Rodriguez po luan “lojë të dyfishtë”!
Ajo denoncon “zyrtarisht” ndërhyrjet e Trump ndërsa shtrëngon marrëdhëniet me faktorin amerikan në prapaskenë!
Laura Dogu, shefja e re e misionit diplomatik amerikan në Venezuelë, mbërriti sot në Karakas, duke sinjalizuar një ngrohje të mundshme të marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Karakasit.
E gjithë kjo po ndodh më pak se një muaj pas arrestimit të Presidentit Nicolas Maduro nga forcat amerikane. Aeroplani që mbante Dogun u ul në kryeqytetin e Venezuelës rreth orës 3:00 pasdite sipas orës lokale, duke ardhur nga Bogota, sipas një burimi diplomatik të cituar nga AFP.
Mbërritja e saj pritet të forcojë kontaktet diplomatike dhe të hapë një kanal komunikimi midis dy palëve pas viteve të ftohta.
Emërimi i saj më 22 janar, si zyrtarja më e lartë në një mision diplomatik pas ambasadorit, konsiderohet një moment kritik për marrëdhëniet Uashington-Karakas, të cilat kanë mbetur të pezulluara që nga viti 2019. Ky veprim interpretohet si një mesazh qëllimi për të rivendosur gradualisht dialogun dhe bashkëpunimin.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar vazhdimisht se ai mban një “bashkëpunim të mirë” me presidenten e përkohshme të vendit, Delcy Rodriguez.
Rodriguez, nga ana tjetër, e ka siguruar Uashingtonin për qëllimin e saj për të promovuar reforma, të tilla si një amnisti e përgjithshme për të burgosurit politikë, rishikimin e legjislacionit për sektorin e naftës dhe ristrukturimin e gjyqësorit.
Presidentja e përkohshme u zotua gjithashtu të mbyllë burgun El Helicoide, të cilin opozita dhe grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e quajnë një qendër torture dhe abuzimi. Ky veprim mund të jetë një hap i rëndësishëm në rivendosjen e imazhit ndërkombëtar të Venezuelës dhe ndërtimin e besimit me bashkësinë ndërkombëtare.

