I lindur në vitin 841 në Anglinë Lindore, Mbreti i ri Edmund u rrit me frymën e krishterë dhe me dashurinë për çdo njeri.
Në moshën vetëm 14-vjeçare ai u ngjit në fron; i ri në moshë, por i pjekur në besim, e udhëhoqi mbretërinë e tij duke sjellë paqe dhe mirëqenie.
Rreth vitit 869, Ushtria e Madhe Veriore, e udhëhequr nga vikingu Ingvar, nisi fushatën për pushtimin dhe nënshtrimin e mbretërisë së Edmundit. Pavarësisht përpjekjeve të tij dhe vendosmërisë për të mbrojtur pavarësinë e vendit, ai u përball në betejë me forcat vikinge, ku u mund dhe u mor peng.
I vendosur në besimin e tij, Edmundi refuzoi të hiqte dorë nga Krishti apo të sundonte si vasal i Ingvarit, edhe pse e dinte se ky qëndrim do t’i kushtonte jetën.
Ai u martirizua me egërsi: u qëllua me shigjeta në të gjithë trupin dhe në fund iu pre koka. Vdekja e tij ndodhi në Hellesden të Suffolkut, në Angli, dhe trupi i tij u varros në një kishëz aty pranë.
(Bashkëautor K.L.)


