Më 5 dhjetor 1994, u nënshkrua memorandumi historik i Budapestit, për shumë njerëz “dënimi i Kievit” pasi ukrainasit besuan garancitë e sigurisë së SHBA-ve dhe Rusisë.
Dje, e enjte, 5 dhjetor, kanë kaluar 30 vite nga nënshkrimi i Memorandumit të Budapestit në vitin 1994. Kjo marrëveshje ende e ndjek Kievin, le të kujtojmë pse.
Dita e Zezë për Ukrainën
Kështu, më 5 dhjetor 1994, Ukraina çarmatosi arsenalin e saj të madh të armëve bërthamore në këmbim të garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia. Këto tre vende u zotuan të mbrojnë integritetin e saj territorial.
Rreth 20 vite më vonë, Rusia theu marrëveshjen (për shumë, në mënyrë të justifikuar), duke aneksuar Krimenë në territorin e Federatës Ruse. 30 vite pas marrëveshjes, në vitin 2024, Moska u përfshi sërish në luftë me Kievin.
Por le të fillojmë nga fillimi dhe të përqendrohemi te kjo marrëveshje historike e nënshkruar tre dekada më parë në kryeqytetin hungarez.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ushtria ukrainase trashëgoi një arsenal të madh bërthamor. Vlerësimet sugjerojnë se Kievi posedonte 1,500 deri në 2,100 koka bërthamore strategjike dhe 2,800 deri në 4,800 taktike, në atë kohë.
Si Uashingtoni ashtu edhe Moska besonin se Ukraina duhet të denuklearizohej, kështu që të dyja superfuqitë bashkuan forcat dhe arritën të bindin udhëheqjen ukrainase për të nënshkruar Memorandumin e Budapestit.
Në fakt, amerikanët dhe rusët nuk u dhanë shumë mundësi ukrainasve. Presidenti i atëhershëm ukrainas Leonid Kravchuk zbuloi më vonë se SHBA-të e kërcënuan atë me sanksione dhe izolim total, nëse ai nuk pranonte çarmatimin.
Kështu Kravchuk ra dakord dhe më 5 dhjetor të atij viti ai nënshkroi Memorandumin e shumëpritur. Në këmbim, Uashingtoni, Londra dhe Moska nënshkruan garanci që deklarojnë se nuk do të përdorin mjete ekonomike dhe ushtarake për të sulmuar territorin ukrainas, ndërsa premtonin se do të respektonin sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit. Franca dhe Kina më vonë iu bashkuan marrëveshjes.
Shumë shpejt ukrainasit e kuptuan gabimin që bënë, pasi edhe krerët e huaj të shteteve paralajmëruan udhëheqjen politike të Kievit, duke u thënë se “këto garanci janë disa nga gënjeshtrat më të mëdha në histori”.
Sot, shumë ukrainas besojnë se nëse Kievi do të kishte ende armë bërthamore, nuk do të kishte ndodhur asnjë luftë me Rusinë.