“Qortim” i paparë nga Merz drejtuar gjermanëve: “Punoni më shumë – Shikoni grekët”.
Greqia në krye të BE-së për nga orët e punës dhe në fund për nga pagat!
Kancelari Friedrich Merz po shkakton një përplasje të drejtpërdrejtë me një pjesë të madhe të shoqërisë gjermane, duke miratuar një qëndrim të ashpër për orët e punës dhe lejet mjekësore. Në një periudhë stanjacioni ekonomik dhe presioni të fortë politik, po dërgon mesazhin se gjermanët “duhet të punojnë më shumë”, duke nënkuptuar se modeli ekzistues i punës nuk është i mjaftueshëm për të ruajtur nivelin e prosperitetit të vendit.
Ndërhyrja e tij prek afërsisht 46 milionë punëtorë dhe vjen në një vit zgjedhjesh rajonale vendimtare, në një vend që tradicionalisht krenohet me disiplinën dhe kulturën e tij të punës.
“Prosperiteti nuk mbahet me një javë pune katër-ditore!”
Në një fjalim para përfaqësuesve të industrisë në Gjermaninë lindore, Merz argumentoi se produktiviteti i përgjithshëm nuk ishte në nivelin e dëshiruar, duke theksuar në veçanti zgjerimin e punës me kohë të pjesshme. Siç tha ai, ekuilibri midis punës dhe jetës personale dhe skenarët e punës katër-ditore nuk ishin të mjaftueshme për të siguruar stabilitet ekonomik afatgjatë.
Pak më vonë, në një tubim zgjedhor në Baden-Württemberg, ai sulmoi lejen mjekësore, e cila – sipas shifrave që ai citoi – mesatarisht është pothuajse tre javë në vit, një normë më e lartë se mesatarja europiane. Vuri në dyshim nëse sasia e një leje të tillë ishte vërtet e nevojshme dhe sugjeroi krijimin e stimujve për punonjësit që të mbeten aktivë në punën e tyre.
Konflikti mbi punën me kohë të pjesshme!
Statistikat tregojnë se Gjermania renditet ulët në BE përsa i përket orëve mesatare javore të punës, një faktor kyç është përhapja e lartë e punës me kohë të pjesshme.
Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) ka propozuar kufizimin e të drejtës ligjore për punë me kohë të pjesshme, përveç arsyeve specifike, siç janë kujdesi për fëmijët ose shkollimi. Formulimi fillestar i një “stili jetese me kohë të pjesshme” shkaktoi reagime të forta, veçanërisht nga punëtoret femra që e përdorin masën për arsye familjare. Pas reagimit të ashpër, fraza kontraverse u hoq nga teksti për t’u diskutuar në konferencën e partisë.
Një sondazh i ARD zbuloi se rreth dy të tretat e qytetarëve e refuzojnë propozimin për të kufizuar punën me kohë të pjesshme, ndërsa vetëm 31% u besojnë konservatorëve në menaxhimin e ekonomisë – një përqindje që ka rënë që nga viti i kaluar.
Greqia si pikë referimi!
Referenca e Merz ndaj Greqisë, e cila kryeson BE-në përsa i përket orëve të punës, është veçanërisht mbresëlënëse. Një vend që ishte shënjestër e kritikave nga konservatorët gjermanë gjatë krizës së borxhit, një vend që u vodh nga bankat gjermane, tani po paraqitet nga gjermnanët si një shembull i punës intensive.
Gjatë vizitës së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Berlin vitin e kaluar, kancelari gjerman kishte shprehur komente pozitive në lidhje me ndryshimet që lejojnë një javë pune gjashtë-ditore, duke lënë të kuptohet se Gjermania mund të shqyrtojë praktika të ngjashme.
Hapësirë e kufizuar për manovrim.
Pavarësisht retorikës së tij, Merz vepron brenda kufijve të ngushtë politikë, pasi ai qeveris në një koalicion me Partinë Social Demokratike (SPD), e cila mbron regjimin ekzistues të punës.
Në të njëjtën kohë, papunësia ka tejkaluar 3 milionë, duke arritur nivelin e saj më të lartë në 12 vitet e fundit, ndërsa punësimi industrial po tkurret. Në këtë mjedis, diskutimi rreth orëve më të gjata të punës dhe më pak pushimeve po shndërrohet në një bast më të shtrirë politik mbi të ardhmen e ekonomisë më të madhe të Europës.


