Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në 20 shtete dhe Uashington.
Mijëra anulime fluturimesh dhe temperatura polare prej -45°C.
Të paktën dhjetë persona kanë vdekur për shkak të stuhisë së fortë dimërore që ka goditur Shtetet e Bashkuara ditët e fundit, duke shkaktuar probleme të përhapura me furnizimin me energji elektrike, transportin urban dhe atë ajror.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), priten më shumë reshje dëbore, ngrica dhe shi i ngrirë, ndërsa 20 shtete dhe kryeqyteti federal Uashington kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Meteorologët e quajnë një nga stuhitë më të këqija dimërore në dekada, me temperatura nën zero, reshje të dendura dëbore dhe grumbullim të rrezikshëm akulli.
Në New York, kryebashkiaku Zoran Mamdani tha se pesë persona u gjetën të vdekur jashtë, gjatë fundjavës, duke theksuar rreziqet e të ftohtit ekstrem, veçanërisht për të pastrehët. Në videot që qarkullojnë në mediat sociale, ai shihet duke u përpjekur të pastrojë borën nga rrugët e qytetit.
Në Teksas, autoritetet konfirmuan tre vdekje, përfshirë një adoleshent 16-vjeçar pas një aksidenti me slitë. Dy persona të tjerë vdiqën nga hipotermia në Luiziana, sipas Departamentit të Shëndetësisë së shtetit.
Shkalla e stuhisë reflektohet edhe në ndërprerjet e energjisë elektrike. PowerOutage.com raporton se më shumë se një milion shtëpi janë pa energji elektrike. Në Tenesi, më shumë se 300,000 klientë mbetën në errësirë për shkak të akumulimit të akullit, ndërsa Luiziana, Misisipi dhe Xhorxhia raportuan secila më shumë se 100,000 ndërprerje.
Autoritetet nga Teksasi në Karolinën e Veriut dhe New York u bënë thirrje njerëzve të qëndrojnë brenda. “Shmangni daljen jashtë nëse nuk është absolutisht e nevojshme”, tha Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave të Teksasit.
Stuhia u zhvendos në verilindje, duke goditur qytete të mëdha duke përfshirë Filadelfian, New York-un dhe Bostonin, ndërsa një shtresë e trashë bore mbuloi Uashingtonin. Presidenti i SHBA-ve Donald Trump tha se qeveria federale është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e prekura, duke i nxitur qytetarët të qëndrojnë të sigurtë.
Në të njëjtën kohë, probleme serioze po regjistrohen në transportin ajror. Aeroportet në Uashington, Filadelfia dhe New York janë praktikisht të paralizuara, ndërsa sipas FlightAware, më shumë se 19,000 fluturime për në ose nga SHBA-të janë anuluar që nga e shtuna dhe mijëra të tjera kanë patur vonesa.
Stuhia shoqërohet me një shqetësim të vorbullës polare, një masë ajri të ftohtë që zakonisht mbetet mbi Polin e Veriut, por këtë herë është zhvendosur më në jug. Shkencëtarët po shqyrtojnë nëse shqetësime të tilla lidhen me ndryshimet klimatike, megjithëse ata gjithashtu tregojnë rolin e ndryshimeve natyrore.
Autoritetet po paralajmërojnë se temperaturat e rrezikshme të ftohta mund të vazhdojnë për të paktën një javë pas stuhisë, me temperaturën në pjesë të Rrafshnaltave të Mëdha Veriore që potencialisht mund të arrijë -45°C, duke rritur rrezikun për jetën njerëzore dhe infrastrukturën.

