1 Pavli, apostull i Jezus Krishtit me vullnetin e Perëndisë, shenjtëve që janë në Efes dhe besimtarëve në Krishtin Jezus,
2 hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezus Krisht.
3 I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezus Krisht, që na bekoi me çdo bekim shpirtëror në vendet qiellore me anë të Krishtit,
4 siç edhe na zgjodhi ne me anë të tij para se të themelohet bota, që të jemi shenjtorë dhe të paqortueshëm përpara tij në dashuri,
5 duke na paracaktuar për birësim tek vetë ai me anë të Jezus Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të tij,
6 për mburrje të lavdisë së hirit të tij, të cilin na e dhuroi me anë të të Dashurit të tij,
7 tek i cili kemi shpërblimin me anë të gjakut të tij, ndjesën e fajeve, sipas pasurisë së hirit të tij,
8 të cilin na e dha me të tepërt me çdo urtësi e mençuri,
9 duke na njohur misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që e pati paracaktuar në vetvete,
10 me synimin që kur të mbushen kohët, t’i përmbledhë të gjitha në Krishtin, edhe ato që janë në qiej edhe ato që janë mbi dhe; në atë,
11 tek i cili edhe morëm trashëgim, siç qe paracaktuar sipas qëllimit të atij që i bën të gjitha sipas pëlqimit të vullnetit të tij,
12 që ne shpresuam më përpara tek Krishti të jemi për mburrje të lavdisë së tij;
13 tek i cili shpresuat edhe ju, pasi dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj; dhe tek i cili, pasi besuat u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit,
14 që është paradhënia e trashëgimit tonë, deri në shpërblimin e atyre që u fituan për lëvdim të lavdisë së tij.
15 Prandaj edhe unë, si dëgjova për besimin tuaj në Zotin Jezus dhe për dashurinë që keni për të gjithë shenjtorët,
16 nuk pushoj duke falenderuar Perëndinë për ju, e duke ju përmendur ju në lutjet e mia,
17 që t’ju japë juve Perëndia i Zotit tonë Jezus Krisht, Ati i lavdisë, frymë diturie e zbulese, që ta njihni atë;
18 që sytë e mendjes tuaj të jenë të ndriçuar, që të njihni cila është shpresa e thirrjes së tij, edhe cila është pasuria e lavdisë së trashëgimit të tij për shenjtorët;
19 edhe cila është madhëria e pafund e fuqisë së tij tek ne që besojmë sipas veprimit të pushtetit të fuqisë së tij,
20 të cilën e veproi në Krishtin, kur e ngjalli atë prej së vdekurish, edhe e vuri të rrijë në të djathtë të tij në vendet qiellore,
21 përmbi çdo kryesi e pushtet e fuqi e zotërim e çdo emëri që është quajtur jo vetëm në këtë jetë, po edhe në atë që vjen.
22 Edhe të gjitha i vuri nën këmbët e tij, edhe e vuri krye përmbi të gjitha në kishë,
23 e cila është trupi i atij, plotësimi i atij që i plotëson të gjitha në të gjitha.