“Duhen dhënë shpjegime”!
Një incident diplomatik mes Francës dhe Izraelit ka dëmtuar vizitën e Ministrit të Jashtëm francez Jean-Noel Barot në Jeruzalem.
Incidenti diplomatik midis Francës dhe Izraelit ndodhi kur oficerët e policisë izraelite hynë në një objekt fetar nën juridiksionin francez “të armatosur” dhe “pa leje”, sipas Barot.
Sipas gazetarit të AFP, oficerët e policisë izraelite hynë në mjediset e Kopshtit të Ullinjve, një juridiksion francez që nga shekulli i 19-të, i vendosur në Malin e Ullinjve në Jerusalemin Lindor, në anën palestineze të qytetit të pushtuar dhe të aneksuar nga Izraeli që nga viti 1967.
“Kjo fyerje ndaj integritetit të një sektori nën përgjegjësinë e Francës mund të dobësojë lidhjet, të cilat unë megjithatë kam ardhur t’i kultivoj me Izraelin, në një kohë kur të gjithë ne, kemi nevojë për të çuar përpara rajonin në rrugën drejt paqes”, tha Barot për gazetarët.
Duke denoncuar një “situatë të papranueshme”, ministri më në fund vendosi të mos hynte në vendin e pelegrinazhit.
Autoritetet izraelite “duhet të japin shpjegime, edhe pse ne nuk shohim çfarë mund të thonë, por para së gjithash duhet të kërkojnë falje”, komentoi një burim diplomatik francez me dijeni për incidentin.
“Sektori Eleonas (…) është një zonë që jo vetëm ka qenë nën juridiksionin e Francës për më shumë se 150 vjet, por Franca garanton sigurinë e saj”, tha ministri. Eleonas, pranë të cilit ndodhet një manastir, gjithashtu nën mbrojtjen diplomatike franceze, “është një vend i shenjtë”, shpjegoi për AFP At Laurent, prift i Bazilikës së Shën Anës.
“Këtu në Izrael, Vendet e Shenjta janë vende shumë të mbrojtura. Ne nuk hyjmë me armë. Në fund të fundit, ky është një sektor francez”, shtoi ai.
Ambasadori i Izraelit në Paris do të thirret për një shpjegim “brenda ditëve të ardhshme” për të diskutuar këtë incident, njoftoi Ministria e Jashtme franceze.
Nga ana e saj, diplomacia izraelite deklaroi se çështjet e sigurisë ishin “sqaruar” paraprakisht me ambasadën franceze në Tel Aviv. Prezenca e personelit të sigurisë izraelite kishte për qëllim garantimin e sigurisë së Barot, tha Ministria e Jashtme izraelite në një deklaratë.
Menjëherë pas largimit të ministrit, në një tjetër incident u përfshinë oficerë policie izraelite me uniformë dhe dy xhandarë francezë me rroba civile.
Gjatë një debati, policët izraelitë kapën një nga xhandarët, duke e hedhur në tokë përpara se ta fusnin në një makinë policie.
Sipas gazetarit të AFP-së, xhandari, i cili ishte identifikuar, bërtiti disa herë “mos më prek!”.
Më pas dy xhandarët u liruan. Një zëdhënës i policisë shpjegoi se xhandarët nuk ishin me uniformë dhe nuk kishin treguar letërnjoftimin e tyre diplomatik.
“Ata e dinë që ne punojmë në konsullatën e përgjithshme të Francës”, iu përgjigj një nga dy punonjësit e konsullatës, duke treguar me gisht policët që e kishin arrestuar.
Policia izraelite tha në një deklaratë se “dy persona, fillimisht të paidentifikuar” u kishin refuzuar hyrjen në ambjent agjentëve izraelitë përgjegjës për sigurinë e ministrit.
Më 22 janar 2022, vizita e presidentit francez Emmanuel Macron u dëmtua gjithashtu nga një shtyrje përpara bazilikës së Shën Anës.
Presidenti kishte humbur durimin dhe i bërtiti në anglisht një polici izraelit: “Nuk më pëlqen ajo që bëre para meje”.
Incidenti më i njohur mbetet ai i vitit 1996, kur edhe presidenti francez Zhan Shirak u zemërua me ushtarët izraelitë që e rrethuan nga afër, duke u bërtitur në anglisht: “A doni të kthehem në avionin tim?”, përpara se të kërkoni që ushtarët të dilnin nga sektori i Shën Anës.