Partia UDC bëri thirrje për dorëheqjen e saj këtë fundjavë.
Ministrja zvicerane e Mbrojtjes Viola Amherst njoftoi sot dorëheqjen e saj para gazetarëve.
Njoftimi i dorëheqjes erdhi pasi ministrja prezantoi një plan qeveritar për të tërhequr më shumë gra në Forcat e Armatosura.
“Pas më shumë se 30 vitesh punë politike, prej të cilave më shumë se 25 në funksion ekzekutiv, është koha që unë të dorëzoj stafetën”, tha V. Amherst gjatë një konference për shtyp në Bernë.
Njoftimi i dorëheqjes së V. Amherst vjen disa javë pas përfundimit të mandatit të saj si presidente e Këshillit, pasi ministrat në Zvicër bëjnë rotacion në këtë detyrë çdo vit.
Ministrja e Mbrojtjes e dorëhequr ishte në qendër të kritikave të ashpra nga partia UDC (Bashkimi Demokratik i Qendrës), forca e parë politike në vend, e cila këtë fundjavë bëri thirrje për dorëheqjen e saj.
UDC akuzon Viola Amherst se dëshiron të sjellë Zvicrën, një vend neutral, më afër NATO-s.
Para se të shpallte dorëheqjen, V. Amherst foli për rënien e personelit të forcave të armatosura.
Personeli ushtarak ka rënë në dekadat e fundit, nga disa qindra mijëra anëtarë gjatë Luftës së Ftohtë në gati 147,000 në vitin 2024, kryesisht për shkak të futjes së shërbimit civil në vitin 1996.
Mbrojtja civile nuk financohet në mënyrë adekuate dhe ky problem po bëhet më i mprehtë nga viti në vit. “Në fund të kësaj dekade ushtria do të ballafaqohet me të njëjtin problem, sidomos për shkak të numrit të madh të largimeve për shërbim civil”, sqaroi V. Amherst.
“Duke pasur parasysh situatën aktuale të kërcënimit në Europë dhe në botë, pamjaftueshmëria e stafit të këtyre dy organizatave nuk mund të tolerohet përpara Këshillit Federal (të qeverisë)”, shtoi ajo, duke nënvizuar se “prandaj është i nevojshëm zhvillimi i sistemit të shërbimit të detyrueshëm”.
Për më tepër, qeveria “synon të vendosë një ditë të detyrueshme informimi për gratë” dhe ka ngarkuar Ministrinë e Mbrojtjes që të hartojë një plan në këtë drejtim, thuhet në një deklaratë për shtyp.
***
Këto janë vende ku institucioni “dorëheqje” funksionon pa asnjë mëdyshje dhe pa asnjë ditë vonesë. Nga ana tjetër politikanët zvicerianë vënë në plan të parë të tyre neutralitetin dhe distancimin e padiskutueshëm nga NATO.