Lava, hiri, shkëmbinjtë e nxehtë dhe gazrat toksikë nga krateri janë shkarkuar nga shpërthimet, duke prekur shtatë fshatra deri më tani.
Banorët e Indonezisë Lindore u përballën me shpërthime të njëpasnjëshme të vullkanit “Mount Levotobi Laki-Laki”. Të paktën 10 persona kanë vdekur, ndërsa autoritetet kanë frikë se numri i të vdekurve do të rritet.
Autoritetet urdhëruan banorët e fshatrave aty pranë që të evakuonin menjëherë nga banesat e tyre.
Agjencia France-Presse, duke cituar burime zyrtare, thotë se të paktën 10 persona janë të vdekur.
Shtresë e dendur e hirit vullkanik.
Vullkani Levotobi Laki-Laki në ishullin Flores, i cili vlerësohet shumë nga turistët e huaj, shpërtheu gjatë natës. Në materialet vizive që qarkullojnë në rrjetet sociale, fshatrat pranë malit të vullkanit tregohen se janë mbuluar nga një shtresë e trashë hiri vullkanik dhe në disa vende ka flakë.
Në alarm të kuq!
Agjencia kombëtare e vullkanologjisë e Indonezisë ngriti nivelin e alarmit në maksimum në zonë dhe u bëri thirrje banorëve dhe turistëve të mos angazhohen në asnjë aktivitet brenda një rrezeje prej të paktën 7 kilometrash rreth kraterit.
Ka një “rritje të madhe të aktivitetit vullkanik” në malin Levotobi Laki-Laki, shpjegoi agjencia në një buletin paralajmërues të lëshuar sot. Aktiviteti u intensifikua nga dje në orën 23:57 (me orën lokale; 16:57 me orën shqiptare).
Shpërthimet vullkanike janë të shpeshta.
Në arkipelagun e gjerë indonezian, është regjistruar një aktivitet i shpeshtë dhe intensiv vullkanik dhe sizmik për shkak të vendndodhjes së tij gjeografike, mbi të ashtuquajturën “unaza e zjarrit” në Oqeanin Paqësor.
Disa shpërthime vullkanike u regjistruan në janar, duke detyruar autoritetet të shpallin alarmin dhe të evakuojnë më shumë se 2,000 banorë. Aktiviteti ka qenë në rritje në pjesë të ndryshme të Indonezisë këtë vit.
Më 11 maj, përmbytjet dhe rrëshqitjet e llavës së ftohtë nga mali Marapi në ishullin Sumatra në Indonezinë perëndimore vranë më shumë se 60 persona dhe detyruan autoritetet të evakuojnë mijëra njerëz nga shtëpitë e tyre.