Para mbylljes së tij, aty strehoheshin kriminelë famëkeq si Al Kapone dhe James “Whitey” Bulger.
Shtëpia e Bardhë të martën kërkoi 152 milionë dollarë për të rihapur ish burgun e Alkatrazhit, duke iu përgjigjur kërkesës së Presidentit Donald Trump një vit më parë për ta shndërruar ishullin në një strukturë korrektuese.
Sot, ishulli është një destinacion i njohur turistik në Gjirin e San Françiskos.
Kërkesa u përfshi në propozimin e buxhetit që Shtëpia e Bardhë publikoi për vitin fiskal 2027.
Kërkesa të tilla për shpenzime zakonisht trajtohen nga ligjvënësit në Kongres si propozime.
Buxheti kërkon fonde për Byronë Federale të Burgjeve për të mbuluar vitin e parë të punës për të rindërtuar Alkatrazhin në një “burg të sigurisë maksimale të teknologjisë së fundit”.
Alkatrazh u mbyll në vitin 1969 dhe menaxhohet nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare.
Majin e kaluar, presidenti amerikan njoftoi në mediat sociale se po i drejtohej Byrosë së Burgjeve, Departamentit të Drejtësisë të SHBA-ve dhe autoriteteve të tjera që të “rihapnin një Alkatrazh dukshëm më të madh dhe të rinovuar për të strehuar shkelësit më të pamëshirshëm dhe të dhunshëm të Amerikës”.
Alkatrazh, i cili u hap në vitin 1934, konsiderohej burgu më i sigurtë i Amerikës duke pasur parasysh vendndodhjen e tij në ishull, ujërat e akullta dhe rrymat e forta.
Nuk u regjistrua zyrtarisht asnjë arratisje e suksesshme, megjithëse pesë të burgosur u raportuan si “të zhdukur dhe të supozuar të mbytur”.
Para mbylljes së tij, ai “strehonte” kriminelë famëkeq si Al Kapone dhe James “Whitey” Bulger.
Byroja e Burgjeve deklaron në faqen e saj të internetit se u mbyll sepse ishte shumë i shtrenjtë për të vazhduar funksionimin, duke vënë në dukje se kostot e tij operative janë pothuajse tre herë më të larta se ato të çdo burgu tjetër federal.


