Trump thotë se parashikon një “pozicionim afatgjatë pronësor” të Rripit të Gazës.
SHBA do të “marrë Rripin e Gazës”, do ta rrafshojë atë dhe do të rindërtojë zonën nga fillimi, tha Presidenti Donald Trump gjatë një konference për shtyp, të martën në mbrëmje pas takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netaniahu, në Shtëpinë e Bardhë.
“SHBA do të marrë përsipër Rripin e Gazës dhe do të bëjmë një punë, së bashku me të”, tha Trump të martën në mbrëmje në një konferencë të përbashkët shtypi me Netaniahun. “Do ta zotërojmë dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme, të paeksplozuara dhe armëve të tjera në vend.”
“Rafshojeni vendin dhe hiqni qafe ndërtesat e shkatërruara, çojeni në nivelin zero, krijoni një zhvillim ekonomik që do të sigurojë një numër të pakufizuar vendesh pune dhe banesash për njerëzit e zonës” tha ai. “Bëni një punë të vërtetë. Bëni diçka ndryshe. Thjesht nuk mund të ktheheni prapa. Nëse ktheheni, do të përfundojë në të njëjtën mënyrë edhe për 100 vite.”
Netaniahu, i cili iu bashkua Trump-it për konferencën për shtyp të martën, është lideri i parë botëror që takohet me presidentin në Shtëpinë e Bardhë nën administratën e tij të dytë.
Kur u pyet për marrjen nën kontroll të Rripit të Gazës, Trump tha se ai i shikon SHBA-të në “pozitë afatgjatë pronësie” të pjesës së tokës, e cila ka të ngjarë të sjellë stabilitet në Lindjen e Mesme.
Kryeministri izraelit lavdëroi udhëheqjen e Trump.
“Unë shoh që SHBA sjell një stabilitet të madh në atë pjesë të Lindjes së Mesme dhe ndoshta në të gjithë Lindjen e Mesme”, tha Trump. “Dhe të gjithë ata me të cilët kam folur, ky nuk ishte një vendim i marrë lehtë, të gjithë me të cilët kam folur e pëlqejnë idenë që Shtetet e Bashkuara ta zotërojnë atë pjesë toke. Zhvillimi dhe krijimi i mijëra vendeve të punës, me diçka që do të jetë madhështore, në një zonë me të vërtetë madhështore, që askush nuk e dinte, pasi gjithçka që ata shihnin ishte vdekja, shkatërrimi dhe rrënojat.
Netaniahu, i pyetur edhe për Rripin e Gazës, përsëriti për mediat se ai ka tre synime, një prej të cilave është “të sigurohet që Gaza të mos përbëjë më kurrë kërcënim për Izraelin”.
“Presidenti Trump po e çon atë në një nivel shumë më të lartë”, tha udhëheqësi izraelit. “Ai sheh një të ardhme tjetër për atë pjesë toke që ka qenë fokusi i kaq shumë terrorizmi, kaq shumë sulmeve kundër nesh, kaq e kaq shumë gjyqeve, dhe kaq shumë mundimeve. Ai ka një tjetër ide dhe mendoj se ia vlen t’i kushtohet vëmendje kësaj.”
Takimi i dyshes në Shtëpinë e Bardhë përfshiu diskutimin e marrëveshjes aktuale të armëpushimit midis Izraelit dhe grupit terrorist Hamas dhe të ardhmen e tij, kontrollin e Iranit në Lindjen e Mesme dhe rivendosjen e banorëve të Gazës në vende të tjera.
“Në takimet tona sot, kryeministri dhe unë u fokusuam në të ardhmen, duke diskutuar sesi mund të punojmë së bashku për të siguruar eliminimin e Hamasit dhe përfundimisht rivendosjen e paqes në një rajon shumë të trazuar”, tha Trump gjatë konferencës për shtyp. “Ka qenë e trazuar, por ajo që ka ndodhur në katër vitet e fundit nuk ka qenë e mirë.”
Trump tha se Rripi i Gazës është bërë “një simbol i vdekjes dhe shkatërrimit për kaq shumë dekada dhe aq i keq për njerëzit kudo pranë tij”.
“Nuk duhet të kalojë nëpër një proces rindërtimi dhe okupimi nga të njëjtët njerëz që kanë qëndruar atje dhe kanë luftuar për të, kanë jetuar atje dhe kanë vdekur atje dhe kanë jetuar një ekzistencë të mjerueshme atje”, shtoi ai.
Netaniahu lavdëroi këmbënguljen dhe aftësinë e Trump “për të menduar jashtë kutisë”, me largpamësi, gjatë komenteve të tij për shtypin.
“Gatishmëria juaj për të tejkaluar të menduarit konvencional, të menduarit që ka dështuar herë pas here, gatishmëria juaj për të menduar jashtë kutisë me ide të reja, do të na ndihmojë të arrijmë të gjitha këto qëllime”, tha ai. “Dhe unë të kam parë ta bësh këtë shumë herë. Ti e ke nisur. Ti sheh gjëra që të tjerët refuzojnë t’i shohin. Ti thua gjëra që të tjerët refuzojnë t’i thonë, e di. Dhe pasi u bie nofulla, kruajnë kokat dhe thonë: “E di, ai ka të drejtë””.
Udhëheqësi izraelit vazhdoi se fitorja e kombit të tij, do të ishte gjithashtu një fitore për Amerikën.
“Fitorja e Izraelit do të jetë fitorja e Amerikës”, tha Netaniahu. “Ne jo vetëm që do ta fitojmë luftën duke punuar së bashku, por do të fitojmë paqen. Me lidershipin tuaj, zoti President dhe partneritetin tonë, besoj se do të krijojmë një të ardhme të shkëlqyer për rajonin tonë dhe do ta çojmë aleancën tonë të madhe në lartësi edhe më të mëdha.”