Çfarë do të ndodhë?
Presidenti i ri amerikan po përshkallëzon retorikën e tij.
“Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, nuk do të kem zgjidhje tjetër, përveçse të vendos taksa dhe tarifa”, tha presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump, duke iu drejtuar sot Moskës dhe Presidentit rus, Vladimir Putin.
“Nuk dua të dëmtoj Rusinë. Unë e dua popullin rus dhe kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë me presidentin Putin”, theksoi ndër të tjera Donald Trump në një postim në Truth Social.
Ai kujtoi kontributin e Rusisë në Luftën e Dytë Botërore, duke thënë: “Nuk duhet të harrojmë se Rusia na ndihmoi të fitojmë Luftën e Dytë Botërore, duke sakrifikuar pothuajse 60 milionë jetë”.
Megjithatë, presidenti amerikan i dërgoi një mesazh të qartë Moskës, duke paralajmëruar pasojat e vazhdimit të luftës: “Bëj kompromis tani dhe ndalo këtë luftë qesharake! Nëse nuk arrijmë një marrëveshje së shpejti, nuk do të kem zgjidhje tjetër, veçse të vendos taksa, detyrime dhe sanksione të larta për gjithçka që Rusia eksporton në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera pjesëmarrëse”.
Ai përfundoi duke bërë thirrje për një zgjidhje të menjëhershme: “T’i japim fund kësaj lufte, e cila nuk do të kishte nisur kurrë nëse unë do të isha president. Mund ta bëjmë lehtë ose vështirë, por zgjidhja e lehtë është gjithmonë më e mirë. Le të bëjmë një marrëveshje! Nuk duhen humbur më jetë të tjera.”
A ka mundësi që Putin të “stepet”? Sigurisht që jo, në fund të fundit, lufta në Ukrainë nuk është çështje personaliteti në Shtëpinë e Bardhë: Vetëm nëse Rusia merr atë që dëshiron, lufta do të ndalet!