Versioni i paraqitur në Shtutgart këtë vit i Operas, ka shkaktuar reagime ekstreme në publik dhe zhurmë në shtypin ndërkombëtar, pasi paraqet murgesha të zhveshura që bëjnë patinazh në një tub në qendër të skenës, një mur me trupa të kryqëzuar lakuriq dhe një priftëreshë homoseksuale.
Artëdashësit që nxituan për të parë dy shfaqjet e para të operës blasfemuese “Sancta” në Opera Shtetërore e Shtutgartit, fundjavën e kaluar, përjetuan simptoma të rënda neverie. Shfaqja e diskutueshme, një krijim i koreografes dhe regjisores Florentina Holzinger, që përfshin seks në skenë, piercing dhe sasi të bollshme gjaku fals dhe të vërtetë, duket se ka kapur një pjesë të audiencës krejt të papërgatitur për atë që shikonin.
“Të shtunën kishim tetë persona dhe të dielën 10 persona që kishin nevojë për kujdes nga stafi ynë”, tha zëdhënësi i operës, Sebastian Ebling, sipas gazetës “The Guardian”. Në fakt, në tre raste, simptomat e të përzierave që përjetuan spektatorët ishin aq të forta, saqë duhej thirrur një mjek për të siguruar që nuk do të shfaqeshin probleme më serioze.
Holzinger është e njohur për shfaqjet e saj jokonvencionale që kombinojnë elemente të teatrit të vallëzimit dhe një kaste femrash që performojnë pjesërisht ose plotësisht nudo. Në të kaluarën, koreografja 38-vjeçare ka prezantuar skena tronditëse, me gëlltitje të gjalla shpatash, tatuazhe, masturbim dhe “imazhe aksioni” me gjak dhe jashtëqitje, akte që kryeshin në skenë.
“Teknika e mirë e kërcimit për mua nuk ka të bëjë vetëm me aftësinë për të bërë lëvizje perfekte baleti, por edhe për të qenë në gjendje të aktori kërcimtar të urinojë sipas kërkesës në skenë”, tha Holzinger në fillim të këtij viti në një intervistë me “The Guardian”.
Shfaqja “Sancta”, me të cilën Holzinger provon dorën e saj në opera për herë të parë, bëri premierë në Teatrin Shtetëror të Mecklenburgut, majin e kaluar. Ajo bazohet në operën ekspresioniste “Sancta Susanna”, të kompozuar në vitin 1921 nga muzikanti gjerman Paul Hindemith, një vepër e hershme e tij që kishte skandalizuar audiencën në atë kohë, pasi konsiderohej tejet blasfemuese.
Opera origjinale e Hidemit tregon historinë e një murgeshe të re, e cila përjeton një konflikt të brendshëm intensiv kur dëshirat e shtypura seksuale zgjohen tek ajo, ndërsa lutet përpara statujës së Krishtit të Kryqëzuar. Edhe pse fillimisht ishte menduar të jepej premierë në Operan Shtetërore të Shtutgartit në vitin 1921, më në fund u prezantua për publikun për herë të parë në vitin 1922 për shkak të protestave që shpërthyen për përmbajtjen e saj “sakrilegjioze”.
Versioni i paraqitur në Shtutgart këtë vit, duke shkaktuar reagime ekstreme të publikut dhe një zhurmë në shtypin ndërkombëtar, paraqet murgesha të zhveshura që bëjnë patinazh në një tub në qendër të skenës, një mur me trupa të kryqëzuar lakuriq dhe një priftëreshë homoseksuale.
Holzinger kishte prezantuar operën “Sancta” qershorin e kaluar në Vjenë, në qytetin e saj të lindjes, duke zemëruar peshkopët austriakë nga Salzburgu dhe Insbruku, të cilët e quajtën shfaqjen një “karikaturë të pandershme të liturgjisë hyjnore”.
Artistja austriake, nga ana e saj, ka shpjeguar se qëllimi i operës së saj nuk është të tallet me kishën, por të eksplorojë paralelet mes institucionit konservator dhe komuniteteve të BDSM dhe nënkulturave të tjera seksuale.
Raportet e simptomave të rënda të nauzesës dhe tronditjes në audiencë, nuk duket t’i kenë shkaktuar dëme komerciale operas “Sancta”, megjithatë, biletat janë shitur jo vetëm për 5 shfaqjet që do të jepen në Shtutgart, por edhe për ato që do të jepen në një teatër në Berlin, në muajin nëntor.