Në kapitullin e 4-t të Apokalipsit lexojmë për çështjen e “gjykimit të fundit” që ndodh përpara Ardhjes së Dytë të Krishtit dhe synon të përcaktojë se kujt do t’i jepet jeta e përjetshme.
Në kapitullin 5-të Joani pa në krahun e djathtë të Atij që rrinte mbi fron (Perëndisë) një libër, të shkruar nga brenda dhe nga pas, të vulosur me shtatë vula (Apokalipsi 5:1). Për shkak se kapitulli 5 është një vazhdim i skenës që shohim në kapitullin 4, arrijmë në përfundimin se libri lidhet me gjykimin e fundit.
Kush është i denjë ta hapë këtë libër?
Një “engjëll i fuqishëm” pyet duke sfiduar: “Kush është i denjë të hapë librin dhe të heqë vulat e tij?” Çfarëdo që shkruhet në libër ka padyshim një rëndësi të madhe, sepse apostulli Joani “qau me hidhërim, se askush nuk u gjet i denjë ta hapë dhe ta lexojë librin” (Apokalipsi 5:4).
Sipas analizës që gjendet në seksionin 5:2-4 se, kush është i denjë për librin, kuptohet që “engjëlli i fuqishëm” është Satani që nuk dëshiron që libri të hapet, sepse në të janë shkruar emrat e besimtarëve dhe dëshmitë e besimit të tyre, që do t’i mundësojnë ata të shpëtohen.
Luani i fisit të Judës
Një nga pleqtë i thotë Joanit të mos qajë: “Ja, luani që është nga fisi i Judës, rrënja e Davidit, fitoi për të hapur librin dhe për të zgjidhur shtatë vulat e tij” (Apokalipsi 5:5).
Këta dy tituj i referohen Jezusit, por për habinë tonë, Jezusi nuk paraqitet si një luan apo një mbret, por si “një Qengj i vrarë” (Apokalipsi 5:6).
Sakrifica e Krishtit në kryq është fakti që i jep Atij të drejtën të hapë librin dhe t’i sigurojë shpëtimin kujtdo që është shkruar në të.
Libri i Jetës
Ka shumë supozime se çfarë saktësisht është libri i vulosur. Shumë prej tyre bëjnë krahasime me libra të lashtë të epokës romake, si testamentet, marrëveshjet etj.
Megjithatë, është e arsyeshme të supozohet se një libër kaq i rëndësishëm sa një kapitull i tërë, i kushtohet përshkrimit të hapjes së tij, fakt që do të përmendet edhe në pjesë të tjera të Apokalipsit. Në pjesën tjetër të tekstit të Apokalipsit, libri më i rëndësishëm që hasim është Libri i Jetës.
Libri i Jetës përmendet 7 herë[1], pasi libri i kapitullit 5 lidhet ngushtë me Jezu Krishtin dhe rolin e tij si qengji flijues (libri i vulosur i jepet qengjit në Apokalipsi 5 dhe në Apokalipsi 21:27, Libri i Jetës quhet “libri i jetës së Qengjit”).
Libri i jetës në gjykim
Është gjithashtu i lidhur ngushtë me gjykimin. “Dhe pashë të vdekurit, të vegjël dhe të mëdhenj, duke qëndruar përpara Perëndisë dhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, që është ai i jetës dhe të vdekurit u gjykuan sipas gjërave të shkruara në librat” (Apokalipsi 20:12).
Armiqtë e fëmijëve të Perëndisë që ndjekin bishën nuk janë shkruar në Librin e Jetës (Apokalipsi 13:8, 17:8), por fëmijëve të Perëndisë u kërkohet gjithashtu të jetojnë në atë mënyrë që, emri i tyre të mos fshihet nga Libri i Jetës (Apokalipsi 3:5, 22:19).
Pra, arrijmë në përfundimin se Libri i Jetës lidhet me çështjet e jetës dhe vdekjes, të cilat janë temat kryesore të librit të Apokalipsit. Prandaj është e lehtë të kuptohet reagimi i Joanit, “Dhe unë qava shumë, se askush nuk u gjet i denjë për ta hapur librin, për ta lexuar, as për ta parë” (Apokalipsi 5:4).
Nëse libri i jetës nuk do të hapej, askush nuk mund të gjykohej, që do të thotë se askush nuk mund të shpëtohej. “Nuk do të hyjë (në mbretërinë e Perëndisë) asgjë që ndot dhe shkakton neveri dhe gënjeshtra; por vetëm ato që janë shkruar në librin e jetës së Qengjit” (Apokalipsi 21:27).
Librat që do të hapen në Gjykim
Libri i Jetës nuk është i vetmi libër që do të hapet në Gjykim, sepse në librin e Danielit lexojmë se “Gjyqtari u ul dhe librat u hapën” (Danieli 7:10).
Pa dyshim, këto përfshijnë Librin e Ligjit të Perëndisë (Galatasve 3:10, Ligji i Përtërirë 28:58,61), librat e besëlidhjeve që Perëndia ka bërë me popullin e Tij (2 Kronikave 34:30,31), librat që paraqesin jeta dhe mësimi i Jezu Krishtit (Joani 12:47,48 [2]) dhe libri me planin e jetës që Perëndia ka për secilin prej nesh (Psalmi 139:16).
Gjithçka që është shkruar në librin e Jetës në lidhje me jetën tonë do të krahasohet me atë që është shkruar në librat e tjerë.
Natyrisht, Zoti nuk ka nevojë të hapë një libër për të gjykuar, pasi ai është i gjithëdijshëm. Pika e rëndësishme është se “librat” nuk do t’i hapen Zotit, por më tepër për “mijëra mijëra dhe mijëra mijëra”, domethënë engjëjt që janë “rreth fronit”. Ata do të jenë “fqinj” të përjetshëm me të shpëtuarit dhe janë të interesuar për përfundimin e drejtë të gjykimit, në mënyrë që “të mos hyjë asgjë në atë që ndot, shkakton neveri dhe gënjeshtra, por vetëm ato që janë shkruar në librin e jetës së Qengjit” (Apokalipsi 21: 27).
***
[1] Apokalipsi 3:5, 13:8, 17:8, 20:12, 15, 21:27, 22:19.
[2] “Dhe nëse dikush i dëgjon fjalët e mia dhe nuk beson, unë nuk e gjykoj, sepse nuk erdha për të gjykuar botën, por për të shpëtuar botën. Ai që nuk më bindet dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka një që e gjykon fjalën që kam thënë, ai do ta gjykojë në ditën e fundit”. (12:47,48).