Stonehenge: Zbulohet Misteri Pas 5000 Vitesh? Studiuesit Thonë se e Dinë Tani më, Pse u Ndërtua!

/

Studimet e reja mbi origjinën e gurëve masivë sugjerojnë se ata u krijuan si një simbol i bashkimit midis popujve të lashtë në ishullin e Britanisë.

Qëllimi i ndërtimit të monumentit impozant megalitik të Stonehenge mijëra vite më parë, në atë që tani është konteja Wiltshire e Anglisë, ka qenë gjithmonë një nga misteret e mëdha të historisë.

Megjithatë, një studim i ri ofron një përgjigje të arsyeshme për pyetjen e mësipërme, ku disa media britanike si Daily Mail, flasin për një zgjidhje të misterit.

Sipas këtij hulumtimi, Stonehenge (emërtuar sipas fjalëve të anglishtes së vjetër Stanhen gist, që do të thotë “gurë të varur”) ndoshta është ndërtuar si një simbol i bashkimit të tre rajoneve të ndryshme të ishullit të Britanisë, shumë kohë përpara ekzistencës së një Mbretërie të Bashkuar.

Analizat gjeologjike kanë zbuluar se gurët e mëdhenj të monumentit rrethor u transportuan në rrafshinën Salisbury në Wiltshire nga zona të largëta në veri, jug dhe perëndim të ishullit, rreth 5000 vite më parë.

Fakti që këta gurë, që peshonin disa tonë, u transportuan qindra milje me mjete dhe metoda primitive, sugjeron se monumenti kishte një qëllim unifikues, argumenton hulumtimi i botuar në revistën “Archeology International”.

Mike Parker Pearson, kreu i kërkimit dhe profesor i Arkeologjisë në University College London, tha: “Fakti që të gjithë gurët vijnë nga zona të largëta është diçka që e bën Stonehenge unik midis më shumë se 900 rrathëve prej guri në Britani. Kjo [veçori] sugjeron se monumenti mund të ketë pasur një qëllim politik dhe fetar, si një simbol i bashkimit për popujt e Britanisë, që nderuan gjithashtu lidhjet e tyre të përjetshme me paraardhësit dhe universin”,

Zbulime të reja rreth arkitekturës së Stonehenge.

Studimet e fundit të “altarit” prej guri brenda rrethit, i cili peshon gjashtë tonë, zbulojnë detaje që nuk i dinim për ndërtimin misterioz.

Një ekip nga Universiteti Aberystwyth ka përcaktuar se guri vjen nga Skocia verilindore dhe jo nga Uellsi perëndimor siç mendohej më parë.

Ky zbulim shpjegon pse guri është vendosur horizontalisht, duke kujtuar rrathët karakteristikë prej guri që gjenden vetëm në këtë zonë të Skocisë së sotme.

“Ngjashmëritë në arkitekturë dhe kulturën materiale midis zonës së Stonehenge dhe Skocisë veriore tani shpjegohen më mirë. Ky zbulim na ndihmoi të zgjidhim enigmën që pse rajone të tilla të largëta kishin kaq shumë të përbashkëta”, komenton profesori Parker Pearson.

Sipas Sky News, historianët besojnë se fermerë nga e gjithë Britania u mblodhën pranë monumentit në solsticin e dimrit, më 21 dhjetor, për të festuar faktin se ditët do të fillonin përsëri të zgjateshin.

Heather Sebire, kuratore e lartë në English Heritage, komentoi për mediat britanike se popujt e lashtë të Britanisë kishin më shumë kontakte me njëri-tjetrin sesa mendohej më parë. “Edhe pse kishin teknologji të ndryshme, ndoshta kishte njerëz që donin të dilnin nga komuniteti i tyre dhe të komunikonin me të tjerët”.

Metodat e përdorura për transportimin e gurëve kaq të mëdhenj mbeten një mister, por ndërlidhja e qytetërimeve të lashta dhe nevoja për unitet duket se kanë luajtur një rol kyç në krijimin e Stonehenge.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Papa Françesku Kërkon Formimin e "Qeverisë Globale" për të Shpëtuar Njerëzimin nga "Kërcënimet Ekzistenciale"!

Next Story

6 Herë Kur Diplomacia e Ushqimit Dështoi - Bush-i me të Vjella (video), Refuzimi i Francezit Hollande & të Tjera Histori

Latest from Info