Myslimanët ekstremistë janë rreth 150 kilometra larg kryeqytetit sirian, Damask.
Sadi preferoi të qëndronte në shtëpi në Damask për të monitoruar zhvillimet në Siri, ku rebelët, të udhëhequr nga ekstremistët islamikë, vazhdojnë të përparojnë në qytetet strategjike.
“Nuk kisha dëshirë të dilja dhe të gjithë preferonim të rrinim në shtëpi për të mësuar lajmet të rrethuar nga njerëzit tanë”, tha studenti i ri, i cili nuk deshi të tregonte mbiemrin.
“Nuk kuptojmë më asgjë. Brenda një jave, zhvillimet ishin të tilla që po na tejkalojnë. Shqetësimi është i dukshëm, por duhet të mësojmë të ruajmë gjakftohtësinë”, tha Sandi, ndërsa në celular i vinin mesazhe.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se ushtria siriane u tërhoq sot nga qyteti i Homsit, i cili është 150 kilometra nga kryeqyteti Damask edhe pse Ministria e Mbrojtjes e ka mohuar këtë.
Në Damask, shumë banorë po përpiqen të mbledhin furnizime për t’u përgatitur për gjendjen alarmante.
“Sa herë që ka thashetheme, ata hedhin bukë, oriz, sheqer, detergjentë”, thotë 56-vjeçari Amin, i cili ka në pronësi një dyqan ushqimor në lagjen Sheikh Saad.
“Sot jam furnizuar dy herë, për të plotësuar kërkesat për mallra”, komentoi ai.
Thashethemet dhe lajmet e rreme rrisin ankthin dhe shqetësimin e banorëve. Ministria e Mbrojtjes ka denoncuar qarkullimin e videove të rreme, si ajo që tregon shpërthime në selinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe i ka bërë thirrje publikut të mos besojë “gënjeshtra”, qëllimi i të cilave është “të mbjellin kaos dhe panik”.
Për shkak të kësaj situate, çmimi i disa produkteve është rritur me 30% në kryeqytet, siç thonë banorët. Në të njëjtën kohë, dollari theu të gjitha rekordet: kursi i tij, nga 15 mijë paund që ishte më 27 nëntor, sot arriti në 19 mijë paund sirian.
Në restorantet dhe kafenetë e lagjes Bab Sharkey, turma është e pakët. Disa dyqane mbyllen pas errësirës për shkak të mungesës së klientëve.
Universiteti i Damaskut ka shtyrë për një kohë të pacaktuar provimet e afatit dhe Federata Siriane e Futbollit ka pezulluar ndeshjet deri në njoftimin e dytë, pas kërkesës së shumicës së ekipeve të kategorisë së parë.
Sot ishte një ditë e qetë. Agjencia zyrtare e lajmeve SANA raportoi se gjatë lutjeve të së premtes në xhami, imamët u bënë thirrje besimtarëve “të mos kalojnë në panik dhe të qëndrojnë në krah të Ushtrisë Arabe Siriane për të mbrojtur atdheun”, duke theksuar se kjo është “përgjegjësi e të gjithëve”.
Disa radio lokale nuk transmetojnë më programe argëtuese, por vetëm buletine lajmesh dhe këngë patriotike.
Dhe në kanalet televizive, analistët politikë dhe korrespondentët pasojnë njëri-tjetrin. Ndonjëherë marrin fjalën “dëshmitarë okularë” nga qytetet e mëdha, të cilët mohojnë se rebelët kanë pushtuar zona të tjera për të cilat flitet, përveç Aleppos dhe Hamas.