Paketa, që kushtojnë nga 2,500 £ përfshijnë akomodimin dhe punën, pagesë në para në dorë dhe pagesa bëhet vetëm me mbërritjen në Dover.
Bandat shqiptare po u ofrojnë emigrantëve “pako gjithëpërfshirëse” për të kaluar në Britani përmes reklamave të TikTok, sipas faqes britanike GBN.
Kjo është hera e parë që trafikantët kanë reklamuar publikisht paketa të tilla gjithëpërfshirëse për emigrantët e mundshëm. Duke përdorur teknika profesionale marketingu, të ngjashme me reklamat televizive, reklamat synojnë shqiptarët që kërkojnë mundësi më të mira karriere jashtë vendit.
Trafikantët premtojnë “njerëz të specializuar” për të mirëpritur emigrantët, duke siguruar punësim privat dhe punë në tregun e zi.
Një llogari e TikTok e quajtur “London Travel” reklamonte “udhëtim të sigurtë” dhe “çmime konkurruese”, duke përdorur flamujt shqiptarë dhe britanikë. Një trafikant tha: “Jam në Dover duke pritur klientët e mi me anije dhe pagesën e tyre”.
Në raste të tjera ofrohen paketa “luksoze”, si 12 mijë paund për një fluturim, një shtëpi me qira në Londër dhe “punë të lehtë”. Shpesh dërgohen foto të shtëpive në stilin e reklamave të pasurive të paluajtshme.
“Agjentët e emigrantëve” veprojnë si ndërmjetës për organizata më të mëdha kriminale, duke fituar komisione për tërheqjen e klientëve nga Shqipëria.
Shumica e transportit organizohet nga kontrabandistët kurdë që kontrollojnë kalimet detare nga Franca Veriore, në bashkëpunim me shqiptarë. Një arrestim i fundit i personit E. D., i cili u burgos me 10 vite për përfshirjen në trafikimin e qindra personave, pasoi nga partneri i tij, kontrabandisti iranian X. R., që u dënua me 11 vite burg, në Belgjikë. Këto janë dy raste që konfirmojnë ekzistencën e rrjeteve dhe bandave të trafikimit të emigrantëve.
TikTok tha se po heq reklamat e paligjshme, si masë paraprake, ndërsa Zyra e Brendshme e Britanisë po punon me platformat sociale për t’i hequr reklamat sa më shpejt.
Ndërsa një zëdhënës i ministrisë britanike theksoi se arrestimet për punë të paligjshme u rritën me 30% dhe dëbimet e detyruara me 25%.