Venezuela dhe Koreja e Veriut misionet e para.
Presidenti i ri i SHBA Donald Trump vazhdon të ndërtojë administratën e tij dhe ka njoftuar synimin e tij për të emëruar një tjetër prej besnikëve të tij, Richard Grenell, në postin e sapokrijuar të të dërguarit presidencial për “misione speciale”.
“Rick do të punojë në disa nga pikat më të nxehta në botë, duke përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, tha presidenti i ri i SHBA Donald Trump përmes Truth Social.
Grenell, 58 vjeç, ishte gjatë mandatit të parë të republikanit në detyrë, ambasadori i SHBA në Gjermani, i dërguari special i presidentit për negociatat e paqes Serbi-Kosovë (2019-2020) dhe kreu i përkohshëm i trupit koordinues të inteligjencës amerikane nga shkurti deri në maj 2020.
Trump nuk dha detaje mbi detyrat specifike që ai synon t’i caktojë Grenell-it. Ish diplomati konsiderohej prej disave si ndër kandidatët për Departamentin e Shtetit, që iu dha Marco Rubio-s dhe ai i të dërguarit special për luftën në Ukrainë, që iu dha gjeneralit E.A. Keith Kellogg.
Presidentët amerikanë në përgjithësi emërojnë të dërguar të posaçëm për çështje dhe për krizat që ata mendojnë se nuk mund të lihen vetëm në duart e ambasadorëve.
Trump, i cili do të betohet më 20 janar 2025, ka thënë se do të konsideronte bisedimet e drejtpërdrejta me liderin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, për të zvogëluar rrezikun e konfliktit.
Republikani e quajti vazhdimisht presidentin venezuelian Nicolas Maduro një “diktator” në prag të zgjedhjeve. Maduro, nga ana tjetër, konsideroi se ndryshimi i lidershipit në SHBA mund të jetë një “fillim i ri” në marrëdhëniet dypalëshe.