Parashikime ogurzeza nga CEO i institucionit të madh financiar.
Drejtori ekzekutiv i JP Morgan me origjinë greke, Jamie Dimon, në takimin vjetor të Institutit të Financave Ndërkombëtare (IIF) në Uashington, SHBA, foli për “valë” gjeopolitike që janë bërë “cunam” që do të tërheqin gjithçka në rrugën e tyre dhe madje shtoi se Lufta e III Botërore tashmë, ka filluar.
Dimon, i cili zakonisht i kushton shumë vëmendje funksionimit të tregjeve financiare dhe vendimeve të Rezervës Federale, së fundmi është marrë tërësisht me gjeopolitikën, pasi duket se është veçanërisht i shqetësuar për zhvillimet globale.
Siç tha ai, tregjet dhe të dhënat makroekonomike kanë pak rëndësi përballë gjithë asaj me të cilën jemi thirrur të përballemi.
“Jam shumë i pikëlluar dhe i shqetësuar për atë që po ndodh në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, si dhe për frontin që Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani kanë konsoliduar”, vuri në dukje ai dhe shtoi:
“Këto forca po flasin qartë për çmontimin e sistemit të krijuar nga SHBA pas Luftës së II Botërore.
Ky sistem, megjithatë, lindi një epokë të rritjes ekonomike globale të paprecedent.
Tani rreziku është jashtëzakonisht i lartë.
Lufta e III Botërore tashmë ka filluar. Kemi beteja që po zhvillohen në shumë vende”.
Më pas, CEO i JP Morgan tha se ekipet e menaxhimit të rrezikut në bankën e tij “kanë hartuar skenarë që do t’ju tronditnin” në lidhje me ndikimin e mundshëm financiar të një konflikti global që por del jashtë kontrollit.
“Ne e kemi ndjekur me vëmendje situatën gjeopolitike prej disa kohësh. Ngjarjet e fundit tregojnë se situatat janë tinëzare dhe përkeqësohen.
Ka vuajtje të konsiderueshme njerëzore dhe rezultati i këtyre situatave mund të ketë efekte të gjera, si në rezultatet ekonomike afatshkurtra, ashtu edhe gjatë rrjedhës së historisë”, shtoi ai, duke shtuar:
“Rendi ndërkombëtar që ka qenë në fuqi që nga fundi i Luftës së II Botërore po shpërbëhet, me konflikte në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, duke përshkallëzuar tensionet në marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe rrezikun e shantazhit bërthamor nga Irani, Koreja e Veriut dhe Rusia”.
Në këtë kontekst, Dimon e konsideron përhapjen e armëve bërthamore si “rrezikun më të madh me të cilin përballet njerëzimi”.
Kjo është arsyeja pse ai mbetet i kujdesshëm dhe skeptik për të ardhmen e ekonomisë, pavarësisht nga indikacionet teksa Rezerva Federale ka planifikuar një ulje të butë.
“Ndërsa inflacioni po ngadalësohet dhe ekonomia e SHBA-së mbetet elastike, disa çështje kritike mbeten për t’u adresuar, duke përfshirë deficitet e mëdha buxhetore, nevojat e infrastrukturës, ristrukturimin e tregtisë dhe rimilitarizimin e botës”, tha Dimon.
“Ndërsa ne shpresojmë për më të mirën, këto ngjarje dhe pasiguria mbizotëruese tregojnë pse ne duhet të jemi të përgatitur për çdo rrethanë.”