Rusia do t’i ndjekë shtetet europiane në “të gjitha mënyrat e mundshme”.
Dmitri Medvedev paralajmëroi të hënën (15/9) se Rusia do të sulmojë çdo shtet që kërkon të marrë asetet e tij.
“Nëse kjo ndodh, Rusia do t’i ndjekë shtetet e BE-së, si dhe të degjeneruarit europianë nga Brukseli dhe vendet e BE-së që po përpiqen të na sekuestrojnë asetet, deri në fund të shekullit”, shkroi ishpresidenti rus dhe zëvendëskryetari aktual i Këshillit të Sigurisë Ruse, Dmitri Medvedev, në Telegram.
Rusia do t’i ndjekë penalisht shtetet europiane në “të gjitha mënyrat e mundshme” dhe në “të gjitha gjykatat e mundshme ndërkombëtare dhe kombëtare”, si dhe “me mënyra jashtëgjyqësore”, shtoi Medvedev.

Rusia argumenton se çdo sekuestrim i aseteve të saj përbën vjedhje nga Perëndimi dhe do të dëmtonte besimin në obligacionet dhe monedhat amerikane dhe europiane.
Pasi Presidenti Vladimir Putin dërgoi ushtrinë e tij në Ukrainë në vitin 2022, SHBA-të dhe aleatët e saj ndaluan transaksionet me bankën qendrore dhe ministrinë e financave të Rusisë dhe ngrinë 300 miliardë deri në 350 miliardë dollarë në asete qeveritare ruse, kryesisht obligacione qeveritare europiane, amerikane dhe britanike, të mbajtura në një depozitë letrash me vlerë europiane.
Reuters raportoi se Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dëshiron që Bashkimi Europian të gjejë një mënyrë të re për të financuar mbrojtjen e Ukrainës kundër Rusisë, duke përdorur para të gatshme që lidhen me asetet ruse të ngrira në Europë.
Politico raportoi se Komisioni Europian po shqyrton idenë e përdorimit të parave të gatshme nga depozitat ruse në Bankën Qendrore Europiane nga obligacionet e mbajtura nga Rusia në maturim, për të financuar një “Kredi Dëmshpërblimi” për Ukrainën.