Profesori Geoffrey Hinton, i cili konsiderohet si njeriu që krijoi Inteligjencën Artificiale, pranoi se i vinte keq për rolin e tij në krijimin e teknologjisë, e krahasoi zhvillimin e saj të shpejtë me revolucionin industrial, por paralajmëroi se makinat mund “të marrin kontrollin” këtë herë.
Telegraph raporton: Profesor Hinton ka parashikuar më parë se Inteligjenca Artificiale mund të çojë në zhdukjen e 10% deri në 20% të njerëzimit brenda tre dekadave.
I pyetur në programin Today të BBC Radio 4, nëse diçka kishte ndryshuar analizën e tij, ai tha: “Jo në të vërtetë. Unë mendoj se 10% deri në 20% e njerëzve nuk do të jenë më. Asnjëherë nuk na është dashur të merremi me gjëra më të zgjuara se ne.
Dhe, sa shembuj dini të një gjëje më inteligjente, që kontrollohet nga një gjë më pak inteligjente? Ka shumë pak shembuj”.
Në vitet 1980, profesor Hinton shpiku një metodë që mund të gjejë në mënyrë autonome vetitë në të dhëna dhe të njohë elementë specifikë në imazhe, e cila ishte një zbulim themelor për inteligjencën artificiale moderne.
Ai tha se teknologjia u zhvillua shumë më shpejt nga sa priste.
“Unë mendoj se është si revolucioni industrial”, vazhdoi ai. “Në revolucionin industrial, fuqia njerëzore u pakësua, sepse makinat ishin thjesht më të fuqishme, nëse doje të gërmoje një hendek, e gërmoje me një makinë.
Ajo që kemi tani është diçka që zëvendëson inteligjencën njerëzore. Dhe inteligjenca e thjeshtë njerëzore nuk do të jetë më funksionale, do të funksionojnë makinat”.
Qeveritë duhet të marrin masa!
Profesor Hinton shtoi: “Shqetësimi im është se dora e padukshme nuk do të na mbajë të sigurtë. Pra, lënia e saj me motivin e fitimit të kompanive të mëdha, nuk do të jetë e mjaftueshme për të siguruar që ato ta vendosin atë në mënyrë të sigurtë.
E vetmja gjë që mund t’i detyrojë këto kompani të mëdha, është që të bëjnë më shumë kërkime për sigurinë dhe ky rregullim është përgjegjësi e qeverisë.
Kështu, unë besoj fuqimisht se qeveritë duhet t’i detyrojnë kompanitë e mëdha të vendosin masa mbrojtëse.”
Nëse nuk ndodh, që qeveritë të marrin masa rregullatore dhe sigurie përballë AI-së, njeriu do të shkojë drejt zhdukjes reale.