Europa e vetme në udhëkryqin më të rrezikshëm në histori!
Trump nuk po e zgjat më, “pistoleta” e tërheqjes është në tavolinë dhe Kontinenti i Vjetër ndjen të ftohtin e braktisjes.
Ombrella ushtarake që mbrojti Europën për dekada duket se po mbyllet me një shpërthim të dhunshëm. Donald Trump, sipas burimeve të Shtëpisë së Bardhë, tani po shqyrton seriozisht skenarin e një tërheqjeje masive të forcave amerikane nga toka europiane. Ky nuk është vetëm një veprim strategjik, por një akt “hakmarrjeje” kundër aleatëve që, sipas tij, e tradhtuan në momentet më kritike.
“Lista e Ndëshkimeve” dhe Fronti i Iranit
Zemërimi i presidentit amerikan ka vluar pasi shumë kryeqytete europiane refuzuan ta mbështesin në mënyrë aktive luftën kundër Iranit. Trump thuhet se është tërbuar me Gjermaninë dhe Spanjën, të cilat jo vetëm që nuk dërguan anije në Ngushticën e Hormuzit, por kritikuan operacionet SHBA-Izrael.
Sipas Wall Street Journal, Shtëpia e Bardhë po harton lista të “miqve dhe armiqve”. Vendet që kanë mbajtur distancën rrezikojnë të shohin 80,000 ushtarë amerikanë të mblidhen dhe të kthehen në SHBA, duke lënë boshllëqe sigurie që Europa nuk është në gjendje t’i mbushë vetë.
Gjëmbi i Groenlandës dhe “shantazhi” i Danimarkës
Përtej Iranit, çështja e Groenlandës po rikthehet në plan të parë si një nga pikat më të çuditshme, por më të rrezikshme të fërkimit. Trump nuk e ka harruar kurrë “jo”-në e danezëve ndaj propozimit të tij për të blerë ishullin. Tani, këmbëngulja e tij për aneksimin e Groenlandës për arsye të dominimit strategjik në Arktik po përdoret si levë. “Nëse nuk jeni me ne në Groenlandë dhe Hormuz, pse duhet të jemi në Gjermani?”, ka thënë ai.
Gjermania në shënjestër: 30,000 ushtarë në gatishmëri.
Goditja më e madhe pritet në Gjermani, ku janë të stacionuar më shumë se 30,000 ushtarë. Baza Ramstein, zemra e operacioneve amerikane, është në prag të kolapsit. Diplomatët europianë e përshkruajnë situatën si një “ultimatum pa kushte”. Edhe pse Pentagoni ende nuk e ka marrë urdhrin përfundimtar, atmosfera sjell aromën e çarjes përfundimtare.
Europa tani përballet me një makth: mbrojtjen e kufijve të saj pa fuqinë amerikane, në një kohë kur Trump po shpall se “epoka e sigurisë së lirë më në fund ka mbaruar”.

