“Prova Zbarkimi” nga Kina: 90 Anije Luftarake Jashtë Tajvanit

/

“Qëllimi i tyre është të arrijnë një frikësim tërësor ushtarak!”

Kina po kryen një “provë zbarkimi” në Tajvan duke kryer stërvitje aeronautike në shkallë shumë të gjerë, me pjesëmarrjen e 90 luftanijeve të Marinës Kineze!

Për të kryer një operacion të tillë amfib dhe duke qenë se Tajvani ka forca mjaft të forta vetëmbrojtjeje, marinës kineze do t’i duhet të përdorë 500 anije luftarake, duke përfshirë edhe shumë anije amfibe, që disponon.

Tajvani ngriti nivelin e gatishmërisë të hënën, duke thënë se Kina kishte kapur hapësirën ajrore dhe kishte vendosur anije të marinës në stërvitjet e para ushtarake në një zonë të gjerë të ujërave të rajonit.

Një zyrtar i lartë i sigurisë tajvaneze tha se Kina ka mobilizuar 90 anije dhe të gjitha janë afër Tajvanit.

Ministria e Mbrojtjes e Kinës nuk ka komentuar.

Kina pritej të nisë një raund tjetër stërvitjesh në përgjigje të udhëtimit të Presidentit Tajvanez Lai Ching-te në Paqësor, i cili përfshinte ndalesa në Hawaii dhe territorin amerikan të Guam, raporton Reuters.

“Pekini ka krijuar shtatë “zona të kufizuara të përkohshme” të hapësirës ajrore deri më 11 dhjetor, në lindje të provincave lindore të Fujian dhe Zhejiang”, tha në një deklaratë Ministria e mbrojtjes së Tajvanit.

Fluturime të tjera mund të bëhen atje, por me leje, sipas rregullave ndërkombëtare.

Kina nuk njoftoi ndonjë provë specifike të armëve, në këto zona ushtarake.

Në gusht 2022, ajo hodhi raketa në ujërat përreth Tajvanit gjatë stërvitjeve së saj, pas një vizite në Taipei nga kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se po monitoron nga afër aktivitetin ushtarak kinez pranë Tajvanit.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje PRC (Republika Popullore e Kinës) të ushtrojë vetëpërmbajtje dhe të shmangë veprimet që mund të dëmtojnë paqen dhe stabilitetin në ngushticat e Tajvanit dhe në rajon.

Një vizitë e thjeshtë e Presidentit Lai nuk duhet të përdoret si pretekst për presion ushtarak”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Një zyrtar tajvanez, duke folur në kushte anonimiteti, tha se dislokimi i forcave detare të Kinës ishte më i madh se dy stërvitjet e mëparshme të mëdha rreth Tajvanit këtë vit.

“Për herë të parë ata po synojnë të gjithë zinxhirin e ishullit”, tha burimi, duke iu referuar një zone që shtrihet nga Japonia përmes Tajvanit, Filipineve dhe deri në Borneo, duke përfshirë detet rreth bregut të Kinës.

“Qëllimi i tyre është të arrijnë frikësimin e plotë ushtarak duke fituar kontrollin e brendësisë së zinxhirit të ishullit.”

Ushtria e Tajvanit njoftoi se kishte aktivizuar “skenarët dhe stërvitjet e gatishmërisë luftarake” në vende strategjike.

“Çdo veprim i njëanshëm dhe irracional, provokues mund të dëmtojë seriozisht paqen dhe stabilitetin në Indo-Paqësor dhe kjo nuk do të mirëpritet nga komuniteti ndërkombëtar”, tha ministria e mbrojtjes e Tajvanit.

Wang Ting-yu i Partisë Demokratike Progresive në pushtet, i cili kryeson Komitetin e Mbrojtjes dhe të punëve të jashtme të parlamentit, tha se Kina mund të planifikojë manovra, ose alarme të rreme, për të ushtruar presion mbi Tajvanin.

“Ju lutemi të jeni një vend fqinj i civilizuar. Mos u bëni ngatërrestarë gjatë gjithë kohës”, bëri thirrje ai.

Taipei thotë se Kina po përdor taktikat e “zonës gri”, duke përfshirë misionet e përditshme të Forcave Ajrore dhe Marinës, për të ngacmuar forcat e Tajvanit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u tha marinarëve amerikanë në Japoni se, Kina ishte i vetmi vend me synimin dhe aftësinë gjithnjë e më shumë për të ndryshuar rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

“Dhe kjo është mënyra sesi ne duam ta shohim këtë rajon, që të mbetet i hapur përsa i përket lirisë së lundrimit dhe aftësisë për të fluturuar në qiell dhe pista ajrore ndërkombëtare, sa herë që duam”, tha ai.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Si u Ndërtuan Piramidat: Mjeti që Ndihmoi Egjiptianët e Lashtë

Next Story

E Dini Pse Uji Ngrin nga Lart Poshtë?

Latest from Info