Kryepeshkopi Justin Welby, Primati i Kishës Anglikane, njoftoi dorëheqjen e tij më 12 nëntor, vetëm disa ditë pas publikimit të një raporti që kritikonte trajtimin nga ana e tij, të një rasti që përfshinte abuzimin seksual të të miturve.
Me pozicionin e tij të konsideruar “të paqëndrueshëm” nga shumë bashkëmoshatarë të tij, Kryepeshkopi Justin Welby i Canterbury, kreu i Kishës së Anglisë dhe Primat i Komunitetit Anglikan njoftoi dorëheqjen e tij më 12 nëntor.
Ky vendim vjen vetëm një javë pas publikimit të raportit Makin, një hetim i pavarur që zbuloi fshehje nga zyrtarë të lartë të Kishës së Anglisë, në lidhje me abuzimet e kryera midis viteve 1970 dhe 2010 nga John Smyth, mbi të paktën 115 djem dhe të rinj gjatë kampeve verore të krishtera. Smyth, një avokat anglikan dhe laik i përkushtuar, u përshkrua në raport si “ndoshta abuzuesi më i papërshkrueshëm serial, që lidhet me Kishën e Anglisë”.
Ndërkohë që raporti e gjeti “të pamundur” që Welby të mos kishte njohuri për dyshimet rreth Smyth në atë kohë, diçka që Welby e mohoi fuqimisht, por që tani është në shqyrtim kryesisht trajtimi nga ana e tij e kësaj çështjeje, në vitin 2013.
Atë vit, kryepeshkopi anglikan u informua zyrtarisht për akuzat ndaj ish avokatit. Raporti i Makin ishte i qartë në përfundimin e tij se kryepeshkopi “mund dhe duhej t’i kishte raportuar” faktet në polici.
Çështja u bë publike vetëm në vitin 2017, pas një hetimi nga Channel 4 që zbuloi abuzimin e fëmijëve. Mosveprimi i Welby i lejoi Smyth, i cili vdiq në 2018, t’i shpëtonte drejtësisë.
“Unë duhet të marr përgjegjësi!
Është shumë e qartë se unë duhet të marr përgjegjësi personale dhe institucionale për periudhën e gjatë dhe ritraumatizuese midis 2013 dhe 2024″, shpjegoi Welby për të justifikuar dorëheqjen e tij.
Ndërsa Kryepeshkopi i Canterbury-t mohoi të kishte mbuluar çështjen, ai pranoi me largimin e tij se nuk kishte më autoritetin e nevojshëm për të mbajtur pozicionin e tij dhe për të udhëhequr një luftë të besueshme kundër abuzimit seksual në Kishën e Anglisë. Në të vërtetë, një peticion që kërkonte dorëheqjen e tij, i nisur më 9 nëntor nga tre anëtarë të Sinodit të Përgjithshëm të Kishës së Anglisë, kishte mbledhur tashmë mbi 5,000 nënshkrime / firma.
“Shpresoj se ky vendim e bën të qartë sesa seriozisht e kupton Kisha e Anglisë nevojën për ndryshim dhe angazhimin tonë të thellë për të krijuar një kishë më të sigurtë. Ndërsa largohem, e bëj këtë në pikëllim me të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit e abuzimit”, tha Welby.
Ky rast njollos edhe një herë institucionin anglikan, i cili ishte akuzuar tashmë katër vite më parë në një raport për përjetësimin e një “kulture” që lejonte abuzuesit seksualë të “fshiheshin” dhe t’i shmangeshin drejtësisë. Sipas atij raporti, i cili buroi nga një hetim më i gjerë në institucione të ndryshme kombëtare, 390 individë të lidhur me Kishën e Anglisë u dënuan për vepra penale, midis viteve 1940 dhe 2018.
Welby shërbeu si Kryepeshkop i Canterbury-t që nga viti 2013, duke udhëhequr Kishën e Anglisë dhe komunitetin Anglikan. Që nga emërimi i tij, ish drejtuesi i industrisë së naftës, i njohur për pikëpamjet e tij progresiste, kishte nisur një projekt të paprecedent ungjillizimi.
Një çështje për të cilën do të shkruajmë në ditët në vazhdim.