërtetë: kostoja mesatare e paguar nga bizneset është rritur po aq, sa kostoja e ngarkuar nga konsumatorët”.

Në vend të frenimit të shpenzimeve jashtë kontrollit të qeverisë, borxhi i së cilës rritet me 1 trilion dollarë çdo 100 ditë dhe të kuptuarit se inflacioni monetar (dmth oferta monetare) për shkak të krijimit / të prerjes së monedhës nga FED, është shkaku kryesor i inflacionit, Kamala Harris e shpërfill problemin e vërtetë dhe ndjek axhendën e saj (të tyre).

Në vend që të përmbledhë qeverinë, ajo vendosi të ndjekë kompanitë e mëdha për “rritje të paligjshme të çmimeve”. Domethënë në Amerikë do të kenë një qeveri që do të godasë kapitalin dhe kapitalistin.

***

Më pëlqen vetëm në një gjë, tek e gjitha kjo, Demokratët e Amerikës po e fillojnë reformën “The Great Reset” nga vetë Amerika, nga vetja dhe nuk po eksperimentojnë më me vende të tjera. Mesa duket po i fusin plugun tokës së etërve që krijuan dikur superfuqinë.

Tani mbetet të reagojë populli, jo me fjalë, as me votë…, por me…!

Previous Story

Çfarë Thotë 'Alexa Amazon' (Google)? U Godit Trump me Plumb, Po apo Jo?

Next Story

Sonte "Hëna Bli" - Nga e Mori Emrin?

Latest from Info