Rritje taksash për të mbuluar përvetësimin!
Taksa dhe shkurtime pak para se vendi të bashkohet me Euron.
Mijëra njerëz demonstruan sot në Sofje dhe qytete të tjera në Bullgari, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë për herë të tretë në muajin e fundit, me protestuesit që u mblodhën në Sheshin e Pavarësisë, jashtë parlamentit në qendër të kryeqytetit bullgar, duke bërtitur “Jepni dorëheqjen!” dhe duke mbajtur pankarta që shkruanin “Largohuni!”.
“Jam këtu sepse korrupsioni është kudo. Situata është e padurueshme. Shumë nga miqtë e mi nuk jetojnë më në Bullgari dhe nuk do të kthehen”, tha Gergana Gelkova, 24 vjeç, një shitëse dyqani, duke shtuar se “parazitët duhet të largohen nga pushteti”.
Vala e pakënaqësisë filloi të rritet në fund të nëntorit, kur qeveria u përpoq të përshpejtonte miratimin e buxhetit të vitit 2026, ndërsa vendi më i varfër në BE përgatitet të miratojë euron më 1 janar.
Qeveria bullgare tërhoqi projektbuxhetin e saj më 3 dhjetor, i cili përfshinte rritje të taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore. Rritjet ishin të dizajnuara për të mbuluar përvetësimin e fondeve publike, sipas protestuesve dhe opozitës.
Një projektbuxhet i ri iu dorëzua parlamentit në fillim të kësaj jave.
Përveç qeverisë, protestuesit po synojnë ish manjatin e medias Deljan Peevski, të cilin opozita e akuzon për ushtrimin e ndikimit të tepruar mbi median, gjyqësorin dhe shërbimet e sigurisë.
Peevski kryeson Lëvizjen për të Drejta dhe Liri, një parti që përfaqëson pakicën turke dhe një pjesë të komunitetit rom. SHBA-të dhe Britania kanë vendosur sanksione ndaj politikanit 45-vjeçar për korrupsion.


