Njeriu që Çliroi Gjashtë Vende & Frymëzoi Çe Guevarën!

/

Ndërroi jetë më 17 dhjetor 1830.

Simón Bolívar është ndoshta figura më e rëndësishme në Amerikën Latine.

Vetëm Ernesto “Çe” Guevara, i frymëzuar nga vizioni i tij për një Amerikë Latine të bashkuar, mund të krahasohet me të për nga rëndësia.

Ai njihet edhe si “Çlirimtari”, si njeriu që çliroi Amerikën Latine. Hugo Çavez foli për një “revolucion Bolivarian”, ndërsa emri i Bolivarit madje u bë një ideologji. Por kush ishte Simón Bolívar dhe pse është kaq i nderuar në Amerikën Latine?

Paraardhësit e Simón Bolívar u vendosën në Venezuelë në shekullin e 16-të. Ai lindi në Karakas më 24 korrik 1783, në një familje të pasur dhe aristokrate. Siç ndodhi me njerëzit e klasës së tij, arsimimi i tij duhej të bëhej jashtë vendit. Kështu në moshën 16-vjeçare ai shkoi në Spanjë dhe më vonë shkoi në Francë. Në Spanjë u stërvit për studime ushtarake. Në Francë ai u frymëzua nga iluminizmi europian dhe ishte para një ceremonie që i ndryshoi jetën: kurorëzimit të Napoleon Bonapartit.

Në vitin 1804, pas 5 vitesh qëndrimi në Europë, ai u kthye në Venezuelë. Në vitin 1810, “lëvizja e Karakasit” e shpalli Venezuelën të pavarur nga Spanja dhe Bolivari shkoi me një mision diplomatik në Britani, me qëllim që ta bindte këtë të fundit të njihte Venezuelën dhe të dërgonte ndihma. Përfitimi i vetëm nga ky udhëtim ishte njohja e tij me të mërguarin Francisco de Miranda, i cili në vitin 1806 ishte përpjekur të çlironte vendin. Ishte Miranda që e bindi të drejtonte lëvizjen çlirimtare.

Ai u kthye në Venezuelë dhe në vitin 1811, Republika e Parë e vendit ishte një fakt. Pas mosmarrëveshjeve të tij me Mirandën, spanjolli arriti të merrte sërish kontrollin. Ai u strehua në Kolumbinë e sotme, ku shkroi “Manifestin e Kartagjenës”. Me këtë ai u bënte thirrje qytetarëve të Kolumbisë që të revoltoheshin dhe të dëbonin spanjollët.

Më 1813, së bashku me ndjekësit e tij besnikë, ai pushtoi Venezuelën. Ky akt i tij kontribuoi në krijimin e Republikës së Dytë. Emërtimi “çlirimtar” nuk do të humbiste më kurrë. Megjithatë, lufta civile e detyroi atë të largohej për në Xhamajka.

Aty lindi ideologjia që më vonë frymëzoi Guevarën dhe shumë të tjerë. Në të famshmen “Letra nga Xhamajka”, Bolivari zhvilloi vizionin e tij për një “Republikë të Amerikës së Jugut”, me një parlament të modeluar sipas Anglisë dhe një president të përjetshëm.

Me ndihmën e Haitit, ai u kthye në Venezuelë dhe në vitin 1821, pas shumë betejash të suksesshme, arriti të themelojë “Kolumbinë e Madhe”, të përbërë nga shtetet e sotme Kolumbi, Venezuelë, Panama dhe Ekuadori. Në viti 1822 mori pjesë në betejat për pavarësinë e Perusë dhe në vitin 1825 kryesoi krijimin e shtetit të Bolivisë.

Kishte arritur të bashkonte pjesën më të madhe të Amerikës së Jugut dhe ta çlironte atë nga spanjollët. Vizioni i tij për të bashkuar të gjitha shtetet, në një model si ai i SHBA-së, për një kohë mundi të bëhej realitet. Por shumë nuk u pajtuan me këtë dhe donin shtete të veçanta. Në vitin 1828, me ndihmën e zonjës së tij, ai i shpëtoi një atentati dhe 2 vite më vonë, teksa po planifikonte të mërgonte në Europë, vdiq më 17 dhjetor, pas një beteje me tuberkulozin.

Në Amerikën Latine shumica e vendeve kanë të paktën një statujë të tij. Shumë qytete mbajnë emrin e tij. Statujat e tij dhe rrugët me emrin e tij mund të gjenden edhe në SHBA, Australi, Egjipt dhe Turqi.

Simón Bolívar adhurohet në Amerikën Latine, me shumë njerëz që besojnë se nëse vizioni i tij për një konfederatë shtetesh do të ishte realizuar, atëherë ana jugore e shumëvuajtur e Amerikës nuk do të përballej me gjithë këto probleme me të cilat përballet sot.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Masakër Tjetër në SHBA - Një i Mitur Hapi Zjarr në Shkollën e Tij në Wisconsin, Vrau Dy & më Pas Vrau Veten!

Latest from Info