Kush i financon këto Parti Politike?
Në tregun e ekonomisë së lirë, partitë politike nuk mund të themelohen, mbahen dhe mirëmbahen, operojnë dhe funksionojnë pa burime humane dhe pa burime financiare, pavarësisht frymës politike dhe sociale që mund të mbartin në ideologjinë e tyre, duke nënkuptuar kështu grupin nismëtar të disa personave themelues, që duhet, pa më të voglin dyshim, të kenë një shumë të konsiderueshme monetare për të stratuar një nismë politike.
Cilët janë këta që themelojnë Parti Politike si të jenë biznese ambulante “akulloresh kaush”?
Që të krijosh sot, në Shqipëri, një parti politike, e cila do të garojë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, do të duhet që kryetari dhe grupi nismëtar, të kenë minimalisht 80 persona, në angazhim me orar të plotë, në të gjithë Shqipërinë, për të bërë funksionale partinë.
Ja si përllogariten me laps në dorë, kostot e funksionimit të një partie politike, me minimumin e kostove të operimit të saj.
61 Bashki, për rrjedhojë partia duhet të ketë 61 Degë!
Çdo Degë ka minimalisht: 1 zyrë, 1 person të punësuar (kryetari i degës, apo dikush tjetër) dhe 1 automjet.
Për qeranë e zyrës nevojiten mesatarisht 300 euro në muaj.
Për telefon dhe internet nevojiten minimalisht 25 euro në muaj.
Pagesa minimale bruto e një personi është 400 euro në muaj.
Pagesë karburanti për 1 automjet, minimalisht shkon në vlerën 150 euro në muaj.
Shpenzime mujore: 875 euro për 1 degë të partisë.
Për 61 degë: 875 euro x 61 degë = 51,850 euro në muaj për 61 degë të partisë.
*Investime për zyrën (mobilje, TV, komjuter, printer): 1,000 euro; Për 61 zyra: 61,000 euro.
Për funksionimin e partisë në 1 vit për zyra, personel dhe automjet nevojiten: 683,200 euro.
Nuk po shtoj këtu funksionimin e selisë qëndrore dhe personelit që duhet atje, për funksionimin e një partie që ka marrë seriozisht garën politike elektorale.
Ku dhe si gjendet kjo shumë marramendëse?
Por një parti politike që të mirëfunksionojë, ka edhe dhjetra shpenzime të tjera për PR-in e saj, për aktivitete politike në të gjitha Bashkitë dhe Njësitë Administrative, për Media-n dhe Komunikimin me Publikun, për printime dhe materiale promocioni, për shpenzime administrative dhe zyre, për mirëmbajtje të rrjeteve elektronike, për krijimin dhe mirëmbajtjen e faqes së internetit (web site) dhe të tjera, dhe të tjera si këto, shpenzime të pashmangshme për funksionimine një partie kombëtare politike.
Ju bëj me dije, se këto kosto, me kalkulim për shpenzime minimale, shkojnë përafërsisht në vlerën 500 mijë euro të tjera në vit.
Është e qartë që një parti e re politike, pa anëtarësi, që starton nga zero, nuk mund të themelohet pa patur kapital monetar një shumë prej të paktën 1,5 milionë euro.
***
Partitë e reja politike po mbijnë si kërpudhat në Shqipëri, ose po i ngjasojnë një Pandemie. Ndaj, duket si të jetë një dorë e fshehur që i krijon dhe i suporton financiarisht.
Njoh me dhjetra intelektualë me ide dhe aftësi për të qenë pjesë e politikëbërjes, apo për të qënë drejtues të një partie politike, persona që me të vërtetë mund të sjellin ndryshimin në Shqipëri, por nuk u shkon kurrë ndërmend të krijojnë një parti politike, për të hyrë kështu në sistem dhe për të bërë ndryshimin, sepse as nuk mund ta mendojnë një gjë të tillë, nisur nga mungesa e financave dhe vetëm.
Janë individë që kanë idetë, ideologjinë, aftësinë, përkushtimin, rrjetin e burimeve humane, por nuk kanë financat për të ndërmarrë hapa të tillë gjigantë, për themelimin e një strukture politike me frekuencë kombëtare veprime dhe aktiviteti.
***
Këto parti në zgjedhjet parlamentare do të duhet të kenë minimalisht 140 kandidatë secila. Kandidatët që mund të përqafojnë ideologjitë e tyre, që do të jenë persona që mund të përfaqësojnë komunitetin e tyre, të cilët mbartin vlera, jam e bindur se shumica e tyre nuk e kanë mundësinë ekonomike të përballojnë vetë një fushatë elektorale, apo të paguajnë në fund vëzhgues dhe persona mbështetës për proçesin zgjedhor, për atë që rëndom themi “mbrojtje e votës” në proçesin e votimit dhe numërimit të saj.
Ju lutem, mos më thoni se ka vullnetarë, sepse do të më shqetësonte realisht, nëse do ta mendonit. Nuk mund të ketë vullnetarë me anagazhim të përditshëm, që shpenzojnë nga financat e familjeve dhe fëmijëve të tyre. Dhe është mëse normale që të mos ketë njerëz që shkatërrojnë familjen për një parti politike “sefte”.
Lind pyetja: Cilët janë këta që ndërmarrin nisma të tilla politike me kosto miliona euro?
Të gjithë këta persona që shohim në polifoto, përveç Bashës dhe Shehajt, nuk di që të jetë ndonjëri prej tyre milioner për të investuar themelimin e një partie. Por edhe këta të dy, Basha pra dhe Shehaj, njëri arpagon dhe tjetri sipërmarrës me fitime në treg, nuk mund të jenë të gatshëm të shpenzojnë miliona euro, shuma kolosale për këtë lloj bamirësie politike! Dyshoj!
Jo, nuk dyshoj, jam e bindur! Më lejohet besoj që të jem e bindur!
Dhe nëse nuk kanë mundësitë financiare, krerët e këtyre partive të reja, nuk besoj se krijojnë një parti për të marrë vota vetëm në Tiranë. Kurrsesi!
Jo vetëm kaq, një pjesë e këtyre personazheve më sipër udhëtojnë jo vetëm nëpër Shqipëri, për punët e partisë, por edhe nëpër botë, me shpenzime mijëra euro dhe i bëjnë këto aktivitete publike. Ku i gjejnë këto fonde?
Çudia tjetër është se këtyre personave u jepet kohë televizive e pafund. Këta i gjen sa në një ekran në tjetrin. Paguajnë këta kryetarë partish që dalin në 2 apo 3 ekrane në ditë, në thuajse të gjitha portalet, apo dikush ka dhënë devizën që këta të dalin pafund dhe të mund të ndikojnë kështu, sado pak, elektoratin?
Televizionet janë sipërmarrje private kudo në botë dhe që të shfaqesh në ekranet e tyre duhet të paguash. Kështu funksionon Europa të paktën. Edhe në Shqipëri televizionet janë sipërmarrje private, fitimprurëse, por ja që këta shkojnë falas, dhe jo vetëm falas, por me grafik (mesa më thotë një mik gazetar në një prej këtyre TV-ve). Atëherë, nëse nuk do të konkludoja që këta janë të mbështetur nga një vatër strategjie pandemie partish, do të isha jo vetëm naive, por edhe hipokrite.
Për rrjedhojë pyesim sërish:
Kush i financon këta persona dhe këto parti? Instancat duhet të zbatojnë teorinë “follow the money” dhe të hetojnë pse jo burimet e financimit.
Cili institucion i kontrollon këto parti lidhur me financat dhe financimet? Këto institucione duhet të detyrojnë këto parti të bëjnë publike aktivitetin e tyre financiar. Nëse nuk e bëjnë, do të duhet të shpallen të paligjshme.
***
Pandemia e Partive në Shqipëri është një lojë e fëlliqur që duhet ta bëni gargarë dhe ta pështyni.
Hajde, unë e di që juve jeni të mençur mjaftueshëm për të bërë diferencën dhe përzgjedhjen e duhur. Kush është kundër qeverisë në pushtet, nuk mund dhe nuk duhet të votojë “parti vaksina”. Çdo votë në këto parti i shkon Partisë Socialiste dhe shkatërron votën opozitare.
***
Ka dy parti në Shqipëri!
Janë mjaft dhe mjaftueshëm për të shprehur shqiptarët politikisht dhe socio-ekonomikisht.
Ndajeni mendjen dhe votoni njërën prej tyre! Nëse nuk të përfaqëson asnjëra, përfaqësohu me votën e pavlefshme, që është 100 herë më e vlefshme se këta në polifoto. Nuk ndryshon situata në Shqipëri me parti parazite, me parti marioneta që i pjell “sistemi” me datë skadence.
Kush kërkon ndryshimin bën betejën në dy strukturat reale politike shqiptare, në PS dhe PD.
Ktheni sytë nga Amerika dhe vështroni, që të dini si të veproni!