Panamaja u tërhoq nga nisma kineze.
Një fitore e re për presidentin amerikan Donald Trump, pasi presidenti i Panamasë njoftoi se ambasadori panamez në Pekin prezantoi një dokument për daljen e vendit nga nisma kineze “Një brez, një rrugë”.
Në të njëjtën kohë, presidenti i vendit përsëriti se pavarësisht faktit se Shtetet e Bashkuara janë partneri më i rëndësishëm tregtar i Panamasë, ato nuk do të ndërpresin marrëdhëniet me Kinën.
Ky vendim u bë i ditur pas vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit Marco Rubio në Panama. Ky veprim pritet t’i kursejë qeverisë amerikane miliona dollarë çdo vit.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se anijet e qeverisë amerikane nuk do të duhet të paguajnë më tarifa tranziti për të kaluar nëpër Kanalin e Panamasë.
Ky vendim vjen pas shqetësimeve të shprehura nga Donald Trump për ndikimin në rritje të Kinës në rajon.
Ndryshimi i politikës mund të përfitojë ndjeshëm tregtinë detare të SHBA-së, duke pasur parasysh rëndësinë e kanalit për rrugët amerikane të transportit.
Donald Trump ka shprehur fuqishëm shqetësimet e tij për Kanalin e Panamasë që nga fitorja e zgjedhjeve presidenciale. Ai ka pohuar vazhdimisht se Kina kontrollon fshehurazi operacionet e kanalit.
Donald Trump deklaroi se kanali ishte fillimisht një projekt amerikan, i cili i ishte dhuruar Panamasë dhe nuk duhet të kontrollohej indirekt nga Kina. Në fjalimin e tij të parë pas marrjes së detyrës, ai deklaroi: “Kanalin ia dhamë Panamasë, jo Kinës. Tani do ta marrim përsëri”.