Çështja është e hapur…, por tani, jo!
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis për momentin ka përjashtuar mundësinë që Greqia të dërgojë avionë luftarakë Mirage të prodhimit francez, në Ukrainë.
Në një pyetje gjatë intervistës së tij me Bloomberg, nëse Greqia do të bashkëpunojë me Francën për dërgimin e avionëve luftarakë Mirage në Ukrainë, kryeministri u përgjigj se nuk po diskutojnë publikisht opsionet operacionale.
“Ajo që kam thënë dhe do të përsëris është se ne nuk do të bëjmë asgjë që do të degradonte aftësitë mbrojtëse të Greqisë. Ne i kemi ofruar një mbështetje të madhe Ukrainës nga materiali ynë i tepricave të mbrojtjes dhe në masën që mund të vazhdojmë ta bëjmë këtë, do ta bëjmë. Por kur fillojmë të flasim për avionë luftarakë, biseda shkon në një nivel tjetër. Nuk jemi aty”.
Çfarë tha për zgjedhjet në Francë?
Kryeministri u pyet gjithashtu për vendimin e presidentit francez Emmanuel Macron për të thirrur zgjedhjet parlamentare:
“Kam respekt të madh për presidentin Macron. Ne kemi punuar së bashku shumë mirë në Këshillin Evropian. Ne kemi një partneritet të fortë strategjik me Francën, ndaj mendoj se do të ishte shumë e papërshtatshme që unë të komentoja zhvillimet e brendshme politike në Francë.
Ajo që më intereson është të siguroj që zëri francez të dëgjohet me me forcë dhe të qartë në tryezën e Këshillit Europian dhe që Franca të mbetet një forcë pro europiane. Për shembull, me presidentin Makron ne biem dakord për çështje të tilla si, nevoja për të forcuar mbrojtjen europiane. Siç e dini ndoshta, unë kam qenë një mbështetës i madh i idesë për të ardhur me një projekt kryesor të mbrojtjes europiane. Mund të jetë një iniciativë europiane e mbrojtjes raketore që mund të financohet përmes huamarrjes së përbashkët europiane dhe Franca ka mbështetur nisma të tilla.
Kështu që unë jam i interesuar se kush e përfaqëson Francën në Këshillin Europian dhe Presidenti Makron do të vazhdojë ta bëjë këtë. Por, do ta them përsëri, nuk është veçanërisht e përshtatshme për mua të komentoj zhvillimet e brendshme politike në Francë”.