“Gjeraqina” Amerikane Veshur në të Bardhën e Paqes Shkoi tek “Okatari”

Këtë shkrim do e hartoj me disa fjalë të rralla shqipe, që to mos ja përkthejnë dot ekzakt “gjeraqinës”, interpretatorët apo metafrazët, ose për t’i vështirësuar nga pak, si dhe për t’u treguar që janë prapa me shqipen. Duhet në fakt të shkruajmë kështu, me fjalë dhe fraza të koduara, për të mos na çensuruar algoritmi i rrjeteve “big brother”, por që Lavdi Perëndisë po i përdorim siç duhet, një tjetër veprim i yni që u ka dalë jashtë parashikimeve.

Nuk has asnjë vend tjetër në Europë, ku ambasadat dhe kryesisht ajo e SHBAve të ndërhyjnë në punët e brendshme të tij në mënyrë direkte, duke bërë shuk në ‘non paper’ dinjitetin dhe integritetin politik dhe qeverisës. Ky vend me vurrata korrupsioni është edhe për hir të superfuqisë, të cilës i janë dorëzuar qeverisjet që prej fillimeve të viteve ’90 dhe që sot duket të jetë kontriubuese dhe aksionere e situatës aktuale dhe të përhershme, veqil për këtë, populli shqiptar.

Të gjithë e lexuan vizitën e djeshme të “gjeraqinës” amerikane tek Ilir Metaj, si një vizitë për ta vendosur “okatarin” në shina dhe për t’i dhënë ultimatume.

Duhet të jemi të vëmendshëm dhe t’i japim rëndësi çdo detaji, sidomos në të tilla takime dhe ajo që vërej unë, kur dal për ndonjë moment nga zogoria popull, është se vetëm mes veshjes ambasadorja dha mesazhin, mesazh paqeje tek xanxari Meta, me gilat të fortë pragmatik politik. Paqe me kë? Paqe me kreun e qeverisë, për ta tërhequr nga kumbaraja politike Berisha dhe nga ai që mund të qitë Ramën, në çdo moment, nga vetja dhe ta çojë drejt gabimesh fatale, apo ekuilibrash të humbur, nga ai që mund ta bëjë këtë vend “pir dhe mani” në çdo kohë që t’ja rrokë truri, thellësisht analitik, duhet ta themi.

Veleti Meta, e vërtetuar kjo me të gjitha qëndrimet politike të tij, për dekada tashmë, e priti “gjeraqinën” në të bardha me buzëqeshje, shoqëruar nga veqilët e tij besnikë, por në thelb garniturë për dekorin e tij politik, jo më të mirët e mundshëm, por ky është stani, këtë bulmet do të ketë.

Nga biseda e të dyve asgjë në dritë, buzëqeshje në pritje, buzëqeshje në përcjellje dhe e bardha mbizotëruese në kumaçin e “lirisë”.

Ju kujtohet? Ishin këta të dy, që me pafta hekuri në tastierat telefonike, shkëmbenin mesazhe “live” në një emision televiziv, “gjeraqina” e kërcënonte duke i thënë ato që dinë për të, “okatari” i thoshte nxirri nëse ke dhe i përmendte Malin me Gropa, në orgji sulmedh dhe papërmbajtshmërie.

A mund të ndodhë gjetiu që në një emision televiziv ambasadorja amerikane të kërcënojë Presidentin e një vendi? Kurrë dhe askund nuk mund të ndodhë, përveçse në Shqipëri. Sa më sipër tregon se fytyra jonë dhe ajo e Amerikës nuk paskan dhe ndonjë ndryshim të madh. Vetëm një qoti do të besonte të kundërtën.

Pas gjithë kësaj potereje, diplomacia amerikane kalon pregun e “Lirisë” dhe veshur në kolorin e paqes bashkëbisedon me nallanen aktuale politike, por gjurmashkën politike amerikane të viteve 2005, 2013, 2017.

Të mos harrojmë vitin 2013, kur Amerika dhe Meta u bënë “një” për të sjellë në pushtet Ramën, si dhe të kujtojmë mirë vitin 2017 kur sërish kontribuan për ta mbajtur në pushtet, me ndihmën e thopërçit të zbutur Meta, teksa i dhanë kreun e shtetit, për vakancë dhe rikuperim politik.

Sa më sipër i kujtojmë si ndodhi të turpshme, por janë fakte historike, që nuk duhet t’i harrojmë, gatuar dhe bekuar nga Amerika dhe vetëm politikë nuk janë, dhe vetëm diplomaci nuk janë, por ja që këtë fytyrë ka Amerika në Shqipëri, të paktën.

Nuk e kuptoj çfarë bën ambasadorja amerikane në zyrat e një partie politike, kreun e së cilës e karakterizon si “peshkun e madh” dhe atë vetë si përfaqësues dhe personifikim të mega-korrupisionit?! Çfarë mund të diskutojë Amerika në zyrat e partisë që e përdori për të rrëzuar Nanon, për të sjellë Berishën, për të rrëzuar antisorosianin dhe për të sjellë Ramën? Mirë është të shkojë, pa e bërë publike, siç e ka bërë sa herë që e ka përdorur Metën për të rrëzuar dhe ngritur pushtete në këto 20 vite.

***

Nuk ekzekutohet korrupsioni dhe sistemi bykë politikekonomik në këtë vend me hutë, duhet artilieri e rëndë, por këtë lloj artilierie nuk e disponon Amerika për ne dhe as për Kosovën. Pas 3 dekadash, nëse akoma nuk jeni bindur, atëherë e keqja e madhe e shqiptarëve janë vetë shqiptarët, si gjithmonë në këto vite 110 “shtet” dhe “pavarësi”, në thelb skllavëri nga më të tmerrshmet.

Jetojmë në një vend vallaha pluralist, që nuk e gjen askund tjetër në këtë format korruptiv dhe totalitar, identik me rastin tonë të 45 viteve të diktaturës, teksa nuk gjeje diktaturë të tillë askund në botë. Çfarë popull jemi ne? Ku janë ata nacionalistët e groshit që me pëllëmbët e shqiponjës zhvoshkin hashashin dhe dredhin “treshen”? Ka popull në këtë vend apo jo? Ka ky vend njerëz të mendjes dhe frymës, ku janë?

Nuk ka vdekje më të frikshme, sesa humbja e shpresës. Nuk ka më shpresë, sepse ka plan që tejkalon potencën tonë për ta përmbysur. Dhe plani duket të jetë i kobshëm, për popullin!

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Kremlin: "Nëse Ukraina Sulmon Territoret e Reja të Rusisë Përgjigja do të Jetë Fundore!"

Next Story

"Deep State" Drejton Amerikën me Fasadën Demente Biden që do të Marrë Përgjegjësitë e Veprimeve të Tyre!

Latest from Opinione