Në mesazhin e tij të fundit për njerëzimin, Henry Kissinger ishte bashkëautor i një libri shqetësues, të titulluar “Gjeneza”, i botuar javën e kaluar. Mesazhi përfundimtar i Kissinger për njerëzimin paralajmëron se Inteligjenca Artificiale (AI) do të krijojë “superhumanë”, që do të thotë se njerëzit e zakonshëm do të bëhen “të padobishëm”.
Kissinger vdiq vitin e kaluar, por bashkautorët e tij, Eric Schmidt dhe Craig Mundie, e përfunduan librin për të nderuar dëshirën e tij në vdekje. Mesazhi i tyre rrëqethës: “për të mos u tejkaluar nga makineritë e avancuara, njerëzit mund të kenë nevojë të inxhinierojnë veten biologjikisht për t’u bashkuar pa probleme me Inteligjencën Artificiale”.
Konceptet si ndërshfaqet truri-kompjuter, argumentojnë në libër, sesi mund të çojnë drejt një shoqërie ku njerëzit ridimensionohen për të punuar së bashku me mjetet e Inteligjencës Artificiale.
Autorët madje eksplorojnë idenë distopike të krijimit të linjave gjenetike trashëgimore të krijuara posaçërisht për të ndërvepruar me Inteligjencën Artificiale. Ndërsa e pranojnë këtë skenar si të padëshirueshëm, duke paralajmëruar se mund ta ndajë njerëzimin në klasa fuqish përgjithmonë të pabarabarta, ky skenar mbetet një mundësi në vizionin e tyre për të ardhmen.
Duke theksuar një artikull të botuar në The Washington Times për librin, Patrick Wood komentoi: “Anëtarët e Komisionit Trilateral Eric Schmidt dhe i ndjeri Henry Kissinger shprehin fundin e Epokës Teknetronike të Zbigniew Brzezinskit, e njohur ndryshe si Teknokraci: ata që do të kontrollojnë botën janë superhumanët, të cilët do të hakohen gjenetikisht ose do të shkrihen ndryshe me teknologji të avancuara si Ainteligjenca Artificiale. Libri i tyre, “Gjeneza”, flet për marrjen e dizenjimit inteligjent nga duart e Zotit dhe dhënien e tij tek projektuesit post-human të evolucionit të përbashkët”.
Si më poshtë, u botua fillimisht nga The Washington Times më 19 nëntor 2024.
Njerëzimi duhet të fillojë përgatitjet për të mos qenë më në krye të Tokës për shkak të inteligjencës artificiale, sipas një libri të ri nga burrështetasi i ndjerë Henry Kissinger dhe një çifti teknologësh.
Rritja e inteligjencës artificiale që krijon njerëz “superhumanë” është një temë kryesore shqetësuese në “Gjeneza”, botuar të martën nga Little, Brown and Company. Është “libri i fundit” nga Kissinger, sipas kompanisë mëmë të botuesit Hachette. Kissinger ishte një diplomat dhe strateg amerikan, i cili vdiq vitin e kaluar në moshën 100-vjeçare.
Bashkautorët e Kissinger, ish CEO i Google, Eric Schmidt dhe ekzekutivi i vjetër i Microsoft, Craig Mundie, përfunduan punën e kombinuar pas vdekjes së Kissinger dhe The Washington Times ka marrë një kopje paraprake.
z.Schmidt dhe z.Mundie shkruan se ishin ndër njerëzit e fundit që folën me Kissingerin dhe u përpoqën të respektonin kërkesën e tij në vdekje për të përfunduar dorëshkrimin.
Autorët ofrojnë një mesazh mbështetës, duke paralajmëruar se mjetet e inteligjencës artificiale tashmë kanë filluar të tejkalojnë aftësitë njerëzore, kështu që njerëzit mund të kenë nevojë të konsiderojnë inxhinierinë biologjike të vetvetes, për t’u siguruar që ata të mos bëhen inferiore, ose të mos fshihen / skartohen nga makinat e avancuara.
Në një seksion të titulluar “Bashkë-evolucioni: Njerëzit artificialë”, tre autorët inkurajojnë njerëzit të mendojnë tani rreth “përpjekjes për të lundruar në rolin, kur, ne nuk do të jemi më të vetmit, apo edhe aktorët kryesorë në planetin tonë.
Përpjekjet inxhinierike biologjike të dizenjuara për bashkim më të ngushtë të njeriut me makinat janë tashmë duke u zhvilluar”, shtojnë ata.
Përpjekjet aktuale për të integruar njerëzit me makinën përfshijnë ndërshfaqet e tru-kompjuterit, një teknologji të cilën ushtria amerikane e identifikoi vitin e kaluar, si të një rëndësie të veçantë. Ndërshfaqe të tilla lejojnë një lidhje të drejtpërdrejtë midis sinjaleve elektrike të trurit dhe një pajisjeje që i përpunon ato për të përmbushur një detyrë të caktuar, siç është kontrolli i një luftanijeje.
Autorët ngrenë gjithashtu perspektivën e një shoqërie që zgjedh të krijojë një linjë gjenetike të trashëguar të njerëzve të krijuar posaçërisht për të punuar më mirë me mjetet e ardhshme të Inteligjencës Artificiale. Autorët e përshkruajnë një ridizenjim të tillë si të padëshirueshëm, me potencialin dhe propabilitetin për të bërë që “raca njerëzore të ndahet në shtresa të shumta klasore, disa pafundësisht më të fuqishme se të tjerat”.
“Ndryshimi i kodit gjenetik të disa njerëzve për t’u bërë superhumanë mbart me vete rreziqe të tjera morale dhe evolucionare”, shkruajnë autorët. “Nëse Inteligjenca Artificiale është përgjegjëse për rritjen e kapacitetit mendor njerëzor, ajo mund të krijojë te njerëzimi mbështetje të njëkohshme biologjike dhe psikologjike mes inteligjencëa “së huaj””.
Një varësi e tillë fizike dhe intelektuale mund të krijojë sfida të reja për ta ndarë njeriun nga makinat, paralajmërojnë autorët. Si rezultat, projektuesit dhe inxhinierët duhet të përpiqen t’i bëjnë makinat më njerëzore, në vend që t’i bëjnë njerëzit më shumë si makinat.
Por kjo ngre një problem të ri: zgjedhjen e njerëzve që do të bëjnë makinat t’i ndjekin në një botë të larmishme dhe të ndarë.
“Asnjë kulturë e vetme nuk duhet të presë që t’i diktojë një tjetri moralin e intelekteve në të cilat do të mbështetej”, shkruajnë autorët. “Pra, për çdo vend, makinat do të duhet të mësojnë rregulla të ndryshme, formale dhe joformale, morale, ligjore dhe fetare, si dhe, në mënyrë ideale, rregulla të ndryshme për çdo përdorues dhe, brenda kufizimeve bazë, për çdo hetim, detyrë të mundshme, situatë dhe kontekst.”
Autorët thonë se shoqëria mund të hasë vështirësi teknike, por këto vështirësi do të zbehen në krahasim me projektimin e makinave për të ndjekur një kod moral, pasi autorët thanë se nuk besojnë se e mira dhe e keqja janë koncepte të vetëkuptueshme.
Kissinger, Schmidt dhe Mundie kërkuan vëmendje më të madhe për përafrimin e makinerive me vlerat njerëzore. Treshja tha se ata do të preferonin që asnjë inteligjencë e përgjithshme artificiale që tejkalon intelektin e njerëzimit, nuk lejohet të shfaqet, nëse nuk është në përputhje të duhur me specien njerëzore.
Autorët thanë se ata po hedhin rrënjë për mbijetesën e njerëzimit dhe shpresojnë që njerëzit ta kuptojnë atë, por se detyra nuk do të jetë e lehtë.
“Ne i urojmë sukses projektit gjigant të makinave inteligjente, por, ashtu siç nuk mund të llogarisim kontrollin taktik të njeriut mbi projektin tonë afatgjatë të bashkëevolucionit, nuk mund të jemi të sigurtë gjithashtu në supozimin se makinat do të zbutin sjelljen e tyre në përballje me njeriun”, shkruajnë autorët.
“Të trajnosh një makineri të Inteligjencës Artificiale për të na kuptuar dhe më pas të ulesh dhe të shpresosh se ajo na respekton, nuk është një strategji që duket e sigurtë, apo që të ketë të ngjarë të jetë e suksesshme.”