Çfarë tha ish kancelari që krijoi mrekullinë ekonomike të Gjermanisë?
Ish kancelari gjerman Gerhard Schröder, lideri që krijoi mrekullinë ekonomike gjermane duke sjellë gaz të lirë rus në vendin e tij, teksa ndërtoi gazsjellësin famëkeq Nord Stream I, tha se kushdo që “ëndërron të mposhtë Rusinë me mjete ushtarake ka nevojë për një mësim historie”.
“Unë rekomandoj që kushdo që e beson këtë të shikojë librat e historisë. Nga Napoleoni tek Hitleri, të gjithë dështuan për shkak të tij”, tha politikani veteran për mediat gjermane.
Kriza ukrainase ka shërbyer për të mbledhur shoqërinë ruse, me rusët “të bindur se Perëndimi po e përdor Ukrainën vetëm si majë shtize për ta gjunjëzuar Rusinë”, shtoi Gerhard Schröder.
Politikani 80-vjeçar, i cili mori pjesë në bisedimet e paqes në Stamboll në pranverën e vitit 2022, tha se ndryshe nga pretendimet në mediat perëndimore në atë kohë, “paqja ishte e mundur”.
Qeveria ukrainase nuk ka qenë në gjendje të arrijë në një marrëveshje, me “qarqe më të fuqishme” prapa saj, që bllokojnë paqen me shpresën se vazhdimi i konfliktit do të dobësonte strategjikisht Rusinë ose madje do të shkaktonte ndryshimin e regjimit, tha Schröder.
Gerhard Schröder beson se Perëndimi po nënvlerëson rreziqet e përshkallëzimit të krizës ukrainase në një konflikt më të gjerë.
Ne gjermanët në veçanti duhet të sillemi me kujdes dhe në mënyrë konstruktive në kontekstin e Luftës së Dytë Botërore dhe krimeve të kryera në emër të Gjermanisë.
Ai i bëri thirrje Bashkimit Europian që të lidhë çdo ndihmë që i jep Kievit me kërkesat për skenarë seriozë dhe realistë për paqen.
“Kjo luftë duhet të përfundojë me negociata. Do të nevojiten kompromise.”