Skenar Tmerri: Çfarë do të Ndodhte, Nëse nuk do të Kishte Internet në Mbarë Botën, për 24 Orë?

/

Një mbyllje globale e internetit do të ekspozonte brishtësinë e shoqërisë sonë dixhitale.

Me ndihmën dhe pjesëmarrjen e studentëve të diplomuar në Marketing, në Universitetin Europian të Valencias, profesor Francisco José García Ull, profesor i analizës së të dhënave, privatësisë, etikës dhe inteligjencës artificiale, kreu një eksperiment nëse interneti do të ndalej për 24 orë.

Ky artikull u botua fillimisht në “The Conversation”.

Pra, çfarë do të ndodhte nëse interneti në glob, që varet nga kabllo dhe fibra, do të ndërpritej papritmas?

Minuta 1: Konfuzioni fillestar

Në minutën e parë, shumica e njerëzve nuk do e vënë re mungesën e internetit. Aplikacionet dhe shërbimet që nuk kërkojnë lidhje vazhdojnë të funksionojnë. Vetëm ata që përpiqen të dërgojnë një mesazh ose të përditësojnë një faqe në internet e kuptojnë se diçka nuk është në rregull.

Operacionet bazë në biznese dhe shtëpi vazhdojnë, megjithëse disa sisteme të varura nga cloud kanë filluar të përjetojnë dështime. Shërbimet kritike që mbështeten në të dhëna në kohë reale, si qendrat e kontrollit të trafikut dhe spitalet, mund të shohin një vonesë të lehtë në sistemet e tyre të brendshme.

5 minuta: Dyshim

Pas pesë minutash, problemi bëhet më i dukshëm. Rrjetet sociale nuk po përditësohen, mesazhet nuk dërgohen dhe ata që varen nga interneti për punë, kanë filluar të shqetësohen. Shërbimet e mesazheve dhe platformat e thirrjeve video dështojnë, duke ndikuar në komunikimin personal dhe profesional.

Sistemet kritike si spitalet dhe forcat e sigurisë kanë filluar të aktivizojnë planet e emergjencës dhe të përdorin komunikimet radio dhe satelitore për të koordinuar aktivitetin.

30 minuta: Shqetësimi rritet

Gjysmë ore më vonë, dobësia është më e dukshme. Linjat telefonike bllokohen ndërsa njerëzit përpiqen të kontaktojnë me miqtë dhe familjet. Kartat e kreditit dhe të debitit ndalojnë së punuari në dyqane dhe në pikat e karburantit, duke shkaktuar radhë të gjata dhe konfuzion.

Bankat janë të mbushura me njerëz që përpiqen të tërheqin para, duke parashikuar probleme më të mëdha. Sistemet e kontrollit të trafikut dhe zinxhiri i furnizimit të transportit mund të preken, duke ngadalësuar lëvizshmërinë dhe shpërndarjen e mallrave thelbësore.

1 orë: Kaos në shërbimet kritike

Pas një ore pa internet, ndikimi në shërbimet kritike bëhet më i dukshëm. Sistemet spitalore pa akses në të dhënat mjekësore dixhitale duhet të përdorin të dhënat në letër, duke ngadalësuar kujdesin dhe duke rritur rrezikun e gabimeve mjekësore.

Komunikimet ndërmjet forcave të sigurisë janë të kufizuara në sistemet radio dhe telefonat satelitorë, të cilët nuk mund të plotësojnë të gjitha nevojat e koordinimit. Në banka, mungesa e aksesit në rrjetet dixhitale bllokon transaksionet dhe shkakton kaos në degë.

6 orë: Krizë ekonomike dhe sociale

Mungesa e internetit për gjashtë orë paralizon ekonominë. Tregjet financiare nuk mund të funksionojnë, duke shkaktuar panik tek investitorët. E-commerce dhe platformat e pagesave në internet ndalen plotësisht.

Pompat e karburanteve nuk pranojnë pagesa elektronike, duke lënë shumë drejtues mjetesh pa karburant. Sistemet e sigurisë që varen nga interneti, si kamerat e vëzhgimit dhe alarmet, ndalojnë së punuari dhe rreziku i vjedhjes dhe vandalizmit rritet.

12 orë: Njerëzit reagojnë si të pashpresë dhe perceptimi është “cënueshmëri”

Në orën dymbëdhjetë situata është kritike. Të vetmet burime të informacionit janë radiot dhe në disa raste edhe televizioni, por edhe këto media kanë filluar të dështojnë për shkak të mungesës së infrastrukturës dixhitale. Shërbimet e urgjencës janë të mbingarkuar për shkak të pamundësisë për të komunikuar në mënyrë efektive.

Forcat e sigurisë përpiqen të ruajnë rendin, por mungesa e koordinimit dhe zhgënjimi në rritje i popullatës e ndërlikon situatën. Radhët nëpër banka bëhen të pafundme dhe shumë prej tyre mbesin pa para, pasi ATM-të nuk funksionojnë.

24 orë: Kaos absolut

Pas 24 orësh ndikimi në shoqëri është shkatërrues. Jeta moderne, e varur nga teknologjia dixhitale, është reduktuar në kaos absolut. Spitalet, pa akses në sistemet elektronike, duhet t’u drejtohen proçedurave manuale. Shërbimet e transportit dhe logjistikës janë paralizuar, duke ndikuar në shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve. Komunikimet ndërmjet qeverive dhe organizatave ndërkombëtare janë komplekse, duke e bërë të vështirë menaxhimin e krizave. Mungesa e informacionit të saktë shkakton konfuzion dhe panik në popullata.

Të privilegjuarit me mjete alternative

Edhe pse shumica e popullsisë mbetet e izoluar, disa të privilegjuar kanë mjete alternative për të qëndruar të lidhur. Kompanitë, qeveritë dhe shërbimet e urgjencës po i drejtohen komunikimeve satelitore dhe rrjeteve private, por edhe këto sisteme kanë kufizime dhe nuk mund të zëvendësojnë lidhjen globale të kabllove nënujore.

Situatë shumë e brishtë

Si përfundim, një ndërprerje globale e internetit do të zbulonte brishtësinë e shoqërisë sonë dixhitale. Varësia nga rrjeti për shumicën e aktiviteteve të përditshme, nga ekonomia deri në siguria, do të bëhej në mënyrë alarmante e dukshme dhe pa rrugëzgjidhje.

Pa internetin, struktura jonë sociale, ekonomike dhe politike do të ishte e pambrojtur, gjë që zbulon nevojën për të zhvilluar infrastrukturat mbështetëse dhe strategjitë e emergjencës përballë skenarëve të mundshëm të ndërprerjes globale.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Pasi Shkatërroi Gjermaninë & Europën Duke Pranuar Qindra Mijë Emigrantë, Tani Frau Merkel po Kërkon Ndryshimin!

Next Story

Gjenerata e Re e Satelitëve Starlink të Elon Musk e Shndërron Celularin Tuaj të Thjeshtlë në Një Telefon Satelitor!

Latest from Info