Kreu rkonomisti i Commerzbank, Jörg Kremer, duket pesimist.
Kriza ekonomike po fillon të ndikojë në Gjermani, me “lokomotivën” e Europës që po përballet me një sërë problemesh që më parë i shihte në vende të tjera, të cilat ndonjëherë i trajtonte me shaka.
Tani, slogani “puno më shumë” nuk i shqetëson vendet e tjera si Greqia, Spanja, Italia, por u drejtohet vetë gjermanëve, të cilët po shohin ngadalë çmimet e produkteve të rriten dhe jo të bien.
Sipas Deutsche Welle, ekonomia gjermane mbetet në stanjacion, me PBB-në e saj që nuk shënon ndryshim në tremujorin e tretë të vitit 2025, sipas Zyrës Federale të Statistikave (Destatis). Ky zhvillim pasqyron dobësinë e vazhdueshme të “lokomotivës” së Europës për t’u rikuperuar.
Kërkesa për produktet gjermane mbetet e dobët, pasi tarifat amerikane dhe problemet strukturore në industrinë e automobilave dhe kimike kufizojnë eksportet.
Megjithatë, një ringjallje e ekonomisë nuk pritet para vitit 2026. Ekonomistët parashikojnë një rritje të dobët prej 0.2% për vitin 2025, megjithëse parashikohen investime masive shtetërore prej miliarda dollarësh në infrastrukturë, siç janë rrjetet rrugore dhe hekurudhore, si dhe në sektorin e mbrojtjes.
Në të njëjtën kohë, qeveria e Friedrich Merz është nën presion për të vazhduar me reformat që do të rrisin konkurrueshmërinë dhe do të zvogëlojnë burokracinë. Ministrja e Ekonomisë dhe Energjisë Katerina Reiche, theksoi nevojën për reforma në sistemin e sigurimeve shoqërore, tregun e punës dhe taksimin, ndërsa premtoi se “qeveria do të vazhdojë të punojë drejt arritjes së këtyre objektivave”.
“Rimëkëmbje e paqëndrueshme pa reforma!”
Krye-ekonomisti i Commerzbank, Jörg Kremer, duket pesimist, duke deklaruar së fundmi se ekonomia gjermane ende nuk ka marrë hov, duke shtuar se rimëkëmbja e planifikuar nga qeveria “nuk do të jetë e qëndrueshme pa reforma thelbësore”.
Në frontin e inflacionit, po regjistrohet një ulje e lehtë e tensioneve. Indeksi kryesor i çmimeve të konsumit ra në 2.3% në tetor, nga 2.4% në shtator, me inflacionin bazë (duke përjashtuar çmimet e ushqimit dhe energjisë) që mbeti i qëndrueshëm në 2.8%. Institutet kryesore ekonomike gjermane presin që inflacioni për të gjithë vitin 2025 të jetë 2.1%. Objektivi i BQE-së është 2%.
Kafeja dhe mishi i shtrenjtë.
Megjithatë, konsumatorët gjermanë ende po përballen me vështirësi në jetën e tyre të përditshme për shkak të shtrenjtimit, me çmimet e ushqimeve që mbeten 37% më të larta se para pandemisë.
Konkretisht, ka pasur një rritje mesatare prej 7.2% në çmimet e ushqimeve që nga shtatori, sipas Zyrës Federale të Statistikave.
Krahasuar me shtatorin 2024, kafeja u rrit me pothuajse 40%, mishi i viçit me 33.3% dhe mishi i pulës me 29%.
Vaji i ullirit shënoi një rënie të ndjeshme me 22.6% dhe sheqeri me 28.8%. E njëjta gjë vlen edhe për gjalpin, çmimi i të cilit ra në nivelin më të ulët në dy vitet e fundit: 1.39 euro për një pako 250 gramëshe. Rënia i atribuohet rritjes së prodhimit të qumështit dhe kërkesës së kufizuar.
Në të njëjtën kohë, çmimet e energjisë gjithashtu shënuan rënie, me gazin natyror që kushtoi 11.2% më pak dhe energjinë elektrike 6.3% më lirë se vitin e kaluar.
Pavarësisht kësaj rënieje të vogël, ushqimi në përgjithësi mbetet më i shtrenjtë se në vitin 2020, ndërsa pagat nuk janë rritur ndjeshëm në të njëjtën periudhë.


