Vatikani duket se ka urdhëruar heqjen e veprës së restauruar, të cilën artisti rrëfeu se e kishte bërë të ngjante me kryeministren.

Fytyra e një engjëlli me krahë që ngjante me kryeministren italiane Giorgia Meloni është fshirë nga një afresk në një kishë historike të Romës, duke i dhënë fund një debati që turpëroi Vatikanin.
Imazhi në pikturën murale në një faltore të Bazilikës së Shën Lorencit në Lucina në Romën qendrore u hoq gjatë natës, duke e lënë kerubinin pa kokë.
Imazhi i Melonit u shfaq pas restaurimit nga një artist amator, Bruno Valentinetti, me imazhin e raportuar për herë të parë nga La Repubblica të shtunën.

Valentinetti i tha gazetës të mërkurën se Vatikani i kishte kërkuar ta hiqte. Ndërsa një zëdhënës i Vatikanit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Valentinetti për ditë të tëra mohoi se e kishte restauruar qëllimisht fytyrën e engjëllit që të dukej si Meloni, përpara se të rrëfente. “Po, është fytyra e kryeministres”, i tha ai La Repubblica. “Por është e ngjashme me pikturën e mëparshme.”
Piktura e ndryshuar u përfundua për herë të parë në vitin 2000 dhe nuk mbrohet nga asnjë rregullore trashëgimie.
Ngjashmëria me Melonin nxiti hetime nga ministria e kulturës e Italisë dhe dioqeza e Romës, me kardinalin Baldo Reina, vikarin e përgjithshëm të dioqezës, duke shprehur “hidhërim” për incidentin. Ai tha: “Imazhet e artit të shenjtë dhe traditës së krishterë nuk mund të keqpërdoren ose shfrytëzohen”.
Daniele Micheletti, famullitari i bazilikës, tha se kishte vënë re “një ngjashmëri të caktuar” me Melonin, por këmbënguli se i kishte udhëzuar Valentinettit të restauronte pikturën, e cila kishte pësuar dëmtime nga uji, pikërisht ashtu siç ishte.

Që kur u bë e ditur historia, kisha është mbushur me vizitorë kuriozë për ta parë vetë imazhin. “Pati një procesion njerëzish që erdhën ta shihnin atë në vend që të dëgjonin meshën ose të luteshin”, tha Micheletti. “Nuk ishte e pranueshme.”
Politikanët e opozitës e shfrytëzuan skandalin, me anëtarët e Lëvizjes Pesë Yje që thanë në një deklaratë se arti dhe kultura nuk duhet të rrezikojnë të bëhen “një mjet për propagandë apo ndonjë gjë tjetër, pavarësisht nëse fytyra e paraqitur është ajo e kryeministres”.
Meloni kishte qeshur me incidentin, duke postuar një fotografi të pikturës në llogarinë e saj në Instagram me mbishkrimin: “Jo, unë definitivisht nuk dukem si engjëll” dhe një emoji që qesh.

