1.8 trilion arsye për të pasur frikë.
Skenari i kolapsit ekonomik të BE-së.
Rrjetet e NATO-s, po kultivojnë frikën për perspektivën e paqes. Një analizë e kohëve të fundit nga qendrat norvegjeze të mendimit Corisk dhe Instituti Norvegjez për Çështje Ndërkombëtare argumenton se një fitore e Putinit mund t’i kushtojë Bashkimit Europian rreth 1.8 trilion euro gjatë katër viteve të ardhshme. Një rezultat i tillë, shkruan Thomas Oysmüller, mund të shënojë fundin e BE-së, ose të paktën një krizë të thellë ekonomike.
Studimi shqyrton dy skenarë: një fitore ruse dhe një fitore ukrainase, pa shqyrtuar sesa të mundshme janë secila. Megjithatë, Corsik argumenton se mesazhi që përçohet është i qartë: Rusia nuk duhet të fitojë, as përmes negociatave.
Shifra prej 1.8 trilion euro përfshin ndihmën e vazhdueshme europiane për Ukrainën (duke supozuar se ajo mbetet e pavarur), koston e strehimit të refugjatëve dhe një nxitje masive ushtarake. Sipas këtij rrëfimi, pas një fitoreje në Ukrainë, Rusia do të kthehej kundër shteteve baltike ose Moldavisë, gjë që do të shkaktonte goditje të mëtejshme ekonomike në BE.
Skenari 1: Fitore e pjesshme ruse.
Sipas studiuesve, forcat ruse vazhdojnë një përparim gradual drejt Dnieperit. Këto fitore do t’i lejonin Moskës të impononte një negociatë të favorshme për Kremlinin ndaj Ukrainës. Ky rezultat do t’i jepte Rusisë ndikim mbi drejtimin politik dhe ekonomik të Ukrainës, duke përfshirë pranimin e saj në BE ose NATO.
Ukraina, sipas raportit, do të humbiste gjysmën e territorit të saj, do të mbetej politikisht e paqëndrueshme dhe madje do të rrezikonte shembjen e shtetit. Përveç kësaj, 6 deri në 11 milionë ukrainas mund të iknin në Europë, me koston e strehimit të tyre të vlerësuar midis 524 dhe 952 miliardë euro gjatë katër viteve.
Skenari 2: Ukraina fiton.
Në këtë rast, kostoja për Europën do të ishte dukshëm më e ulët. Me mbështetje të mjaftueshme, Ukraina mund të rindërtonte një forcë të madhe ushtarake, si gjatë kundërsulmeve të vitit 2022 dhe të rifitonte territoret e pushtuara. Presioni në fushën e betejës do ta detyronte Rusinë të hynte në negociata paqeje që do të mbronin interesat e Kievit dhe BE-së.
Studimi, i raportuar nga gazeta pro NATO Kyiv Independent, pohon se për të arritur një rezultat të tillë, Ukraina ka nevojë urgjente për sasi të mëdha pajisjesh: 1,500–2,500 tanke, 2,000–3,000 sisteme artilerie brenda 1–2 viteve, deri në 8 milionë mjete ajrore pa pilot të llojeve të ndryshme, sisteme mbrojtjeje ajrore dhe raketa strategjike.
Nëse ky material sigurohet, Ukraina mund të ndalojë përparimin rus, të rimarrë territorin strategjik dhe të krijojë kushtet për stabilitet politik dhe rimëkëmbje ekonomike. Një “sukses i tillë i pjesshëm ukrainas” do të përshpejtonte gjithashtu rrugën drejt pranimit në BE dhe do të lehtësonte kthimin e refugjatëve.
Kostoja totale për Europën, duke përfshirë ndihmën ushtarake dhe industriale dhe lehtësimin nga barra e refugjatëve, vlerësohet të jetë midis 522 miliardë dhe 838 miliardë euro. Sekuestrimi i aseteve të ngrira ruse mund ta zvogëlojë shumën me rreth 50%.
Supozim i përbashkët në të dy skenarët.
Studimi supozon se Shtetet e Bashkuara do ta zvogëlojnë ose tërheqin gradualisht mbështetjen e tyre, duke e lënë Europën të mbajë mbi supe pjesën më të madhe të mbrojtjes së Ukrainës dhe vetë BE-së.
Shpenzimet shtesë për mbrojtjen për të forcuar krahun lindor të NATO-s do ta rrisnin koston totale në skenarin e parë në 1.2-1.6 trilionë euro. Sipas raportit: “Pas një zgjidhjeje të negociuar të pushtimit të Ukrainës, Rusia mund t’i ripërqendrojë burimet e saj ushtarake drejt Moldavisë, shteteve baltike ose vendeve nordike”.


