Petro Khurin përshkruan kushtet dramatike të punës së rimëkëmbjes dhe problemet serioze shëndetësore me të cilat përballet deri më sot.
Dyzet vite pas aksidentit bërthamor të Çernobilit, Petro Khurin, një nga njerëzit që morën pjesë në punën e rimëkëmbjes, përshkruan sesi shëndeti i tij nuk u përmirësua kurrë plotësisht, pas ekspozimit ndaj rrezatimit pas shpërthimit në reaktorin 4, më 26 prill 1986.
Ai ishte një nga qindra mijëra “likuidatorë” të thirrur për t’u marrë me pasojat e katastrofës në termocentralin bërthamor të Çernobilit, në Bashkimin Sovjetik të atëhershëm. Shpërthimi shkaktoi lirimin e sasive të mëdha të materialit radioaktiv që preku pjesën më të madhe të Europës dhe la pas ndikime afatgjata shëndetësore dhe mjedisore.
Sipas të dhënave, 31 punëtorë dhe zjarrfikës vdiqën menjëherë nga rrezatimi, ndërsa mijëra të tjerë vdiqën në vitet në vijim nga sëmundje të lidhura me rrezatimin, si kanceri dhe me numrin e saktë të viktimave që mbetet ende një objekt debati shkencor.
Khurin punonte për një kompani makinerish ndërtimi në atë kohë dhe u dërgua në zonën e përjashtuar në qershor të vitit 1986. Ai thotë se nga 40 personat që morën pjesë nga e njëjta kompani, vetëm pesë janë gjallë sot.
Gjatë punës, ai drejtoi një ekskavator, transportonte materiale që përmbanin plumb dhe beton për ndërtimin e sarkofagut që mbulonte reaktorin e dëmtuar. Ai përshkruan punën në kushte pluhuri intensiv dhe stresi të lartë, duke veshur pajisje respiratore që nuk ishin të mjaftueshme për ta mbrojtur plotësisht.
Disa ditë pas ekspozimit, ai filloi të përjetonte simptoma serioze, të tilla si dhimbje koke, dhimbje gjoksi dhe hemoragji. Siç thotë ai, mjekët në atë kohë shmangnin t’ia atribuonin problemet rrezatimit, duke ia atribuuar ato diagnozave të tjera.
Pas shumë muajsh shtrimi në spital dhe trajtimeve të përsëritura, Khurin u kthye në jetë me efekte të përhershme në shëndetin e tij.
Sot ai vuan, ndër të tjera, nga anemia, angina pektoris dhe pankreatiti, gjendje që ai ja atribuon ekspozimit të tij ndaj rrezatimit.
Dëshmia e tij vjen për të na kujtuar, katër dekada më vonë, koston njerëzore të katastrofës më të madhe bërthamore në histori.



